EmailFacebookKontakt

Rreth 200 fëmijë e të rinj dërgohen me pushime jashtë shtetit

Me iniciativën dhe interesimin e drejtpërdrejtë të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit, mbi 200 fëmijë e të rinj, djem dhe vajza, të ndarë në tre turne, u dërguan për të kaluar pushimet në një shtëpi pushimi pranë qytetit bregdetar të Volosit e në qytete të tjera në Greqi dhe në Qipro.

Në këto kontingjente bënin pjesë kryesisht fëmijë e të rinj të moshave 10-20 vjeç, të cilët gjatë këtij viti kanë marrë pjesë në kurset e katekizmit dhe janë aktivizuar në grupet korale të kishave e në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Vlorë, etj.

Gjatë qëndrimit në shtëpitë e pushimit fëmijëve e të rinjve iu krijuan kushte të lirë për pushime dhe ata i kaluan ditët duke u larë në det, duke bërë gara noli dhe lojra të ndryshme futbolli, basketbolli, volejbolli etj. së bashku me pushuesit e tjerë nga vende të ndryshme.

Pas kthimit nga pushimet, të gjithë pa përjashtim, fëmijë e të rinj kanë shprehur kënaqësinë e tyre për kushtet e mira të fjetjes, të ushqimit e të argëtimit që iu krijuan në kampe dhe kanë shprehur falenderimin e tyre për Kryepiskopin Anastas.

Mendohet që pushime të tilla të organizohen edhe në të ardhmen.

Spiro Gjergji