EmailFacebookKontakt

Së bashku, aty ku u lind Zoti Jisu Krisht

Të ftuar nga Patrikana e Jeruzalemit, më 3 janar shkoi atje për kremtimin e Krishtlindjeve (sipas kalendarit të vjetër), edhe një delegacion i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i kryesuar nga Fortlumturia e Tij, Prof. Dr. Anastasi. Në përbërje të tij ishin Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani dhe Protopresviter Jani Trebicka.

Në 4 janar mbërritëm në Vendet e Shenjta. Ndaluam në Tel-Aviv dhe më pas me makina – drejt Jeruzalemit. Nuk mundet kurrë ta përshkruajë njeriu sa duhet, se ç’ndjen në Tokën e Shenjtë, në atë tokë, ku Shpëtimtari ynë Jisu Krisht u lind si foshnjë, u rrit, u pagëzua prej Shën Joanit, predikoi shpëtimin, mbretërinë e Qiejve, u kryqëzua për Shpëtimin tonë dhe u Ngjall pas tri ditësh.

Kudo u pritëm me shumë dashuri. Në qytet, kishin ardhur të gjitha përfaqësitë nga Kishat Orthodhokse të botës: Patriku Ekumenik, përfaqësuesi i Patrikanës të Aleksandrisë, i Patrikanës të Antiokisë, Patriku i Rusisë, Patriku i Rumanisë, Patriku i Serbisë, Patriku i Bullgarisë, Kryepiskopët e Greqisë, Qipros, Polonisë, përfaqësues të Kishës së Çekisë, Kryepiskopi Anastas i Shqipërisë. Ishin të pranishëm dhe mijëra priftërinj, murgj, si dhe pelegrinë.

Kishin ardhur edhe ish-presidenti i Rusisë Jelcin, presidentët e Ukrainës, Bjellorusisë, Moldavisë e Greqisë dhe qeveritarë nga shumë vende orthodhokse të botës.

Për nder të të ftuarve, gjatë ditëve të qëndrimit në Tokën e Shenjtë u dhanë pritje nga Patriku Diodor i Jeruzalemit, nga Presidenti i Izraelit, Presidenti Arafat, Kryetari i Bashkisë të Betlehemit etj.

Pas pritjes në Patrikanën e Jeruzalemit, shkuam drejt Kishës së Ngjalljes, ku u pritëm me Dhoksologji. Tek hyrja e Kishës ishte shtylla e çarë nga doli flaka e shenjtë, ku ndezi qiriun Patriku Orthodhoks, një vit që turqit nuk e lejuan ditën e Pashkës të merrte dritën e Shenjtë nga varri i Shpëtimtarit. Pak më brenda Kishës ishte pllaka e gurit, ku Josif Arimatheasi shtriu trupin e Jisuit kur e zbriti nga Kryqi.

Më brenda ishte varri i Zotit Krisht, për të cilin kujdeseshin murgj orthodhoksë. Sa hyje brenda, ishte një altar i vogël, ku sipas traditës thuhet se në u shfaq Engjëlli, që u lajmëroi grave Mirosjellëse Ngjalljen e Zotit. Më në brendësi, ku shpella zvogëlohej, ishte Varri i Shpëtimtarit. Ramë në gjunjë dhe u lutëm, atje ku ishte vendosur trupi i Zotit. Kënduam në të gjitha gjuhët “Krishti u Ngjall”. U këndua edhe në shqip – filloi Kryepiskopi Anastas dhe u pasua nga Imzot Joani e At Jani. Me dhoksologji hymë brenda në Kishën e Ngjalljes, e cila është brenda bazilikës shumë të madhe. Pastaj, po brenda Kishës, shkuam në Golgotha, tek vendi ku ishte vendosur Kryqi i Zotit.

Më datën 6, shkuam në Betlehem. Ishte një kremtim madhështor. Pas pritjes ceremoniale hymë në Kishën e Lindjes së Shpëtimtarit (hyrja ishte shumë e ulët, që sipas traditës, njerëzit të hynin brenda me përulësi).

Me radhë hymë poshtë ajodhimës, ku ishte shpella ku Lindi Shpëtimtari dhe grazhdi, ku u vendos si foshnjë. Lart në Kishë vazhdonte Liturgjia e Shën Vasilit, që bëhet bashkë me Mbrëmësoren në ditën e Krishtlindjeve dhe të Pashkës.

Ditën tjetër, më 7 janar, që me kalendarin e vjetër është 25 dhjetori, në Kishën e Lindjes së Shpëtimtarit u krye Liturgjia Hyjnore e Krishtlindjeve, ku mernin pjesë si bashkëcelebrues të gjithë Kryetarët e Kishave Orthodhokse.

Në këtë Liturgji Hyjnore të 2000-vjetorit të Lindjes së Zotit Jisu Krisht merrnin pjesë dhe Kryepiskopi Anatas dhe Imzot Joani.

Ditën tjetër vizituam Varrin e së Përmbishenjtës, bibliotekën e Patrikanës së Jeruzalemit, shkollën e Patrikanës në Sion, ku diku aty afër ishte dhe shtëpia e Shën Joan Theologut. Shkuam edhe në Jeriko dhe në Detin e Vdekur etj.

Të paharruara mbeten çastet kur Kryepiskopi Anastas u dekorua nga Patriku Diodor i Jeruzalemit dhe nga Presidenti Arafat, së bashku me gjithë Primatët e tjerë Orthodhoksë.

U larguam nga Jeruzalemi me gëzimin e papërshkruar që ndjen njeriu që ka vizituar Tokën e Shenjtë dhe me urimin që çdo i krishterë orthodhoks të ketë mundësinë për ta vizituar të paktën një herë gjatë jetës së tij.

Protopresviter Jani Trebicka