EmailFacebookKontakt

SHBA – Kryepiskopi Anastas nderohet me “Honoris Causa”, nga Seminari Teologjik Orthodhoks i Shën Vladimirit

Nga 26 shkurti deri më 6 mars, Fortlumturia e Tij, Kryepikopi i Tiranës Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, mori pjesë në disa veprimtari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai shoqërohej edhe nga Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë, Protopresviter Jani Trebicka.

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof Dr. Anastasi, u nderua më 27 shkurt me një titull tjetër “Honoris Causa”, duke u bërë “Doktor Nderi” i Seminarit Teologjik “Shën Vladimiri”, të Kishës Orthodhokse në Amerikë. Ceremonia, ku morën pjesë më shumë se 300 të ftuar, u zhvillua në kuadrin e një Simpoziumi dyditor mbi Misionin Orthodhoks, në mjediset e këtij Seminari.

Të enjten mbasdite, 27 shkurt, Kryepiskopi u mirëprit nga Dekani i Seminarit, Z. John Ericson. Para veprimtarisë, Fortlumturia e Tij pati edhe një bisedë të veçantë me Mitropolitin Herman, Primat i Kishës Orthodhokse në Amerikë, ku u fol për të dy kishat dhe sidomos për ringjalljen pas shkatërrimit ateist të Kishës sonë.

Pas Shërbesës së Mbrëmësores, të pranishmit u drejtuan në Auditoriumin “Philip Saliba”, Ku Mitropoliti Herman hapi veprimtarinë për dhënien e Doktoraturës së Nderit. Pastaj foli Dekani, i cili vuri në dukje punën e jashtëzakonshme misionare për disa dekada të Kryepiskopit Anastas. Më pas, Dr. Paul Meyendorff lexoi motivimin e titullit Doktor Nderi honoris causa, ndërsa Mitropoliti Herman i dorëzoi Kryepiskopit kryqin doktoral.

Gjithashtu, Kryepiskopi Anastas ishte edhe folësi kryesor në Simpoziumin për misionarizmin orthodhoks, i cili nisi menjëherë pas ceremonisë, ku mbajti ligjëratën me temë: “Të rizbulojmë identitetin tonë apostolik në shek. XXI”. Flaka e madhe dhe shpirti i kishes apostolike ka kalur i tëri në Kishën e Krishtit, do të thoshte Prof. Dr. Anastasi në temën e tij. Ne qëndrojmë në një moment të vërtetë apostolik në shek. XXI. Me çdo brez të ri ne duhet të jemi gati të eksplorojmë të renë dhe kreativen, por edhe të përfshijmë të vjetrën, apostoliken. Kisha u themelua nga Krishti dhe iu dha Apostujve. Besimi u majt i pandryshuar nëpërmjet Traditës Apostolike dhe u themelua, si një zinxhir i pakëputur me vazhdimësinë Apostolike. Krishti nuk gjeti një komunitet statik, të shkëputur nga bota. Madje, Ai i ngarkoi Apostujt të shkonin dhe të takonin ata që ndodheshin në botë. E njëjta përgjegjësi i është dhënë secilit nga ne, si mbajtës të Besimit Apostolik…

Misioni, – tha më tej Kryepiskopi, – është pjesë e pandarë e ADN-së të Kishës. Kisha rinovohet vazhdimisht nga misioni dhe detyra apostolike. Një ndërgjegjësim për këtë detyrë është i nevojshëm për shëndetin e Kishës. Secili nga ne, si pjesë të së njëjtës Kishë, ka përgjegjësinë Apostolike të dëshmojë dhe të mësojë.

Midis hierarkëve të pranishëm në këtë veprimtari ishin Hirësia e Tij Dhimitri, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse të Amerikës (Patrikana Ekumenike) dhe mjaft episkopë e klerikë të kishave orthodhokse të SHBA.

Folës të tjerë në simpozium ishin dhe At Luka Veroni (Sfida përballë misionit bashkëkohor), Very Rev. Constantine Nasr (Duke rinovuar shpirtin e misionit në enoritë lokale), Protopresviter Thomas Hopko (Misioni dhe filantropia) dhe Rev. Michael Nasser (Rinia dhe misioni).

Kisha Orthodhokse në Amerikë përfshin edhe një arqidioqezë shqiptare, me kryekishën e Shën Gjergjit, në Boston, administrator i së cilës është Imzot Nikoni (Liolin), i cili ishte i pranishëm në veprimtari.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Kryepiskopi Anastas mbajti edhe një cikël leksionesh në Kalifomi, në datat 2, 3 dhe 5 mars, i ftuar nga Instituti Orthodhoks “Patriku Athenagoras”, në bashkëpunim me Universitetin e Kalifornisë, në Berkeley (Leksionet u mbajtën në sallat e kompleksit të Katedrales Orthodhokse në Oakland).

Ditën e diel, 2 mars, Prof. Dr. Anastasi mbajti leksionin me temë: “Feja dhe paqja në botë”, më 3 mars “Feja dhe varferia” dhe më 5 mars: “Një eksperiment apostolik: Ringjallja e Kishës në Shqipëri”.

Veprimtari të këtij lloji janë një traditë e këtij Instituti, që ka sjellë në Kaliforni për të mbajtur leksione disa ndër teologët më të njohur orthodhoksë. Instituti “Patriku Athenagoras” ka për qëllim të edukojë, të komunikojë, promovojë dhe të mbështesë traditat, vlerat, mësimet dhe kulturën e krishterimit orthodhoks. Instituti është një përpjekje ndërorthodhokse, që përfaqëson diversitetin e entiteteve orthodhokse në Amerikë. Ai është një anëtar i Graduate Theological Union, me marrëdhënie të ngushta me Universitetin e Kalifornisë-Berkeley. Përveç ofrimit të kurseve në studimet orthodhokse dhe ato pasuniversitare, Instituti i shërben besimtarëve të zonës së Gjirit të Kalifornisë, duke sigumar mundësi edukimi përgjatë vitit. Gjithashtu, Instituti sponsorizon studentë dhe studiues orthodhoksë me bursa për në universitet.

Pas këtyre leksioneve, Kryepiskopi u kthye në New Jork, ku pati takime dhe mori pjesë në dhënien e Çmimit Athenagoras.

Korresp. i gazetës “Ngjallja”