Redaksisë së gazetës “Albania”
Lidhur me shkrimin me titull “Kërcënohet me vdekje prifti i Elbasanit”, që botua në numrin e datës 5 dhjetor, jemi të detyruar të deklarojmë se:
Thëniet për “eleminim fizik” ndaj N. Markut dhe “rrëmbimit të fëmijëve” janë sajesa të pabazuara, qesharake dhe keqdashëse të vetë atij, për të akuzuar persona të pafajshëm dhe për të krijuar një perde tymi për veprime të tjera arbitrare të tij. Ai përpiqet të shpifë kundër të tjerëve për akte që vetë ai i kishte zakon në të kaluarën, duke u bërë kërcënime dhe presione të shpeshta klerikëve kanonikë orthodhoksë dhe besimtarëve që i janë kundërvënë etj., i ndihmuar atëherë në këto veprime nga qendra konkrete të pushtetit. Konkretisht, pa pasur asnjë të drejtë pronësie, ai iu dha me “qera” privatëve ndërtesën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për restaurimin e së cilës Kisha jonë shpenzoi 11 milionë lekë të reja, për ta përdorur për qendër kulturore, klinikë, kopsht fëmijësh etj., për të cilat ka aq shumë nevojë Elbasani.
Në vendin tonë ekziston vetëm një Kishë Orthodhokse – “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”. Vetëm ajo njihet nga shteti dhe respektohet në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, si një trup i gjallë krijues, me një kontribut të çmuar në shoqërinë shqiptare. Nikolla Marku, sado tituj që t’i japin gazetarë që nuk kanë të bëjnë fare me çështjet fetare (p.sh. “primat”!), nuk është prift kanonik orthodhoks. Ai nuk njihet as nga Komuniteti Orthodhoks dhe nga asnjë komunitet tjetër fetar i Shqipërisë, si dhe nga asnjë Kishë Orthodhokse e botës. Shërbesat fetare dhe çdo akt tjetër që mund të kryejë, duke veshur abuzivisht rrobën e klerikut (sa herë e vesh), si pagëzime, martesa etj., nuk kanë dhe nuk kanë për të pasur asnjë vlerë kanonike dhe kështu, persona të mashtruar do të jenë të detyruar t’i përsërisin ato.
Shprehim dëshirën dhe bindjen se në të ardhmen do të jetë e vërteta ajo që do të karakterizojë informacionet tuaja në lidhje me Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë.
Dt. 6 dhjetor, 1997
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë