EmailFacebookKontakt

Rindërtimi i Katedrales madhështore ‘Burimi Jetëdhënës’, Korçë – Vepër e komunitetit

Pas Pashkës së vitit 2019, me iniciativën e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit, tashmë Kryepiskop i Shqipërisë, filloi rindërtimi i Kishës “Burimi Jetëdhënës”, e njohur gjerësisht nga qytetarët si Mitropolia e Korçës. Qëllimi i iniciativës ishte rikthimi i memories historike të qytetit, por edhe një vlerë shpirtërore e shtuar për të, duke synuar ndërtinim me të ardhura të brendshme nga komuniteti i Korçës.

Tashmë, rindërtimi nga themelet ka hyrë na fazën përfundimtare dhe është dëshmi konkrete se bashkimi i komunitetit mund të sjellë realizimin e veprave madhore.

Katedralja madhështore ndodhet në qendër të qytetit të Korçës, pranë Selisë së Mitropolisë dhe është një prej monumenteve më përfaqësuese të trashëgimisë orthodhokse. Ajo është ndërtuar në fillimet e shekullit të 18-të dhe ka qenë për një kohë të gjatë qendra shpirtërore e qytetit, simbol identiteti dhe kujtesë për breza të tërë.

Pas viteve të përdorimit si muze dhe ndërhyrjeve të ndryshme strukturore, sot Kisha “Burimi Jetëdhënës”, po rikthehet gradualisht në pamjen dhe misionin e saj të hershëm. Përgjatë procesit të rindërtimit, është treguar kujdes i veçantë për të ruajtur identitetin origjinal të kishës, duke respektuar elementët arkitektonikë që e kanë karakterizuar ndër shekuj. “Pa dyshim që kjo është një vlerë që rikthen memorien historike të qytetit, por edhe një vlerë shpirtërore e shtuar për të, aq më tepër kur financohet nga kontribute të brendshme.

Kolonat rrethore janë ruajtur në formën e tyre origjinale. Dikur ishte një lloj ndërtimi tjetër, kryesisht me strukturë druri dhe pak beton. Sot struktura është beton, por fizionomia e objektit ka mbetur e njëjtë. Ikonostasi i kishës është punim shumë i bukur në dru, që daton rreth viteve 1720. Ai është një vlerë e papërsëritshme dhe kudo ku është ekspozuar ka lënë mbresa. Gjatë këtyre viteve janë mbledhur edhe objekte të tjera kishtare, kryesisht ikona.

Në përfundim të punimeve, ballkoni mund të shërbejë si një ekspozitë. Rindërtimi i kësaj katedraleje, ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të qytetit, edhe pse ka kosto të larta, është një investim i domosdoshëm, si për komunitetin orthodhoks, edhe për turizmin kulturor në Korçë.