EmailFacebookKontakt

Sepse me veprën e tij zbut dhimbjen njerëzore

“Sepse me veprën e tij zbut dhimbjen njerëzore”

– Çmimi i paqes 1996 për Kryepiskopin e Shqipërisë Fortlumturinë e Tij, Anastas –

Çmimi i Paqes që Bashkia e Lefkadhës jep çdo vit nëpërmjet Qendrës së saj Shpirtërore, gjatë kremtimeve të Fjalës dhe të Artit të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar, sivjet iu dha njëzëri Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit.

Në motivacionin theksohet se Fortlumturia e Tij “ka zhvilluar një aktivitet të dendur jo vetëm në dialoget ndërkristiane dhe ndërkishtare, por edhe në luftën kundër urisë, analfabetizmit dhe të epidemive në “Botën e Tretë”, si dhe për mbizotërimin midis popujve të botës të frymës së Pajtimit, Bashkëpunimit dhe Bashkëjetesës Paqësore”.

Bashkia e Lefkadhës, nëpërmjet Qendrës së saj Shpirtërore, duke vlerësuar këtë kontribut të vyer dhe thelbësor ndaj çështjes së paqes, vendosi njëzëri që Çmimin e Paqes 1996 t’ia japë Hierarkut të dalluar, “sepse me veprën e tij të shumanshme shpirtërore dhe shoqërore zbut dhimbjen njerëzore dhe sheshon kontradiktat midis Kishave dhe feve”.

Në ditën e çeljes së Festivalit Ndërkombëtar, më 18 gusht 1996, në kështjellën historike të Lefkadhës, të mbushur plot e përplot me njerëz, i Përndershmi Mitropolit i Lefkadhës dhe Itakës, z. Niqifor, si përfaqësues i Kryepiskopit Anastas, i cili nuk mundi të merrte pjesë, mori medaljen nga duart e Kryetarit të Bashkisë së Lefkadhës, z. Konstandinos Stamatelos.

Në një manifestim të thjeshtë dhe në mes duartrokitjesh të ngrohta të njerëzve, Kryetari i Bashkisë foli me frymëzim për “njeriun e dashurisë dhe të bashkëjetesës paqësore të popujve”, personalitetin poliedrik prej martiri dhe tepër të rëndësishëm të Hierarkut, i ati i të cilit, Gjerasimi, kishte lindur në Lefkadhë.

Më pas, i Përndershmi Mitropolit i Lefkadhës dhe Itakës, z. Niqifor, pasi i përcolli zyrtarëve dhe popullit të Lefkadhës falenderimet e ngrohta dhe dashurinë e Fortlumturisë, foli për prestigjin mbarëorthodhoks dhe mbarëkishtar të Kryepiskopit, e cilësoi atë si Hierark të vijës së parë dhe një personalitet me rrezatim mbarëbotëror.

Në vazhdim, Kryetari i Bashkisë lexoi mesazhin e Fortlumturisë së Tij drejtuar popullit të autoriteteve të ishullit. Kështu u mbyll me solemnitet edhe sivjet ceremonia e dhënies së çmimit të Paqes, të cilin e kanë marrë personalitete shpirtërore dhe organizata nga e gjithë bota, si Mandela, “Green Peace”, “Mjekët pa kufinj” etj.