EmailFacebookKontakt

Riparohet kisha “Profiti Ilia” në Lekël

Fshati Lekël ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Tepelenës, në një faqe mali 800 metra mbi nivelin e detit. Ai ka pasur një traditë të shquar besimi orthodhoks, dëshmuar nga 9 kishat e tij, nga të cilat ekzistojnë ende një e plotë dhe një në gjendje gjysmë të rrënuar.

Kisha e Shën Ilisë është ngritur në periudhën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Sipas të thënave dhe arkitekturës, mendohet se ajo është ndërtuar në pjesën e dytë të shek. XVIII. Gjatë periudhës së ateizmit shtetëror ajo u mbyll dhe më pas shërbeu si qendër kulture.

Kisha është e tipit bazilikë, me tri nefe dhe ka përmasa 14.5×10.7 metra. Ka 15 kupola, me formë gjysmësferike. Në anën lindore ka tri absida, me nike me gurë të skalitur. Në anën perëndimore ndodhet gjinekoniti, që ka shërbyer edhe si dhomë pagëzimi. Në periudhën kur kisha u mbyll ai u kthye në furrë buke. Ndërsa në anën veriore ishte bërë një shtesë, që shërbente si ambulancë dhe ku tani do ndërtohet hajati i kishës.

Në 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar aty filluan punimet për një rikonstruksion themelor, që synon sa riforcimin e strukturës aq edhe riparimin tërësor të të gjitha mjediseve.

D. Skënderi