Përmet
Ditët e fundit, komuniteti orthodhoks i Përmetit po përballet edhe një herë me një padrejtësi 9-vjeçare. Eshtë fjala për një urdhër të Përmbarimit, i cili kërkon të shpronësojë përsëri kishën “Lindja e së Tërëshenjtës”, e cila ndodhet në qendër të qytetit (e njohur si “Shën Maria e Pazarit”). Në vitet ’30-të ajo ishte rikonstruktuar plotësisht me kontributin e orthodhoksëve përmetarë, ndërsa monizmi e adaptoi në shtëpi kulture, si shumë godina të tjera kulti (pretendohet se shtëpia e kulturës u ndërtua nga themelet, por muret e trasha, dritaret me qemere tipike të kishave apo ajodhima e kthyer në skenë, dëshmojnë të kundërtën…). Por, ndryshe nga dhjetëra raste të tjera të ngjashme në të gjithë vendin, ku ritet fetare kanë një dekadë që po kryhen përsëri, për këtë kishë u kalua dhe vazhdon të përjetohet një maratonë ligjore e stërzgjatur dhe absurde, që u duk e mbyllur përfundimisht në vitin 2000, me vendime të të gjitha shkallëve.
Dhe, kur dukej se më në fund çdo gjë ishte zgjidhur, gjykata e shkallës së parë rihapi një proces tjetër, kësaj radhe me palë drejtorinë e kulturës të qytetit, proces i cili në mënyrë të habitshme konkludoi që kisha duhej t’i rikthej shtetit. Ai u zhvillua mbi bazë argumentash të stisura, që nuk merrnin parasysh faktet dhe dokumentet, që kishte pranuar më parë gjyqësori në të gjitha shkallët.
Por, organet e pushtetit të Përmetit, pa pritur përfundimin e gjykimit, iu drejtuan Përmbarimit, për të nxjerrë forcërisht nga godina e saj Kishën. Dhe jo vetëm atë, por edhe veprimtaritë e organizuara në ndihmë të qytetarëve përmetarë nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, si: kurse për rininë, një kopsht me 45 fëmijë, park lojërash etj., ndërkohë që më parë aktivitetet “kulturore” që zhvilloheshin aty ishin vetëm bilardoja e lojërat e fatit (pa përmendur kioskat, që kanë zënë truallin).
Kjo kërkesë absurde, të cilin Përmbarimi kërkoi ta zbatonte me shpejtësi të pazakontë (i ndikuar edhe nga ndërhyrje të drejtpërdrejta politike), i revoltoi dhe i ngriti besimtarët përmetarë në protestë, ndërsa 12 nga ata u vendosën në mjediset e kishës, për të zhvilluar një lutje të pandërprerë dhe kreshmë të plotë, që Perëndia të ndriçojë mendjet e atyre, që kërkojnë të na rikthejnë vitin 1967. Ata i bëjnë apel të gjitha organeve tona shtetërore dhe ligjore, për të vënë në vend drejtësinë e munguar dhe për të dëshmuar se ky vend akoma ka dëshirë e ligje për të shkuar drejt Evropës.
Gjthashtu, kjo mënyrë të gjykuari e vepruari, mund të shihet e konsiderohet vetëm si një sfidë e re, që i bëhet lirisë kaq të proklamuar fetare në vendin tonë, sepse edhe kësaj radhe janë organe shtetërore, të cilat në vend të kthejnë e dëmshpërblejnë atë që shkatërroi regjimi komunist, shfaqin e veprojnë me të njëjat mentalitete ateiste dhe përçmuese ndaj besimit.
Sepse, në fund të fundit, kjo, më shumë se një çështje ligjore, sot kur flitet me të madhe për kthimin e pronave, është një çështje politike: pro ose kundër rivënies në vend të atyre të drejtave, që u shkelën me këmbë deri në vitin 1990.
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Tiranë, 20 mars 2003