Kreu i Kryepiskopatës Orthodhokse të Amerikës së Veriut dhe të Jugut, Hirësia e Tij Jakovos, bëri të ditur kohët e fundit synimin e tij për të dhënë dorëheqjen nga froni kryepiskopal për shkak të moshës së thyer.
Të kremten e Fjetjes së Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari, 15 gusht, Kryepiskopi Jakovos e festoi së bashku me Tërëshenjtërinë e Tij të Hyjshme Patrikun Ekumenik Vartholomeu, në vendlindjen e tyre të përbashkët, ishullin e Imbros në Turqi.
Kryepiskopi Jakovos, pas 35 vjetësh shërbim në krye të Kryepiskopatës Orthodhokse të Amerikës së Veriut dhe të Jugut, do t’i paraqesë dorëheqjen e tij Patrikut Ekumenik Vartholomeu gjatë vizitës së tij në SHBA. Po gjatë vizitës së Patrikut Ekumenik në korrik 1996, e para vizitë e tij zyrtare në SHBA, do t’i jipet zgjidhje edhe çështjes së pasuesit të Hirësisë së tij Jakovos, me komunikimin e emrit të Kryepiskopit të ri, zgjedhja e të cilit është në kompetencën e Patrikanës Ekumenike. Kjo do të bëhet gjatë punimeve të kongresit kleriko-laik të Kryepiskopatës Orthodhokse të Amerikës së Veriut dhe të Jugut që do të zhvillohet korrikun e vitit të ardhshëm.