Patriku i Moskës dhe gjithë Rusisë, Aleksej II, kreu shërbesën e Ngjalljes në Kishën Katedrale të Moskës, në prani të besimtarëve të panumërt. Në mesazhin e Pashkës drejtuar besimtarëve, Patriku Aleksej i përshëndeti të gjithë me rastin e ngjarjes së gëzueshme dhe shpëtimtare të Ngjalljes, e cila “transfiguron të gjithë dhe çdo gjë”. Pashka është rasti të kuptojmë sensin më të thellë të fitores së të Kryqëzuarit dhe të Ngjallurit Krisht mbi vdekjen dhe burimi i çdo pajtimi dhe masa e paqes, – theksoi Patriku.
Patriku Aleksej i kushton një vëmendje të veçantë përvjetorit të mbarimit të Luftës së dytë Botërore dhe fitores së forcave aleate mbi Gjermaninë naziste më 1945 dhe iu referua konflikteve bashkëkohore në vende të ndryshme të ish-B.S-së. Ai u bëri thirrje besimtarëve “të bëjnë çdo gjë që varet nga fuqia e tyre për të ndërtuar një shoqëri të gjallë, …pa dhunë, gjakderdhje dhe vuajtje”.
Patriku shprehu nderimin dhe mirënjohjen ndaj viktimave dhe veteranëve të luftës të të gjithë kombësive, që me kaq trimëri mbrojtën Atdheun e tyre dhe theksoi se do të ndërtohen tri kisha të reja, si pjesë e kujtimit dhe lutjeve që do të shënojnë përvjetorin. Patriku drejtoi gjithashtu thirrje për një përpjekje të përbashkët të të gjithëve për të gjetur zgjidhje paqësore dhe pozitive në problemet e thella me të cilat ndeshen vendet e ish-BS-së.
Në shërbesën e Ngjalljes mori pjesë edhe Kryeministri i Federatës Ruse, Viktor Cernomirdin.
Ditën e dytë të Pashkës, në të cilën u kremtua Shën Gjergji, në shërbesën e kryer nga Patriku Aleksej mori pjesë edhe Presidenti rus Boris Jelcin. Pas Liturgjisë Hyjnore, në prani të shumë besimtarëve, midis të tjerash, Jelcini iu drejtua rusëve që të përqafojnë Kishën Orthodhokse.
SOP-i