Lexuam artikullin në gazetën “Koha Jonë” të datës 5 tetor 1997, të gazetarit G. Ashimi, me titull: “Çështja e Mitropolitit “trazon” qytetin e Korçës”?! Nuk kuptojmë pikësynimin e artikullshkruesit dhe në lidhje me shkrimin e mësipërm konstatojmë se:
Për problemin që ngrihet nuk ka pasur dhe s’ka pse të ketë “trazira” ndërmjet besimtarëve orthodhoksë të dioqezës së Korçës.
Dioqeza jonë ka organizmat e saj, që drejtojnë punët e shumta e të vështira, të RINGJALLJES, duke zbatuar rregulloret e caktuara nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
– Ardhja e Mitropolitit në dioqezën e Korçës, i emëruar nga Patrikana Ekumenike, është një problem shumë i njohur, e i sqaruar prej kohësh, në të gjithë dioqezën, për të gjithë besimtarët e saj, nga vetë Kryepiskopi Anastas.
– Urtësia e largpamësia e Fortlumturisë së Tij Anastas, është shumë e qartë. Rruga e zgjidhjes për ne besimtarët e dioqezës së Korçës, është rruga zyrtare, rruga e bisedimeve të frytshme e serioze ndërmjet qeverisë shqiptare, të dërguarve të Patrikanës Ekumenike dhe Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Insituatat e bëra në artikull nëpërmjet G. Ashinit për këtë problem, nuk përfaqësojnë besimtarët e dioqezës së Korçës dhe organizmat që e drejtojnë atë. Vepra e Kryepiskopit Anastas, në krye të KOASH-it, është e përmasave tepër të mëdha dhe nuk do të lejojnë nëpërkëmbjen e Tij nga disa persona, të cilët nuk përfaqësojnë asgjë.
– Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe dioqeza e Korçës, bashkë me organizmat e saj, nuk ka në përbërje të saj “qarqe të caktuara”, por besimtarë e qytetarë shumë të edukuar, të përkushtuar në besimin e tyre, që zbatojnë rregulloret e KOASH-it në dioqezë, respektojnë organizmat drejtuese të dioqezës, respektojnë dhe mbrojnë autoritetin e padiskutuar të Hirësisë së Tij, Kryepiskopit Anastas.
Nga një grup besiintarësh e besimtaresh të dioqezës Korçë
Shënim: Artikulli nuk u botua nga “Koha jonë”.