EmailFacebookKontakt

Realiteti do të përgënjeshtrojë edhe një herë sajesat paranoike

– Në shtypin shqiptar janë shkruar artikuj të gjatë e të shumtë për Juve. Por, nga sa di unë ende nuk ka shkruar njëri për kohën tuaj të lirë! Kush është Anastas Janullatos, si njeri dhe si jozyrtar. Ç’bën ai në kohën e lirë?

– Thjesht, nuk mbetet fare kohë e lirë. Të gjitha orët mbushen me përpjekjet e rimëkëmbjes nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Nuk ka dallim ndërmjet Anastasit zyrtar e jozyrtar. Përpiqem të jem spontan dhe i thjeshtë. Për çlodhje rrugëdalja është pak shëtitje, bisedë e lirë me bashkëpunëtorë të mi, studim, muzikë.

– Cilat janë librat dhe muzika e preferuar, hoby Juaj? A pasurohet gjuha shqipe Juaj?

Dhiata e Re dhe Libri i Psallmeve, të cilave u drejtohem për rifreskim, ngushëllim, mbështetje. Gjithashtu edhe librat e fushës time shkencore, Historisë së Besimeve Fetare, që e kam lënë mjaft pas dore, që atëherë kur mora përsipër këtë përpjekje të vështirë, të riorganizimit të Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Pak letërsi. Nga muzika: muzikë kishtare, popullore dhe klasike, me parapëlqim kompozime pianoje dhe flauti.

Për sa i takon njohjes së gjuhës shqipe, sigurisht që shtohet. Më vjen keq që nuk më mbetet kohë për një studim sistematik të saj me mësues. E mësoj gjuhën kryesisht si një fëmijë, që e dëgjon këtë brenda familjes së tij, dhe brenda kultit të Kishës Orthodhokse, që bëhet në një gjuhë shqipe të bukur poetike.

– Në këto dy-tre vjetë, cilat janë sukseset që ka arritur Kisha Orthodhokse e Shqipërisë; a kemi një kler të përgatitur dhe a është ai i mjeftueshëm? Sa kisha janë ndërtuar dhe sa u rindërtuan?

– Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u organizua në gjithë vendin. U bënë dy Kuvende Kleriko-laike. U zgjodhën: Këshilli i Përgjithshëm Kishtar, Këshillat e Mitropolive dhe Epitropitë Kishtare të Enorive, në qytete e në fshatra. Të gjitha me qytetarë shqiptarë. Janë ndërtuar nga themelet 15 kisha, janë riparuar 35 dhe 60 të tjera janë në fazën e riparimit ose të rindërtimit. Është riparuar godina e Peshkopatës të Beratit, u ble dhe rikonstruktohet ndërtesa për Kryepiskopatën e Tiranës dhe Mitropolinë e Gjirokastrës. Që nga shkurti i vitit 1992 funksionon Shkolla Teologjike-leratike, me rreth 100 seminaristë dhe janë hirotonisur 29 priftërnj dhe 23 dhiakë. Nga brezi i vjetër jetojnë vetëm 11. Kisha nxjerr gazetën mujore “Ngjallja”. Ka siguruar Shtypshkronjën e saj dhe një punishte qirinjsh. Përpiqet për të rifituar pasuritë kishtare, të cilat vazhdojnë të jenë të bllokuara. Ka organizuar “Dhiakoninë e Dashurisë”, që shpreh interesimin shoqëror të Kishës Orthodhokse e që deri tani ka shpërndarë shumë tonelata ushqime, barna, veshmbathje për nevojtarët, pavarësisht nga besimi fetar i tyre. Zhvillohet gjithnjë e më shumë vepra liturgjike orthodhokse dhe ajo e katekizmës. Dhe, së fundi, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë merr pjesë aktive në veprimtaritë panorthodhokse, e barabartë ndaj Kishave të tjera Autoqefale dhe është bërë anëtare e Konferencës së Kishave Evropiane dhe të Këshillit Botëror të Kishave.

– Ku i gjeni fondet për këtë? X është ringjallur mjaft fort Besimi Orthodhoks?

– Shumë kisha për fshatra janë ndërtuar me inisiativat e vetë banorëve orthodhoksë dhe me ndihmën e djemve të tyre të mërguar. Kanë ardhur gjithashtu donacione të ndryshme bamirëse miqsh nga Greqia, nga vende të tjera evropiane dhe nga Amerika, si edhe një mbështetje nga Këshilli Botëror i Kishave. Në thelb KOASH është riorganizuar, përgjithësisht, dhe ka zënë vendin e saj në jetën e Shqipërisë së sotme e të Orthodhoksisë. Dhe gjithnjë e më shumë njihet roli i saj i rëndësishëm në rrugën e rimëkëmbjes së vendit.

– Cili është mendimi juaj për Orthodhoksinë Shqiptare: Në ç’aspekte ajo ndryshon nga vëllezërit religjiozë në Ballkan?

– Kisha jonë paraqet tri veçanti karakteristike, në raport me Kishat Orthodhokse fqinje. E para, ajo ishte shkatërruar plotësisht nga goditjet e pamëshirshme të persekutimit ateist. Dhe pikërisht për këtë, ajo nuk kishte episkopë shqiptarë, apo kandidatë për këtë post, që të merrnin përsipër këtë punë të rëndë e tepër komplekse, të rimëkëmbjes së Kishës. E dyta, ajo përfshin në gjirin e saj dhe bashkon të gjithë qytetarët orthodhoksë të shtetit të sotëm shqiptar, pavarësisht nga origjina e tyre: shqiptarë, arumunë, grekë, sllavë. E treta, zhvillohet në shumëllojshmëri fetare, pa përbërë shumicë as edhe ndonjë pakicë të parëndësishme, duke besuar e duke luftuar për bashkëekzistencën paqësore të komuniteteve fetare.

– Cila është, sipas mendimit tuaj, arsyeja që disa njerëz në Shqipëri duan ta konsiderojnë dhe ta bëjnë të “përkohshëm” qëndrimin tuaj këtu?

– Të gjithë jemi të përkohshëm, kudo që ndodhemi edhe në vetë jetën. Për fat të keq, disa nuk mund ta kuptojnë e ta besojnë se ka njerëz, madje udhëheqës fetarë, që kufizohen vetëm në detyrat e tyre fetare. Dhe, mjerisht, duau të shohin të tjera motive e të tjera qëllime, akona edhe në gjërat më të shenjta. E kam sqaruar në mënyrë të përsëritur: Pranova ta marr përsipër këtë përgjegjësi të madhe e të vështirë të rimëkëmbjes nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, kur u sigurova se këtë e donte në shumicën e tij populli orthodhoks i Shqipërisë, Patrikana Ekumenike, që kishte (si mbajtëse e fronit të parë ndër Kishat Orthodhokse, dhe se ajo ia dha zyrtarisht Autoqefalinë Kishës së Shqipërisë) një përgjegjësi të veçantë për rimëkëmbjen e kësaj Kishe Orthodhokse të shkatërruar, dhe, së fundi, e pranoi Presidenti i vendit. Pasoi njohja ime si Kryepiskop i Tiranës nga të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale të Botës, por, gjithashtu, edhe nga Kishat e mëdha Perëndimore dhe nga organizmat kishtare ndërkombëtare. Zgjedhja e një Kryepiskopi nuk u ngjan zgjedhjeve politike. Ajo mbështetet në parime të tjera dhe në një pranim kishtar botëror.

– Në një intervistë tuajën të mëparshme keni thënë se janë një lloj lojrash politike ose konjuktura politike që të përpiqesh të vendosësh të ardhmen tënde si Kreu i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Cilat janë këto lojra?

– Gjithë ata që nuk besojnë në autonominë e jetës fetare dhe identifikojnë gjithmonë politikën dhe fenë, janë të paaftë që të shohin sinqeritetin e atyre që punojnë me motiv themelor të tyre dashurinë ndaj Perëndisë dhe ndaj popullit. As që besojnë se ekzistojnë njerëz të tillë. Por shembulli i Nënë Terezës dhe i shumë të tjerëve, të njohur e të panjohur, ka vërtetuar se njerëz të tillë ka edhe sot. I takoj brezit të atyre njerëzve, që kur ishin akoma fëmijë jetuan tmerret e Luftës së Dytë Botërore, dhe kishim marrë vendimin që jetën tonë, kur të rriteshim, do t’ia kushtonim paqes dhe dashurisë, duke pasuar Krishtin. Të gjithë ata, të cilët janë mësuar që çdo gjë ta gjykojnë vetëm me kritere politike, sigurisht që nuk kuptojnë këtë të vërtetë dhe as që janë të predispozuar për ta pranuar. Ata orvaten që edhe shërbimin tonë ta inkuadrojnë brenda një interpretimi dashakeq politik.

– A e shikoni veten tuaj si të përhershëm këtu?

– Jam tashmë i madh në moshë. U linda më 4 nëntor 1929. Nuk e di sa kohë akoma do të kem shëndet e rezistencë. Përpjekjet e mia synojnë që të formohen sa më parë që të jetë e mundur kuadro të aftë orthodhoksë brenda nga Shqipëria, të cilët do të jenë në gjendje për të vazhduar këtë punë të shumanshme të rimëkëmbjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për të marrë përsipër përgjegjësi drejtuese në bazë të traditës orthodhokse. E përsëris: Vizioni, lutja dhe lufta ime është që të krijohet një Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e mirëfilltë dhe e gjallë, me një kohezion të thellë dhe një kontribut më të gjerë shoqëror. Dhe në këtë drejtim kemi akoma një rrugë të gjatë e të përpjetë. Përpiqem që t’i dorëzohem përditë hirit të Perëndisë dhe të jem i hapur ndaj vullnetit të Tij.

– Cili është reagimi juaj ndaj ngjarjes së fundit të tmerrshme afër kufirit jugor?

– Bëra menjëherë deklaratën e mëposhtme, që ua dërguam të gjitha mjeteve të informacionit:

Marrim pjesë në dhimbjen e thellë që shkaktoi sulmi terrorist ndaj njerëzve të pafajshëm në Peshkëpinë e Sipërme dhe shprehim me gjithë shpirt ngushëllimet tona familjeve të viktimave.

Ndërgjegjja e krishterë është vendosmërisht kundër veprimeve terrorriste dhe i dënon ato. Shpresojmë dhe lutemi që e vërteta të dalë sa më shpejt dhe plotësisht në dritë, të zbulohen fajtorët, të ngarkohen përgjegjësitë, siç imponon e drejta, por edhe të intensifikohen përpjekjet për stabilizimin e paqes në rajonin tonë.

– Çfarë mendoni për opinionin e shprehur se Kisha Orthodhokse në Shqipëri është një vegël e politikës greke në këtë vend të vogël?

– Sa më pak i beson dikush autonomisë dhe mëvetësisë të përjetimit fetar dhe në përgjithësi fesë, aq më lehtë ai kërkon që çdo gjë ta shpjegojë me dyshimet politike dhe interpretimet politike. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ishte krejt e shkatërruar nga politika e regjimit të mëparshëm dhe të gjithë Orthodhoksët dëshironin rimëkëmbjen e saj sipas traditës orthodhokse dhe parimeve orthodhokse. Vetëm për këtë qëllim, ndodhem këtu. Shumica dërrmuese e shqiptarëve orthodhoksëve akoma edhe të joorthodhoksëve, e dinë shumë mirë. Prandaj edhe shpifjet e herëpashershme kanë dështuar. Qarqe që nuk do të dëshironin zhvillimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ose që rrojnë me ksenofobi të përhershme, nuk është paradoksale që përpiqen të krijojnë dyshime. Në një kohë më të hershme ata kanë ndërtuar bunkere kundër armiqve imagjinarë. Sot, disa, për inerci, përpiqen të ngrenë në mendjen e njerëzve të caktuar bunkere mendorë, për ta shpëtuar gjoja Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga një armik imagjinar. Realiteti historik, edhe një herë akoma, do të përgënjeshtrojë këto sajesa paranoike.

– A e ndjeni se në Ballkan ndodh një përzierje feje dhe politike? Përse?

– Jo vetëm në Ballkan. Gjithmonë ka politikanë që përpiqen që gjithçka të fuqishme ta përdorin për synimet e tyre, akoma edhe fenë, e cila padyshim ka një forcë të veçantë. Kjo paraqitet sot intensivisht tek ai brez që është rritur nën ndikimin e propagandës ateiste, që, si rregull, e shikonte fenë vetëm si një dimension politiko-shoqëror-ekonomik. Sa më pak i beson thelbit të fesë aq më lehtë do të dojë që ta shfrytëzojë atë për qëllime të tjera. Në të kundërtën, përjetimi me ndërgjegje i thelbit më të thellë të fesë, siç del në jetën e shumë personaliteteve të shquara të të gjitha feve, ndikon favroshëm në jetën e njerëzve, për një shoqëri drejtësie dhe paqeje; jeta e pastër fetare në vend që të ndikohet nga politika, ndikon mbi politikën në këtë drejtim. Çdo krim në emër të fesë është krim kundër vetë fesë. Personalisht, besoj se e vetmja mundësi që rajoni ynë të jetojë në paqe, është: me inisiativë të vetë komuniteteve fetare, të bëhet në thelb i pranueshëm kompleksiteti ekzistues, të shmanget implikimi i fesë në acarimet nacionaliste, të ekzistojë respektimi i sinqertë i lirisë së ndërgjegjes të çdo figure njerëzore dhe në përgjithësi të gjithë të drejtave të njeriut, të çdo komuniteti, në çdo vend.

Intervistoi: Altin Raxhimi