Rasti i saj është shumë i rrallë. U bë e denjë të martirizohej jo për hir të besimit, por për hir të moralit. Lindur në Aleksandrinë e shek. V, nga prindër shpresëtarë, të cilët e rritën me frymë të krishterë, në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare iu dha për bashkëshorte një të riu, gjithashtu shpresëtar. Rronin të shkujdesur në mirëkuptim e në qetësi të plotë, deri në çastin kur gjatë mungesës së të shoqit, djalli i ndezi një dëshirë të paturpshme të vjehrrit që banonte me ta. E reja e kundërshtoi plakun e marrë e të verbuar nga vrulli i shfrenuar dhe u përpoq ta këshillonte. Por ai, i rrëmbyer nga pasioni prej maniaku, kapi shtizën e të birit dhe e goditi nusen në kokë, duke ia çarë më dysh. Por, menjëherë humbi dritën e syve dhe u pendua. Duke ecur mbi gjakun e së resë, u pohoi atyre që shkuan ndodhinë dhe u kërkoi ta çonin te guvernatori i qytetit për t’u ndëshkuar. Dhe vërtet ai u dënua me prerje të kokës. Duke marrë vesh sa kishin ndodhur, zbriti në Aleksandri dhe mori pjesë në varrimin e saj avai i shquar Daniel, kryetar i Sketës së Nitrisë. Pastaj, ai mori lipsanin e shenjtë dhe, meqë ishte fjala për një martire të moralit, e solli dhe e varrosi në varrezat e etërve, me gjithë kundërshtimet e tyre. Dikur një murg, i cili mundohej nga mendime të mospërmbajtjes seksuale, shkoi në varrin e saj dhe u lye me vajin e kandilit mbi të. Në ëndërr e bekoi shenjtorja dhe në mëngjes ai u zgjua i shpëtuar nga mundimet. Nga kjo dhe nga ndodhi të tjera të ngjashme, shenjtorja u nderua si dëbuesja e ngasjeve trupore.