EmailFacebookKontakt

Sërish profanohen simbolet e shenjta

Më 26.9.1994, rreth orës 8.00 të mëngjesit, në rrugën automobilistike që kalon pranë fshatit Fikas, nga një makinë e markës Mercedes Benz ngjyrë kafe dhe me targë të Tiranës, zbritën dy persona, njëri prej të cilëve, shoferi, shqiptar dhe tjetri arab dhe me një egërsi shkulën nga vendi një faltore orthodhokse buzë rrugës, e cila përmbante ikonën e Shën Dhimitrit, si dhe kryqin prej guri në majë të saj. Mbasi e zhvendosën nga bazamenti i saj, e hodhën në kanalin që gjendej poshtë rrugës. Dëshmitarët e ngjarjes, disa gra dhe fëmijë të fshatit, që në atë çast ishin duke kullotur bagëtinë, nuk mundën dot t’i parandalonin apo të kapnin pjesëtarët e kësaj vepre të shëmtuar, nga shpejtësia me të cilën arritën të kryenin dëmtimin e faltores dhe largimi i menjëhershëm i tyre.

Duhet të theksojmë, se çka ndodhi është vazhdim i një serie veprash të tilla të ngjashme; përmendim këtu djegjen e kryqit vendosur në majë të një kodre apo rrëzimin e faltoreve të tjera rrotull kësaj zone. Regjisorët e të gjitha këtyre ngjarjeve janë po të njëjtët misionarë nga vendet arabe, që, me ç’duket, kanë ardhur me mendime tepër të errëta, për komunitetin orthodhoks dhe atë të krishter në përgjithësi.

Por, çka është më e rëndësishme dhe më e rëndë se këto shkatërrime, është përpjekja për nxitjen e besimtarëve myslimanë shqiptarë kundër atyre të krishterë, është përpjekja për të shkatërruar bashkëekzistencën paqësore, si dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Këto veprime duhet të kthehen në thirrje për të gjithë besimtarët e vërtetë dhe të ndershëm, që të mos implikohen në këtë lojë të rrezikshme për vetë kombin, të montuar jashtë apo brenda, nga persona që nuk e njohin tolerancën fetare.