Senatorët Olympia Snowe, Paul Sarbanes, A. D’Amato dhe Carol Moseley Braun i kanë parashtruar Senatit amerikan një Projekt-rezolutë për Patrikanën Ekumenike dhe Shkollën Teologjike të Halkit.
Me anën e kësaj Projekt-rezolute, të cilën e përkrahin anëtarë të Senatit nga të dyja partitë, shprehet dëshira që SHBA të përdorin influencën e tyre ndaj qeverisë turke dhe të kërkojnë që ajo të sigurojë mbrojtjen e përshtatshme për Patrikanën Ekumenike dhe për orthodhoksët që banojnë në Turqi, të garantojë se do të funksionojë përsëri Shkolla Teologjike e Halkit dhe të japë mbrojtjen e duhur dhe sigurinë për Patrikun dhe personelin e Patrikanës.
Gjithashtu, kërkohet nga qeveria turke të sigurojë kushtet për të penguar përsëritjen e akteve terroriste, vandalizmave dhe kërcënimeve ndaj Patrikut, në mënyrë që misioni fetar të zhvillohet normalisht dhe të bëjë çka është e mundur që të dënohen ata që shkaktojnë veprime provokuese dhe terroriste kundër Patrikanës.
Me këtë rezolutë kërkohet, gjithashtu, nga qeveria amerikane që t’i raportojë çdo vit Kongresit për situatën dhe ecurinë e çështjeve të mësipërme.