EmailFacebookKontakt

Seminar kualifikues me edukatoret

Njohje dhe praktikë me metodat bashkëkohore

Nga 27 qershor – 3 korrik, u zhvillua Seminari kualifikues për personelin mësimdhënës të kopshteve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Morën pjesë 33 edukatore, nga 9 kopshtet që funksinojnë në të gjithë vendin. Ai u zhvillua nën kujdesin Kryepiskopit Anastas dhe u organizua nga Zyra e kopshteve e Kishës, në bazë të programit për kualifikimin e edukatoreve.

Ndryshe nga herët e tjera, seminari u zhvillua në mjediset e Manastirit të Shën Joan Vladimirit, Elbasan.

Kjo veprimtari, kishte si qëllim kryesor njohjen me metodat bashkëkohore të mësimdhënies; shkëmbimin e përvojës evropiane me atë shqiptare dhe të përvojës ndërmjet kopshteve tona.

Për këtë, u mundësua ardhja e dy pedagogeve të shquara; znj. Papavasiliu, pedagoge e njohur greke, e cila na nderon për herë të katërt me pjesëmarrjen e saj, si dhe znj. Kameno, pedagoge në Universitetin e Gjenevës, Zvicër, për degën e parashkollorëve dhe specialiste për fëmijët me zhvillim të vonshëm.

Në këtë seminar iu dha prioritet ores praktike, organizimit të një dite në kopsht. Në ditën e parë u bë një bisedë e shkurtër shpirtërore me motrën Galini, e cila midis të tjerash, na foli pak dhe për historinë e Shën Joan Vladimirit. Në ditët në vazhdim u dha një pasqyrë e plotë e përvojës zviceriane. U fol për qëllimet e kopshtit, për futjen e fëmijëve në jetën shoqërore, pasi kopshti është vendi i parë që takon fëmija në jetë pasi ndahet nga familja, për një periudhë të caktuar të ditës. U fol për përshtatjen e fëmijëve me rregullat, për përgatitjen e tyre për në shkollë.

Gjithashtu, u fol për zhvillimin psikomotor, për relatat dhe mbledhjet me prindrit. E gjithë kjo ishte kombinuar me anën praktike; p.sh. se si organizohet një grup fëmijësh, duke treguar një përrallë, si punohet me gazetat dhe me shumë materiale të thjeshta duke kryer një sërë ushtrimesh si, vëzhgimi, dëgjimi, pyetjeje, krahasimi, shijimi etj.

Ditën e shtunë u fol për studimet më të fundit mbi pedagogjinë, të pedagoges franceze Bernadette. Duke u mbështetur mbi to, u analizuan thellë aktivitetet e fëmijëve të moshës parashkollore, duke nxjerrë përfundimet për qëndrimin që duhet të mbajmë ne.

Me shumë interes ishte shkëmbimi i përvojës midis vetë kopshteve tona. Secili kishte sjellë me vete punët më të mira, duke i paraqitur ato në formën e një ekspozite. për këtë u bë nxitja duke dhënë çmime simbolike për punën më të mirë, për këngën e interpretuar më bukur dhe për lojën më të bukur.

Emocionuese ishte edhe Liturgjia Hyjnore e së dielës, gjatë vizitës në Pogradec, e cila e celebrua nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani. Pas Liturgjisë, Hirësia e Tij na mblodhi të gjithëve dhe bekoi punën tonë. Pastaj na ftoi për drekë në një nga sallat e Mitropolisë së Korçës, në të cilën shtrohen dreka për të varfërit e qytetit. Në Korçë vizituam edhe Katedralen e re “Ngjallja e Krishtit” dhe bëmë një vizitë në kopshtin e Korçës, ku të gjithë kishin se ç’të mernin nga puna e edukatoreve.

Mendojmë se ky seminar ia arriti qëllimit. Gjithçka iu përgjigj nevojave të të dy palëve. Ishte një përvojë e rëndësishme dhe shumë e vlefshme për të gjithë, qoftë për edukatoret, qoftë për të ftuarat.

Urani Duska