Siç na njofton Aleksandër Boulekov, i Zyrës së Shtypit të Departamentit të çështjeve të jashtme të Patrikanës së Moskës, në 26-27 dhjetor 1995 u zhvillua sesioni i Sinodhit të Shenjtë, nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Patrikut të Moskës dhe gjithë Rusisë Aleksej II.
Sinodhi i Shenjtë caktoi Mitropolitin Vladimir, deri atëhere të Rostovit dhe Novocherkasskut, Mitropolit të Shën Pjetërburgut dhe Ladogës, në vend të Mitropolitit Joan, i cili fjeti në muajin nëntor. Ndërkohë, në vendin e Mitropolitit Vladimir në Mitropolinë e Rostovit u caktua Episkop Pandelejmoni deri atëhere i Arkhangelskut. U bënë gjithashtu edhe disa ndryshime të tjera organizative, përfshirë krijimin e Mitropolisë së Murmanskut, e cila është e 120-ta e Kishës Orthodhokse Ruse.
Autoritetet më të larta kishtare vendosën krijimin e Departamentit të Punës Hierapostolike pranë Sinodhit të Shenjtë, objekt i të cilit do të jetë gjallërimi i gjithanshëm i hierapostolisë orthodhokse të Kishës Ruse në territorin e saj kanonik. Kryetar i Departamentit u zgjodh Episkop Joani i Belgorodit dhe Stary Oskolit.
Anëtarët e Sinodhit të Shenjtë dëgjuan, gjithashtu, raportin e Fortlumturisë së Tij Patrikut Aleksej lidhur me vizitën e tij në muajin nëntor në Gjermani. Sinodhi i Shenjtë dha bekimin për hapjen e 9 manastireve të reja, duke e ngritur kështu në 350 numrin e manastireve të Kishës Orthodhokse të Rusisë.
Rëndësi të veçantë i kushtoi Sinodhi në sesionin e vet kremtimit të përvjetorit të 2000-të të Lindjes së Krishtit. Në këtë kuadër u theksua rëndësia e madhe e inisiativës së Patrikanës Orthodhokse të Jeruzalemit për zhvillimin e veprimtarive të veçanta festive në Tokën e Shenjtë. Për realizimin e këtij programi do të ngrihet një Komision Koordinues Ndërorthodhoks.