Sot u mbushën 2 vjet nga hirotonia juaj si episkop; ç’kujtoni nga ajo ditë dhe cila është rëndësia e saj për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë?
Kur hedh sytë mbrapa dhe kujtoj, ndiej njëherësh dy gjëra. E para, më duket sikur ka kaluar shumë kohë, ndoshta kjo vjen ngaqë periudha ku po jetojmë është e ngarkuar me probleme të ndryshme dhe ngaqë volumi i punës që kryhet në Kishën tonë është shumë i madh. Gjithashtu, në të njëjtën kohë ndiej se koha ka kaluar shumë shpejt. Më duket sikur hirotonia u krye dje. Ndoshta edhe kjo vjen nga e njëjta arsye.
Gjithmonë më kujtohet ajo çfarë ndjeva kur u bë zgjedhja ime si Mitropolit i Korçës. Në një çast u shpalos tërë përgjegjësia për këtë detyrë kaq të vështirë. A do isha vallë në gjendje ta përballoja. Po lutja dhe mbështetja e të tjerëve më dhanë më shumë siguri dhe nuk do të isha vetëm unë që do ta përballoja, por kryesisht Hiri i Perëndisë dhe përkrahja e besimtarëve.
Në mendje më ka mbetur po ashtu gëzimi i besimtarëve dhe veçanërisht i atyre të Korçës, të cilët kishin ardhur që pa gdhirë, për të marrë pjesë në ceremoninë e hirotonisjes.
Rëndësia e kësaj është më tepër në realizimin e krijimit të Sinodit të Shenjtë, sesa në hirotonisjen time. Krijimi i Sinodit ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sepse kjo i siguroi Kishës një stabilitet, duke zgjidhur shumë probleme kronike, të cilat mund t’i krijonin vështirësi të mëdha për kishën, si brenda ashtu dhe në marrëdhëniet me kishat e tjera.
Çfarë ju afroi me besimin dhe si?
Kjo është një histori e gjatë dhe gjithmonë është e vështirë të flasësh për veten. Eshtë shumë e vështirë të tregohet rruga se si besohet. Kjo është një ndjenjë e thellë në shpirtin e çdo njeriu. Eshtë e pamundur të shpjegohet besimi racionalisht, megjithëse diçka mund të thuhet për atë, sepse ndonëse Perëndia është mbi mendjen e njeriut, nuk është jashtë saj. Njeriu i krijuar sipas ikonës së Perëndisë, mund të përmbushet vetëm kur prehet në Atë dhe unë besoj se tek çdo njeri, thellë tij, ekziston dëshira dhe malli për Perëndinë, pavarësisht sesa i vetëdijshëm është ai për këtë.
Eshtë vështirë të ndiqet e gjithë dinamika e besimit, por mund të them se, kur ai vjen, vjen shumë natyrshëm. Më kujtohet se ishin vitet e fundit të shkollës së mesme, viti i tretë ose i katërt, kur rashë në kontakt me Ungjillin dhe me një grup besimtarësh, që e kishin mbajtur gjallë atë (vitet 74 – 75), si Petro Zheji, Theofan Popa, Papa Kozmai dhe motrat Cico. Falenderoj Perëndinë, që më bëri të denjë të njihesha me këta njerëz. Bisedonim shpesh dhe vazhdimisht rreth Ungjillit.
Në kohën e persekutimit biseda për Ungjillin merrte një tjetër kuptim dhe një tjetër gëzim. Sa herë që bisedonim për Krishtin, shenjtorët dhe fenë në përgjithësi, zemra mbushej tërë ngazëllim. Jashtë sundonte errësirë e thellë, por thellë në shpirt ndihej një gëzim i madh. Këtë e shikoja edhe tek të tjerët, që përmenda më parë.
Ndonëse isha më i riu ndër ta, të gjithë më afruan një respekt dhe një dashuri shumë të madhe, gjë që mund të ta japin vetëm njerëz që kanë një besim të sinqertë e të thellë.
Cila është rruga për të kaluar nga besimtari tek kleriku i përkushtuar vetëm në kishë?
Dëshira për t’i shërbyer Zotit, për t’iu përkushtuar tërësisht Atij, kishte lindur që kur isha fare i ri. Kur ndodhën ndryshimet në vitet ’90-të, unë u ndodha në SHBA. Atje m’u dha mundësia të studioj në shkollën Teologjike të Kryqit të Nderuar, në Boston. Gjatë kësaj kohe dëgjova që në Shqipëri kishte nisur rihapja e kishave dhe ishte caktuar Eksark Imzot Anastasi. Atëherë mora kontakt me të. Ai më ftoi në Fronëzimin e tij e kështu nisi afrimi me strukturën kishtare këtu. Mbasi mbarova shkollën vendosa të kthehem në Shqipëri, për të kontribuar në Kishë me të gjitha mundësitë e mia.
Gjatë kësaj kohe, duke parë nevojën e madhe në Kishën tonë, fillova të mendoj për zgjedhjen midis një jete të tërhequr murgërore dhe një jete më aktive si klerik, kushtuar më shumë përhapjes së Ungjillit. Kisha nevojë për të dyja, por mendova se në këtë fazë të rëndësishme të ringritjes dhe të riungjillizimit, ndoshta nevoja më e madhe është për të dytën.
Ç’mendoni për ecurinë e punës së Sinodit në këta dy vjet?
Formimi i Sinodit ishte një proces i vështirë, i cili kërkoi shumë përpjekje. Në këta dy vjet puna e Sinodit ka qenë shumë e mirë dhe serioze dhe me Hirin e Perëndisë, besoj se ecuria do të jetë akoma më e mirë, ndonëse para tij shtrihet një punë e madhe. E them këtë, ngaqë shoh se brenda Sinodit është një lidhje e shëndetshme, e ngritur mbi dashurinë dhe respektin e ndërsjelltë. Për çdo problem bëhet konsultimi i përbashkët dhe çdo vendim merret në konsesus dhe në frymën kolegjiale, aq karakteristike për Kishën Orthodhokse.
Ju u caktuat Mitropolit i Korçës, një qytet me tradita të veçanta, me të cilin lidhen edhe motrat Cico dhe shumë kujtime. A ishte i vështirë integrimi dhe si e shikoni punën tuaj të deritanishme?
Unë e njihja Korçën prej shumë kohësh dhe asnjëherë nuk kisha menduar që do vija si Mitropolit, por rrugët e Zotit janë të çuditshme. Kjo, njohje dhe prania e motrave Cico dhe e besimtarëve të tjerë më jepte më shumë besim dhe kurajo.
Në Korçë ekzistonte një komunitet, gjë që e bën punën më të lehtë, por njëkohësisht edhe më të vështirë. Më të lehtë, se do gjesh më shumë njerëz që do të të ndihmojnë, siç edhe ka ndodhur. Më të vështirë, sepse kërkesat e tij janë cilësore.
Integrimi besoj se erdhi në mënyrë të natyrshme. Dëshira e madhe që kishin besimtarët e Korçës për të ringritur kishën e tyre, jo vetëm ndërtesat, por edhe komunitetin, ishte një ndihmë shumë e madhe për mua.
Ajo që më shqetëson pak është se kemi nevojë për më shumë njerëz të përgatitur, për të mësuar dhe për të drejtuar.
Ju zhvilloni edhe veprimtari, shkruani, keni përgatitur libra, keni bërë përkthime për besimtarët; a ju pengon puna administrative për këtë?
Sigurisht që pengon, por megjithatë, jam munduar të gjej pak kohë, për të mos u ndarë nga librat, nga të cilët nuk mund të shkëputem dot.
Gjatë kësaj periudhe dyvjeçare mbarova përkthimin e dy vëllimeve të mbetura nga “Besimi Orthodhoks”. Kam përgatitur edhe librin e parë të “Dogmatikës” dhe po punoj për të dytin, megjithëse kjo kërkon një qetësi dhe një kohë të madhe, sepse kërkon studim dhe shfletim të shumë e shumë teksteve dhe materialeve të ndryshme. Megjithatë do mundohem të gjej pak më tepër kohë, sepse në vendin tonë është një nevojë e madhe për literaturë fetare. Mendoj, se gjithsekush nga ne, për sa mundet, duhet të ofrojë diçka më tepër. Eshtë një detyrë ndaj Kishës dhe karshi besimtarëve tanë.
Cilat janë programet tuaja në jubileun e 2000-vjetorit dhe si e shikoni të ardhmen e Kishës në këtë mijëvjeçar të ri?
Jubileu i madh i kujton secilit nga ne, në detyrën e tij, rëndësinë e madhe të Krishterimit dhe të vlerave të tij në kohën e sotme; jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Mendoj, se përveç festimeve të jashtme, që janë një shenjë për të treguar rëndësinë e tij, duhet që ky vit jubile të na bëjë që të thellohemi më shumë në besimin tonë. Këtë vit, si dhe në ata që do të pasojnë, duhet të përpiqemi për një përjetim dhe një kuptim të thellë të jetës shpirtërore. Koha e sotme, dhe për problemet aktuale të njerëzimit, ka nevojë për mesazhin e këtij jubileu.
Ndërsa për të ardhmen e Kishës, ndonëse ajo është në fillimet e saj (në fillimet pas persekutimit, sepse Kisha ka 2000 vjet që ekziston), po hidhen themele të fuqishme dhe shpresa është shumë e madhe. Në Akademinë tonë Teologjike po përgatitet një brez jo vetëm i ditur, por edhe i devotshëm. Rritja e madhe e interesimit për Kishën, afrimi i shumë njerëzve dhe intelektualëve, që tashmë shohin te ajo diçka më të thellë për përmbushjen e plotë të jetës së tyre; të gjitha këto japin shpresë. Këtë e mbështes edhe te disa fryte që kanë dalë deri tani, tek disa shenja që janë të dukshme dhe të prekshme. Kjo më mbush edhe me shpresë, edhe me gëzim dhe më heq lodhjen nga vështirësitë e përditshme të jetës.
Mendoj se Kisha jonë gjatë këtyre 10 vjetëve ka përparuar shumë dhe ndoshta Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë në këto pozita si është sot dhe në të ardhmen, me siguri, do fuqizohet më tepër. Le të shpresojmë dhe t’i lutemi Perëndisë, që këta fidanë të rinj të rriten dhe të bëhen lisa të fuqishëm.
Edhe një pyetje tjetër. Ju keni jetuar në Amerikë e njihni edhe diasporën. Si e shihni të ardhmen e marrëdhënieve midis Kishës sonë dhe diasporës orthodhokse shqiptare?
Edhe diaspora në Amerikë këto 10 vitet e fundit ka ndryshuar shumë. Për 50 vjet ishin ndërprerë marrëdhëniet dhe ajo në një farë mënyre, e kishte humbur fuqinë e saj të dikurshme, që kishte në kohën e Imzot Nolit, sepse një pjesë e madhe ishin asimiluar dhe kishin humbur edhe përdorimin e gjuhës. Ndërsa këto 10 vitet e fundit, nga numri i madh i emigrantëve ka ndryshuar edhe raporti. Ka shumë kisha ku tani rreth 60% të besimtarëve janë nga të ardhurit e rinj.
Në fillim, marrëdhëniet me diasporën patën disa moskuptime të situatës që ishte këtu tek ne, por dalëngadalë mjaft gjëra filluan të qartësohen dhe të kullohen. Tani shumë njerëz, të cilët kanë dashamirësi për Kishën, e kuptuan se mënyra se si u veprua ishte më e mira e mundshme.
Unë besoj, se sidomos këta 2 vitet e fundit pas formimit të Sinodit, marrëdhëniet kanë ndryshuar pothuajse rrënjësisht. Eshtë treguar një interesim shumë i madh për përparimin e Kishës. Kemi pasur shumë telefonata, letra, qoftë nga drejtues të Kishës, qoftë nga besimtarë. Madje tani po ndryshon edhe diçka tjetër. Në fillim ishim ne që u kërkonim ndihmë atyre, ndërsa tashmë ata na kërkojnë ndihma për klerikë. Megjithëse ne ende nuk mund ta plotësojmë këtë gjë, se jemi në procesin e rritjes dhe të konsolidimit tonë.
Në një të ardhme të afërt, këto marrëdhënie do të jenë edhe më të mëdha. Dhe, sa më e fuqishme të jetë Kisha Orthodhokse këtu, aq më shumë ndihmë do të jetë edhe për ata. Sepse asnjë diasporë nuk mund të jetojë dhe të lulëzojë nëse Kisha mëmë nuk është në gjendje për ta ndihmuar. Ky është një fakt, që ka ndodhur me të gjitha kishat e tjera. Kujtoj, kur isha në SHBA vitin e kaluar, dashurinë e madhe me të cilën u prit kjo vizitë nga të gjithë besimtarët, si shenjë e lidhjes midis Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri dhe asaj të përbërë nga besimtarë shqiptarë në Amerikë.
Intervistoi: Thoma Dhima
20.7.2000