EmailFacebookKontakt

Seminar për kualifikimin e edukatoreve

Nga 20-22 shkurt, me bekimin e Kryepiskopit Anastas dhe punën përgatitore të Zyrës së Katekizmit e sekretarisë së kopshteve (që përgatitën materialet nën drejtimin e motrës Filothei), në mjediset e qendrës rinore orthodhokse të Tiranës u zhvillua i pari seminar në kuadrin e kualifikimit të edukatoreve. Në të morën pjesë rreth tridhjetë vajza nga Tirana, Durrësi, Kavaja e Korça, që do punojnë si edukatore e ndihmëse në përkujdesjet ditore të çelura nga KOASH.

Shërbesa e Mëngjesit, që do hapte çdo ditë të seminarit dhe një përshëndetje mirëseardhjeje nga protopresviter at Joan Trebicka dhe nga motra Filothei zunë vendin referatit të mbajtur nga priftëresha Fotini Veroni. Në referat trajtoheshin kuptimi i psikologjisë në hapat e para të zhvillimit të fëmijëve në aspektin fizik, shoqëror e emocional etj., si dhe një vëzhgim për planifikimin e një programi efektiv për të vegjlit. Më pas, përmes referatit të mbajtur nga priftëresha Urani Rici, me temë “Marrëdhëniet mësues-prindër-fëmijë”, u kalua në diskutimin mbi atë, se sa ndikon familja e shoqëria dhe sa ngrohtësia që gjen fëmija në përkujdesjen ditore, në formimin e përgjithshëm të tij. Dita u mbyll me shfaqjen në video të programit të përgatitur nga përkujdesja ditore në Durrës, me rastin e Krishtlindjeve.

Dita e dytë nisi me bisedën e motrës Galini. Në fjalën e saj u vu theksi në rolin që ka hapja e këtyre për-kujdesjeve brenda kishës, për të krijuar marrëdhënie të vërtetë midis fëmijës e Perëndisë, si dhe për rolin, që luan mësuesja me paraqitjen, sjelljen, mësimdhënien dhe tërë personalitetin e saj, në edukimin e fëmijës. Nën drejtimin e priftëreshës Fotini, u zhvilluan edhe disa orë mësime praktike.

Të pajisura me njohuri të reja, të vlefshme për punën e tyre gjatë procesit edukativo-mësimor, pjesëmarrëset u larguan me shpresën, që Perëndia të bekojë edhe në të ardhmen organizimin e seminareve të kësaj natyre, që mendohet të jenë të përmuajshme dhe me pjesëmarrjen e specialistëve vendas e të huaj në pedagogji e psikologji.

K H