EmailFacebookKontakt

Rivendosja e ikonave

“Dit’ e Konizmave, na driti o besnikë, u shua herezia, dhe triumfoj me bujë, doktrin’ e Orthodoksëve” – nga Thirrtoret e së kremtes së restaurimit të Ikonave të Shenjta, që u bë prej perandorit të kujtuarshëm të Konstandinopojës, Mihailit, dhe nënës së tij, Theodhorës, kur ishte Patriark shën Metod Konfesori.

Ikonoklazma ishte një lëvizje që iu kundërvu përdorimit të ikonave në besimin e krishterë dhe krijoi një konflikt e përçarje të madhe në botën e krishterë, gjatë viteve 726-843. Ajo pati pasoja të thella politike e sociale dhe la gjurmë të pashlyeshme në sferën kulturore dhe artistike. Shumë ikona u shkatërruan, pikturat murale u mbuluan dhe mbrojtësit e ikonave (ikonodulët) u përndoqën e u torturuan. Mosmarrëveshjeve fetare iu shtuan edhe tjetërsimet politike. Në vitin 732, Perandori ikonoklast, Leoni III, i shkëputi Kishës së Romës krahinat e Kalabrisë, Sicilisë dhe të gjithë Ilirikut, duke i vendosur ato në juridiksionin kishtar të Patriarkanës së Konstandinopojës.

Është e vështirë të flasim për përmasat e përfshirjes së trevave arbërore në lëvizjen ikonoklaste. Përveç Mitropolitit të Durrësit, Niqiforit, nuk kemi dijeni nëse ka pasur peshkopë të tjerë nga krahina e Ilirikut, që morën pjesë në Sinodin e Hierias, i cili u mblodh më 754 nga perandori Kostandini V dhe ndaloi përdorimin e ikonave. Sidoqoftë, ekzistenca e një numri të konsiderueshëm vulash me dekorime anikonike nga kjo zonë, na lejon të supozojmë se pas vitit 732 këtu ishin emëruar mitropolitë ikonoklastë. Me këtë mënyrë, pushteti qendror ikonoklast i Bizantit arrinte të vendoste nën kontrollin e tij seli peshkopale me rëndësi të veçantë.

Për rezistencë ndaj kësaj lëvizjeje flasin dy letrat e mendimtarit të shquar dhe teologut të njohur bizantin Theodhor Studiti, dërguar Mitropolitit të Durrësit, Andonit, në çerekun e parë të shek. IX, nga të cilat kuptohet se në këtë qytet ka ikonodulë, ashtu siç ka edhe ikonoklastë, me sa duket, dëshmi e lidhjeve politike, ushtarake dhe administrative të qytetit të Durrësit me Konstandinopojën.

Politika agresive ndaj ikonave u ndalua përkohësisht nga perandoresha bizantine Irena, e cila mblodhi më 787, në Nike, Sinodin VII Ekumenik, që vendosi restaurimin e kultit të ikonave. Në këtë Sinod mori pjesë Mitropoliti i Durrësit, Niqifori, i cili nënshkroi aktet sinodike si “peshkopi i Durrësit… krahinës së ilirikasve”, si dhe peshkopi Athanas i Nikopojës. Triumfi përfundimtar i ikonave do të shënohet në vitin 843, nga perandoresha bizantine Theodhora. Pas mbizotërimit të ikonave, brenda kishave sanksionohet edhe vendosja e një ikonostasi tashmë të lartësuar, me ikona të mëdha të vendosura në hapësirat mes kolonave, duke krijuar një ekran solid, ikonostasin që njohim sot në kishat orthodhokse.

Ky triumf kremtohet prej shekujsh të Dielën e Parë të Kreshmës, në të gjitha kishat orthodhokse të botës dhe të vendit tonë, me ikona në duar, sipas traditës shekullore.

Andrea Rembeci

Marrë nga faqja e Mitropolisë së Elbasanit