EmailFacebookKontakt

Respektimi i të drejtave tona i shërben kombit shqiptar

– Protestë e besimtarëve orthodhoksë beratas –

Ne besimtarët e krishterë-orthodhoksë, të mbledhur në kishën Shën-Spiridhonit, në Berat më 17.01.1993, mësuam për sulmet që drejtohen veç tjerash, edhe në Parlament Kryehirësisë së Tij Imzot Anastasi, Kryepsikopi i Kishës Autoqefale Orthodhokse të Shqipërisë.

Protestojmë të indinjuar për këtë ndërhyrje tendencioze, përçarëse, dashakeqëse të disa politikanëve pseudoshqiptarë, si dhe disa parlamentarëve të induktuar prej tyre kundër fesë tonë kristiane-orthodhokse. U kujtojmë këtyre përçarësve të kombit se ne kristianët-orthodhoksë që nga Berati i Konstandin Beratit që e bëri Krishtin të flasë shqip para 300 vjetëve, i Babë Dudë Karbunarës, që bashkë me Ismail Qemalin ngriti flamurin në Vlorë, i Imzot Kristofor Kisit që e ruajti Autoqefalinë Orthodhokse nga të huajt dhe u vra nga komunistët, ashtu si edhe nga Jugu i Naum Veqilharxhit e Papa Kristo Negovanit, apo veriu i Pashko Vasos e Risto Siliqit dhe deri nga Diaspora e De Radës e Fan Nolit, kemi luftuar si shqiptarë patriotë në shekuj për krijimin e Shtetit të Pavarur Shqiptar dhe sot ne pasardhësit e tyre, mbasi luftuam Diktaturën, po punojmë për çrrënjosjen e Komunizmit dhe demokratizimin e vendit, gjithmonë syçelët për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Kështu që gjithë atyre që aludojnë për paralelizmin ndërmjet fesë orthodhokse të shqiptarëve me atë të grekërve, serbëve dhe luftën në Bosnjë, ne u themi se kristianizmi orthodhoks dhe orthodhoksët shqiptarë kanë qenë, janë dhe do të jenë për pavarësinë e Shqipërisë dhe kundër luftrave përçarëse fetare.

Emërimi i Imzot Anastasit si Kryepiskop i Shqipërisë, ndonëse është me kombësi të huaj, nuk bie ndesh me asnjë nga kanunet e fesë Orthodhokse dhe përputhet me normat kombëtare dhe ndërkombëtare të sotme të Evropës së bashkuar dhe të rendit të ri Botëror. Ky emërim është miratuar veç Presidentit, edhe nga besimtarët shqiptarë në mbarë vendin si një zgjidhje imediate, e kushtëzuar nga mungesa e klerikëve të arsimuar, si pasojë e regjimit komunist dhe nga mosardhja e asnjë kleriku shqiptar orthodhoks të devotshëm dhe të përshtatshëm nga Diaspora. Në një të ardhme të afërt kur të përfundojë shkollimi i klerikëve të rinj shqiptarë do të zgjidhet edhe problemi i kryesisë së KOASH-it, siç ka qenë në traditën tonë shqiptare nga viti 1992 me Fan Nolin gjenial e deri në vitin 1957 me Kryepiskopin shkencëtar Kristofor Kisin.

Imzot Anastasi duke qenë një klerik shqiptarodashës, erudit, me përvojë dhe reputacion ndërkombëtar, ka mbushur me sukses boshllëkun e madh të trashëguar nga komunizmi në Kishën Shqiptare (KOASH). Gjatë qëndrimit të tij dy vjeçar në vendin tonë ky personalitet fetar, shkencor dhe humanist ka kontribuar në ngjalljen e Kishës sonë të frenuar nga diktatura, në lehtësimin e plagëve ekonomike të popullit tonë me anën e ndihmave, në lidhjen e KOASH-it me Patrikanën e Stambollit, me Kishën Evropiane dhe atë Botërore dhe ka predikuar paqen, dashurinë, vëllezërinë ndërmjet bashkësive fetare të Shqipërisë.

Për sa më lart protestojmë fuqimisht kundër luftës përçarëse që po fokuson Parlamenti kundër besimtarëve kristianë-orthodhoksë duke e sendertuar kundër figurës së Imzot Anastasit, gjë që është shkelje flagrante e normave të të Drejtave të Njeriut, të njohura në Kartën e Parisit, në Kartën e Evropës së bashkuar (Helsinkit) si dhe të OKB.

Shteti ynë Demokratik nuk duhet t’i përngjasë shtetit komunist që përmbysëm, i cili ndërhynte në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe individuale të njeriut. Sot feja është e ndarë nga Shteti dhe askush nga qeveritarët dhe parlamentarët nuk ka të drejtë t’u dhunojë shqiptarëve këtë normë demokratike të lirisë së besimit, në rastin tonë të organizimit dhe të ushtrimit të Besimit Kristian – Orthodhoks. Në qoftë se kjo vazhdë përçarëse gati dyvjeçare antishqiptare kundër fesë orthodhokse nuk do të ndërpritet, atëhere ne besimtarët orthodhokse do të na duhet t’i drejtohemi për ndihmë organizmave juridike evropiane dhe botërore, duke u sinjalizuar se më tepër se një e treta e shqiptarëve, brenda shtetit shqiptar të ri e demokratik, u mohohet e drejta e ushtrimit të besimit kristian-orthodhoks.

Respektimi i kërkesave tona i shërben kombit shqiptar, forcimit të unitetit ndërmjet dy besimeve fetare që ka vendi ynë: kristiane e islame, edhe demokratizimit të jetës shoqërore dhe integrimit të Shqipërisë në bashkësinë Evropiane.

Besimtarët kristianë orthodhoksë të qytetit të Beratit

Berat, më 17.01.1993.