Edhe sivjet, me rastin e Pashkëve 2021, Zyra e Rinisë pranë Kryepiskopatës, për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë, organizoi dhe përfundoi dy nisma bamirësie për familje në Gramsh, Gjinar dhe Zavalinë.
Kështu, nisma e parë e quajtur “Familjet Orthodhokse për familjet në nevojë”, u organizua në formë binjakëzimi ndërmjet familjesh, ku familje në Tiranë zgjodhën dhe kompletuan vetë pako ushqimore për një familje tjetër në Gramsh, me ushqime bazë të shportës. Brenda një kohe fare të shkurtër u përgatitën dhjetëra pako ushqimore, të cilat iu dorëzuan familjeve në nevojë.
Nisma e dytë konsistoi në përgatitjen e 46 pakove të tjera ushqimore për familje të zonave të thella malore, në Gjinar dhe Zavalinë të Elbasanit. Kjo nismë u mbështet financiarisht nga besimtarë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit.
Përgatitja dhe shpërndarja e pakove u krye në datën 22 prill, nga stafi i Zyrës së Rinisë, duke bashkëpunuar me klerikë të Mitropolisë së Elbasanit.
Zoti i Ngjallur dhe Drita e Ngjalljes, ndriçoftë dhe bekoftë duart që dhurojnë dhe japin gëzim në sytë e atyre që vuajnë!
Jani Meni
Koordinator i Zyrës së Rinisë