“Ja, tek kam vënë përpara teje një derë të hapur dhe askush nuk mund ta mbyllë atë, sepse… e ruajte fjalën time dhe nuk mohove emrin tim.” (Zbulesa 3:8)
10 vjet më parë, pas një periudhe tepër të errët të ateizmit shtetëror, rinisnin nga funksionimi ato pak objekte kulti, që kishin mbetur ende në këmbë. Por, drita e lirisë ndriçoi në radhë të parë gërmadhat e shumta që la pas diktatura, gërmadha shpirtërore e materiale. Për afro gjysmë shekulli kishin shkatërruar dhunshëm të gjitha institucionet dhe shkollat fetare; ishin konfiskuar pronat Kishtare dhe ishin ndërprerë lidhjet me Kishat Orthodhokse motra. Por, megjithë këtë luftë, besimi tek Zoti kishte mbetur i gjallë në shpirtin e popullit; kjo edhe me sakrificën e martirëve të shumtë, klerikë e laikë, që u burgosën, u pushkatuan, u përndoqën, por s’e mohuan Perëndinë.
Pas gjithë këtij persekutimi, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ishte e detyruar t’i hidhte hapat e para me vetëm 15 klerikë në moshë mjaft të shkuar, nga mbi 300 që ishin në vitin 1967 dhe pa as edhe një episkop. Nuk ishte në disponimin e saj pothuaj asgjë nga godinat e pasuritë e 4 mitropolive, qindra kishave dhe disa dhjetëra manastireve etj. Por nuk mungonte dëshira dhe entuziazmi për të ringritur gjithçka tek besimtarët, numri i të cilëve shtohej çdo ditë.
Baza e kësaj ringjalljeje vërtet të mrekullueshme u bë vënia në krye të Kishës sonë e një personaliteti shumë të njohur në gjithë botën Orthodhokse dhe më gjerë, si studiues e misionar, Fortlumturisë së Tij, Akademik Prof. Dr. Anastasit, vepra e palodhur dhe me përkushtim të plotë e të cilit mundësoi arritjet që shohim dhe jetojmë.
Përmbledhtas, disa nga aspektet e kësaj ringjalljeje të jashtëzakonshme, me ndihmën e pakursyer të Perëndisë, janë:
1. Janë rikrijuar enoritë orthodhokse në shumicën e qyteteve e komunave e në qindra fshatra. Po zhvillohet puna liturgjike, predikuese dhe katekiste me pjesëmarrjen e klerikëve dhe të laikëve. Janë organizuar Shoqatat e Grave, Rinisë dhe Intelektualëve Orthodhoksë, të cilat ndihmojnë në veprën kishtare.
Etapat më themelore në ringjalljen e Kishës sonë, ishin Fronëzimi i Kryepiskopit Anastas, më 2 gusht 1992, dhe krijimi në korrik 1998 i Sinodit të Shenjtë.
2. Që nga viti 1992 funksionon pa ndërprerje Akademia Teologjike Orthodhokse “Ngjallja”. Janë hirotonisur mbi 110 klerikë të rinj, të gjithë me arsim të mesëm ose universitar dhe me studime shtesë trevjeçare në Akademinë Teologjike. Në shtator 1998 nisi në Gjirokastër funksionimi i Shkollës së Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”. Mjaft të rinj kanë mbaruar jashtë shkolla të larta Teologjike ose janë duke studiuar.
Gjithashtu, janë ngritur dhe funksionojnë kopshte fëmijësh në 8 qytete. Në shumë zona e qytete janë ngritur qendra rinore, ndërsa gjatë verës organizohen kampingje për të rinj në mjediset e manastireve “Fjetja e Perëndilindëses”, në Zvërnec dhe “Shën Joan Vladimir”, pranë Elbasanit etj.
3. Po zhvillohet një punë e gjerë ndërtimore, të cilën e koordinon Zyra Teknike e Kishës. Kështu, janë ngritur nga themelet 74 kisha, janë restauruar 5 manastire dhe 65 kisha – monumente, ndërsa janë riparuar mbi 130.
Janë ndërtuar ose rikonstruktuar edhe mbi 20 ndërtesa të mëdha për Akademinë Teologjike, Shkollën e Mesme Kishtare, për Kryepiskopatën, 3 Mitropolitë, për Qendrën Diagnostikuese, klinika, shtëpi pritjeje, shkolla dhe kompleksi i punishteve të Kishës, “Nazareti” etj.
4. Me Zyrën e vet Juridike, Kisha përpiqet për kthimin e pasurisë së saj, e cila është shtetëzuar gjatë periudhës së persekutimit, çështje e cila fatkeqësisht nuk ka ende një zgjidhje të drejtë. Me kthimin e pronave mbetet e lidhur edhe fuqizimi ekonomik i Kishës sonë dhe arritja e një mëvetësie substanciale të saj.
5. Një sektor tjetër i zhvilluar, pas një ndërprerje 50-vjeçare, është ai i botimeve. Kështu, është bërë ribotimi i librit të Shërbesave të Shenjta, si dhe bashkëpunim me Shoqërinë Biblike ndërkombëtare, është bërë ribotimi i Ungjillit sipas përkthimit të Kristoforidhit etj. Në shtypshkronjën e Kishës botohet gazeta e përmuajshme “Ngjallja”, revista për fëmijë “Gëzohu”, buletini në anglisht “News from Orthodoxy in Albania”, libra të ndryshme fetare etj.
6. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë merr pjesë sot si e barabartë në të gjitha veprimtaritë e Kishave Orthodhokse të botës dhe janë zhvilluar vizita zyrtare në disa Patriarkana e Kisha Autoqefale. Gjithashtu, Kisha jonë është anëtare e Konferencës së Kishave Evropiane, si dhe e Këshillit Botëror të Kishave, si dhe ka marrë pjesë në shumë veprimtari të rëndësishme ndërfetare, ku ka dhënë një kontribut gjithnjë në rritje.
Në nëntor të vitit 1999, Kisha e Shqipërisë përjetoi bekimin e vizitës së Tërëshenjtërisë së Tij, Patrikut Ekumenik Vartholomeu I. Kjo ishte historikisht vizita e parë e një Primati Orthodhoks në vendin tonë.
7. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë luan një rol të rëndësishëm e aktiv në zhvillimin e gjithë vendit. Janë zhvilluar programe rurale për ujësjellësa, të higjienës dhe ekonomisë familjare, ndërtimit e riparimit të rrugëve etj.
Kisha Orthodhokse ofron ndihmën e saj edhe për nevoja të tjera të ndryshme, si në shkolla, jetimore, spitale, Shtëpinë e të verbërve dhe institucioneve të tjera bamirëse. Ajo kontribuoi në riparimin e ndërtesave të shkatërruara të Universitetit Bujqësor të Tiranës, pajisi me mobilje ndërtesën e re të Universitetit të Gjirokastrës etj.
Ndihmesë e veçantë është dhënë edhe në fushën e shëndetësisë. Kështu, në Tiranë funksionon në një ndërtesë moderne Qendra Diagnostikuese “Ungjillëzimi”, që ka parametra shërbimi nga më të përparuarit e kohës. Poliklinika ka edhe në Kavajë, Lushnjë, Korçë.
Kisha jonë ka zhvilluar një punë të gjerë shoqërore dhe humanitare, veçanërisht në periudha krizash (1992, 1994, 1997). Me sektorin e posaçëm, Zyrën “Shërbimi i Dashurisë”, por edhe me mënyra të tjera, ajo ka grumbulluar e ka shpërndarë mijëra ton ushqime, veshmbathje, ilaçe; u ka dhuruar materiale spitalore institucioneve të ndryshme bamirëse shqiptare etj.
8. Në mars 1999, në Kosovë shpërtheu kriza më e madhe që kishte parë Ballkani i pasluftës. Dhuna solli në vendin tonë rreth 500 mijë vëllezër nga Kosova, kryesisht të moshuar, gra e sidomos fëmijë. Menjëherë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nëpërmjet personit të Kryepiskopit Anastas, apeloi për ndihmë imediate pranë gjithë organizatave e kishave të krishtera, me të cilat e lidhte një praktikë e gjatë pune në krizat që edhe më parë kishte kaluar vendi. Punë e përbashkët që kishte bërë të njohur botërisht aftësitë e Kishës sonë për të kontribuar me efikasitet në kapërcimin e tyre.
Që në mars filloi ngritja e strukturave dhe u hartuan projektet e programet, që u bënë plotësisht operative ditët e para të prillit 1999. Për të drejtuar aktivitetin u krijua një njësi e posaçme nga Zyra “Shërbimi i Dashurisë” dhe ACT, Zyra që mbulon emergjencat në Këshillin Botëror të Kishave.
– Kështu, në kuadrin e kësaj ndihme u shpërndanë 220 tonë ushqime, në zona të ndryshme të vendit.
– U bë mbështetja humanitare me ushqime, veshje etj., për mbi 20 mijë kosovarë të strehuar nëpër familje.
– U ngrit një kamp plotësisht funksional, me kushte për dimërim, për më shumë se 1300 të ardhur dhe ishin në proces, për t’u vënë në punë nëse kriza do vazhdonte, disa kampe të tjera, me kapacitet 15 mijë vende.
– Me kthimin e të ardhurve në vatrat e tyre, programi vazhdoi edhe në Kosovë, duke çuar atje mbi 1500 tonë ndihma humanitare, shtëpi të prefabrikuara etj.
– Kisha jonë kujdeset sot për një kamp me kushte mjaft të mira strehimi, atë Olimpia në Tiranë, ku janë të vendosur një numër të ardhurish, që e kishin të pamundur kthimin.
Ndërkohë, sipas një programi të detajuar, vetëm në vitin në vazhdim do të bëhet rehabilitimi i 7 shkollave dhe 3 kopshteve, që u dëmtuan gjatë përballimit të krizës.
Këto programe kapin shifrën rreth 10 milion dollarë.