I lindur në Romë nga fis mbretëror, u arsimua gjerësisht në letërsi, filozofi, dhe mjekësi. Por shëronte me dhuntinë e tij çudibërëse – ishte çmimi i virtytit të tij – megjithatë ai si i përulur ia dedikonte gjoja shkencës së tij.
Prindërit i vdiqën shpejt. Pra, pasi dha lëmoshë pasurinë e tij të madhe, duke iu larguar famës së tij, u vendos në Konstandinopojë. Shtëpia e tij e vogël atje u shndërrua në ambulancë falas.
Shëroi gjithashtu një sëmundje të tmerrshme të perandor Justinianit I (527-565). Ai e kishte thirrur sepse kishte parë në ëndërr, të panjohurin deri atëherë, mjekun Samson. Shenjti nuk pranoi shpërblimet mbretërore të majme, por iu lut t’i ndërtojë një spital.
Me të vërtetë monarku mirënjohës, midis kishave të Shën Sofisë dhe Shën Irinit, ngriti një spital madhështor dhe të famshëm, “Spitalin e Samson Mikpritësit” siç e quajti. Mbajtjen e tij e siguroi nëpërmjet pronave të dhuruara. Oshënari e drejtoi atë deri sa fjeti. Shërbesa e varrimit u krye në kishën e shkëlqyer të Shën Mokiut (11 maj), që thuhet se ishte i afërmi i tij. Më parë ishte hirotonisur prift i Shën Sofisë prej patrikut shën Mina (25 gusht). Por, thuhet se patriku shërbeu si drejtor i spitalit ndërsa ishte akoma prift. Justiniani, për më tepër, e kishte ngarkuar Mikpritësin ruajtës të enëve të Kishës së Madhe d.m.th. të Shën Sofisë.
Ai bëri shumë çudira pas vdekjes. P.sh. u shfaq mbi çatinë që digjej të spitalit dhe shoi zjarrin; shfaqej në ëndrra edhe shëronte; rrahu rëndë një inferimer moskokëçarës të institucionit të tij, saqë i tmerruar erdhi në vete; shëroi një ushtarak kur i premtoi spitalit vajin e nevojshëm dhe u shfaq dhe e urtësoi kur harroi atë çka kishte premtuar; shëroi një ushtarak tjetër që i vinte keq, sepse duke qenë në prag të vdekjes, nuk do të shkonte në panairin e shenjtit dhe përfundimisht çdo vit në përkujtimin e tij varri lëshonte miro.
Samson, në gjuhën hebraike dhe babilonase do të thotë diell.