“Se ja tek desha të vërtetën…” (Psalmi 51 7)
Davidi i psalmeve, me këto fjalë në psalmin e famshëm 50 të tij, nxjerr në pah një shpallje: “Perëndia e do të vërtetën”. E vërteta ka burim të saj Perëndinë. Perëndia ynë është Perëndi i së vërtetës, Jisui. Fjala e Perëndisë e tha në mënyrë kategorike: “Unë jam… e vërteta” (Joani 14 6). Krishti ynë e identifikon vetveten me të vërtetën. D.m.th. qoftë kur themi Jisu qoftë kur themi e vërteta është njëlloj. Kushdo që do Krishtin do të vërtetën dhe kushdo që do të vërtetën do Krishtin. Ndaj, kushdo që thotë gënjeshtra dhe mohon të vërtetën, mohon dhe Krishtin, që është e vërteta. Eshtë njëlloj si t’i japë Krishtit puthje tradhtare, si Juda. Ja përse gënjeshtra është një mëkat i madh, e cila na ndan nga Krishti i së vërtetës, nga Krishti ynë.
E tatëpjeta e gënjeshtrës, për njeriun e epokës sonë, duket se po bëhet regjim; ai sado që përparon në sektorin teknik, po aq mbrapa shkon në drejtimin shpirtëror. Gënjeshtra përçan jetën e virtytshme dhe e paraqet si diçka të kaluar. Ndërsa përkundrazi jeta “e lirë” është jeta e lirisë.
Kështu, çdo gjë e kalbur, e pistë dhe e gënjeshtër, çdo devijim, vihet në dukje, admirohet dhe pranohet si diçka e rëndësishme që ia vlen për njeriun e ri dhe modern. Dhe kjo, ka si përfundim që njeriu të mos e dojë Perëndinë e tij, të mos dojë të vërtetën. Por, të dojë gënjeshtrën, trupin, lëndët narkotike, perënditë moderne. Para kësaj taktike kriminale, si është e mundur që njeriu i së vërtetës të mos reagojë?
Qëndrimi i disave, që janë dhe të krishterë, me justifikimin: “Le të mos jemi të ngurtë” në gjykimet tona, është anti i krishterë. Sepse, Apostull Pavli, i frymëzuar nga Perëndia thoshte: “Ç’pjesë ka drejtësia me paligjësinë? Çfarë marrëdhënie ka Krishti me Velialinë” (2 Korinthianëve 6:15).
Janë dy “ushtri” të kundërta, ku njeriu nuk mund të marrë pjesë në të dyja. Përpjekja e kompromisit, për të dashur dhe gënjeshtrën dhe të drejtën, është fare e pamundur. Ashtu siç është e pamundur, që të duam dritën dhe errësirën, Krishtin dhe djallin. Nuk ka gënjeshtra të mëdha ose të vogla, të lejueshme ose jo. Për këtë arsye erdhi dhe Zoti ynë në tokë, ashtu si predikoi përpara Pilatit: “Unë prandaj linda dhe prandaj erdha në botë, që të dëshmoj të vërtetën” (Joani 18:37). Brenda një bote të rreme idhujsh, kompromisesh dhe korrupsioni erdhi Krishti ynë për të predikuar të vërtetën. Kur Pilati, i dyzuar në ndërgjegjen e tij, e pyeti Zotin: “kush është e vërteta?”, Krishti nuk i dha përgjigje, pasi ishte e vetkuptueshme. E vërteta jam unë! E vërteta është vetë Perëndia. E vërteta është akoma, një virtyt i madh, është një fuqi që takohet në jetën e besimtarit, që jeton me kosekuencë të krishterë çdo çast të jetës së tij – pikërisht ky është njeriu i lirë dhe i vërtetë. Prandaj dhe Krishti ynë na porosit: “Njiheni të vërtetën dhe e vërteta ka për t’ju çliruar juve” (Joani 8 32).
Zëri i Krishtit, zëri i së vërtetës, është e vetmja gjë që mund ta çlirojë njeriun nga të këqijat e tij. Dhe ashtu siç thotë shën Kirilli, fjala e së vërtetës është e mirëpritur nga ata që mësuan ta duan të vërtetën. Kurse me të tjerët nuk ndodh e njëjta gjë, pasi ata që kanë mendje difektoze e konsiderojnë të pështirë dhe të papranueshme të vërtetën. Megjithatë, në shpirtrat e atyre që e shohin emeton një shkëlqim mendor e qiellor dhe mbush me gëzim zemrat.
Le ta duam pra të vërtetën më shumë se çdo gjë. Duke dashur të vërtetën duam vetë Zotin dhe Perëndinë tonë. Dhe kjo dashuri hyjnore është ÇLIRUESE.
I.