Më 29 janar 2026, Kryepiskopi Joan u prit në Ministrinë e Kulturës nga Ministri z. Blendi Gonxhja. Gjatë takimit, në fjalën e tij, ministri theksoi: “Kam kënaqësinë të mirëpres një vizitor të veçantë në Ministrinë tonë, Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin Joan. Për një arsye sa kulturore dhe shpirtërore. Falë një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, u bë i mundur shpëtimi nga trafikimi i pasurive me vlera kulturore kombëtare. Ekspertët identifikuan 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, të cilat sot po i rikthehen Kishës Orthodhokse pas 14 vitesh mungesë. Jo vetëm u “shpëtuan” nga trafikimi pasuritë kulturore, por është edhe një shembull shumë domethënës suksesi, i cili dëshmon qartë sesa jetik është regjistrimi i pasurive kulturore si mjeti i vetëm dhe i besueshëm për identifikimin e origjinës së tyre, në rastet kur ato rrezikojnë të trafikohen apo humbasin. Ky rikthim nuk është vetëm një akt ligjor, por një akt drejtësie historike dhe shpirtërore…”.
“Jam i gëzuar që ndodhem këtu, për rikthimin e një pjese shumë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, – tha në fjalën e tij Kryepiskopi Joan. Dua të falënderoj të gjithë ata njerëz që i gjetën dhe i mblodhën 10 ikona shumë të bukura dhe shumë të rëndësishme për historinë tonë, dhe sidomos jam shumë mirënjohës ndaj Ministrit, i cili pati angazhimin, dëshirën për t’ia kthyer përsëri Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ne jemi të gjithë të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë e këtë identitet dhe kjo është një nga pasaportat tona edhe për identitetin tonë europian, e të kulturës europiane. Besoj se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tej për të mirën e të gjithëve. I falënderoj të gjithë edhe njëherë ata persona të cilët i gjetën dhe i kthyen përsëri në vendin e tyre këto ikona kaq shumë të rëndësishme”.
Biseda me Kryepiskopin Joan u ndal edhe në restaurimin dhe ruajtjen e kishave dhe manastireve që janë monumente kulture. U diskutua harta e gjerë e punëve në territor si dhe mundësitë e bashkëpunimit sa më të ngushtë për mbrojtjen më efikase të trashëgimisë. Fortlumturia e tij, Kryepiskopi Joan shprehu mirënjohjen ndaj Ministrit për aktin e kthimit të ikonave dhe për vijimin e punëve të tjera konkrete.