Pas disa vitesh ndërprerjeje, për shkak të pandemisë, sivjet rinisi edhe kampi për studentët në Manastirin e Shën Theodhorëve, pranë Dhërmiut. Me bekimin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas, ai u zhvillua nga 21-27 gusht 2023. Si dhe kampet e tjera për grupmosha më të reja, ai u zhvillua në vazhdën e traditës së bukur të edukimit të krishterë, pasi kampet shërbejnë edhe si shkolla katekizmi dhe adhurimi.
Qëllimi i organizmit të tij ishte:
1. Përjetimi i mësimit të Zotit tonë Jisu Krisht dhe Kishës së Tij të Shenjtë
2. Miqësia e krishterë
3. Jeta në një komunitet dashurie
4. Lutja dhe adhurimi
5. Ofrimi i dijes shpirtërore, edukimi me etikën e krishterë.
***
Programi i kampit fillonte me shërbesën e Mëngjesores, ku në fund mbahej nga klerikë, teologë apo dhe katekistë komenti dhe shpjegimi i pjesës së Ungjillit të ditës. Gjithashtu, çdo pasdite, para lutjeve të Mbrëmësores, programi i kampit ofronte për të rinjtë takimin e përbashkët për temat shpirtërore, të mbajtura nga të ftuar të veçantë, klerikë ose teologë të kishës sonë. Risia në këtë kamp ishte edhe mbajtja e temave historike dhe kulturore, ku kampistët u njohën me vlerat historike, shpirtërore dhe kulturore që ka përcjellë Krishterimi Orthodhoks në Shqipëri nëpërmjet adhurimit, traditave kishtare, arkitekturës, ikonografisë, etj.
Të rinjtë u njohën edhe me vitet e errëta të mbylljes dhe shkatërrimit të kishave, dhe njëherësh edhe nevojën e mirëmbajtjes së tyre, duke sjellë ndërmend shembullin e Kryepiskopit Anastas, falë të cilit u rindërtuan qindra kisha e manastire, përfshirë edhe manastirin e shën Theodhorëve, ku u zhvillua kampi.
Bukuritë natyrore, deti, pylli, kanionet dhe mali iu jepnin mundësi të rinjve që në kohën e tyre të lirë të bënin alpinizëm, not, lojëra sportive, shëtitje etj., duke pushuar kështu jo vetëm shpirtërisht përgjatë 7 ditëve të kampit, por edhe fizikisht.
***
Shkëputëm disa nga mbresat e të rinjve për ditët që kaluam në këtë manastir të shenjtë:
“…Do të doja të veçoja temat e veçanta shpirtërore të mbajtura nga teologët dhe klerikët e nderuar për përmbajtjen frymëzuese, si dhe dokumentarët e përzgjedhur.
Gjithashtu dhe miqësimin dhe harmoninë mes kampistëve. (Alfredo Koroveshi)
“Lavdi Zotit, ia kaluam shumë mirë edhe organizimi ishte mjaft i arrirë”. (Markel Prifti)
“Më pëlqeu programi i mbrëmjes i filmave/dokumentarëve të përzgjedhur, bisedat me teologët e klerikët, plazhi, koha që kalonim me djemtë e dhomës, pozitiviteti nga kujdestarët etj. Ju jam shumë mirënjohës që më pranuat në kamp”. (Flavio Vladimir Zhusti).
“Në kamp ia kalova shumë mirë. Nuk kishte asgjë që nuk më pëlqeu lidhur me organizimin dhe shpresoj që të zhvillohen përsëri kampe vitet e ardhshme.
I jam shumë mirënjohës Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, që mundësoi zhvillimin e këtij kampi”. (Gentian Ristani)
“Më pëlqeu mundësia për t’u njohur me historinë e kishave në vendin tonë; gjithashtu të ftuarit, të cilët kishin profesione të larmishme dhe nga të cilët mund të mësoje, duke biseduar për tema të dobishme e frymëzuese rreth historisë së Kishës sonë ndër vite, shërbesave etj.”. (Spiro Shqevi)
“Gjërat të cilat më pëlqyen në kampin e zhvilluar ishin atmosfera shumë e dashur mikpritëse, ambienti që të jepte mjaft qetësi dhe paqe shpirtërore, njohjet dhe krijimi i miqësive të reja, shkëmbimi i eksperiencave të ndryshme në lidhje me besimin por dhe profesionet që ushtrojmë dhe se si mund të përmirësojmë diçka në komunitetin ku bëjmë pjesë”. (Sotir Çobo)
Kampi i tretë (studentor) për djem i Kishës sonë mblodhi 60 pjesëmarrës (50 kampistë dhe 10 persona staf).
Ai u zhvillua nën përkujdesjen dhe drejtimin e përgjegjësit të Zyrës së Rinisë të Kryepiskopatës, Atë Grigor Pelushit, së bashku me një grup të përzgjedhur e me përvojë të gjatë nëpër kampet e Kishës, Atë Ilia Maznikun, pedagogët Dhimitër Qosja, Theodhor Peci, Dr. Thoma Shkira, Andi Rëmbeci, si dhe katekistë nga Zyrat e Rinisë dhe e Katekizmit të Kryepiskopatës.
Aleksandër Dimroçi