EmailFacebookKontakt

Radio “Ngjallja” – Radioja e parë fetare në Shqipëri

Radio Ngjallja është e para Radio fetare në Shqipëri. Ajo filloi transmetimin e parë më 11 prill, në Pashkën e vitit 1998. Themeluesi i saj është Kryepiskopi Anastas, njeri vizionar me botëkuptim të gjerë dhe bashkëkohor, jo vetëm në fushën e teologjisë dhe historisë, por edhe përkrahës i zhvillimit teknologjik e mediatik. Radio “Ngjallja” ishte pjesë e ringritjes së fuqishme të institucionit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila ishte e rrënuar deri në themel bashkë me komunitetet e tjera fetare në Shqipëri nga sistemi i atëhershëm komunist. Bashkë me kishat, manastiret, klinikat, shkollat, konviktet e nxënësve, mensat e të varfërve, punishtet, shtypshkronjën dhe të tjera institucione të ndërtuara në Kishën tonë Orthodhokse, u themelua edhe Radio “Ngjallja”, si një tjetër tregues, vlerë e shtuar dhe dëshmi e ngjalljes së Orthodhoksisë në Shqipëri.

Në përurimin e Radios “Ngjallja”, që fillimisht funksionoi në mjediset pranë kishës së “Shën Prokopit”, në Tiranë, u krye një shërbesë, ku Kryepiskopi Anastas përcaktoi edhe misionin e saj. Ndër të tjera, ai u shpreh me këto fjalë: “Le të urojmë që ky stacion radiofonik të jetë gjithmonë përcjellës i frymës dhe i atmosferës së kryqit dhe të ngjalljes, të përcjellë frymën e dashurisë dhe të pajtimit të të gjitha grupeve, të të gjitha bashkësive, të mbarë popullit.”

Me këtë vizion, Radio “Ngjallja” në vitet e punës së saj ka qenë dhe mbetet përcjellëse e zërit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ajo pasqyron jetën e komunitetit orthodhoks, emeton mënyrën e jetës së këtij komuniteti dhe mënyrën se si ky komunitet lidhet me Perëndinë.

Programi i radios përmban, dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, transmetimin Live të shërbesave. Ky transmetim të dielave dhe të kremteve realizohet me video dhe audio. Gjithashtu, një pjesë të rëndësishme të programit e përbëjnë predikimet e Mitropolitëve, klerikëve apo edhe teologëve.

Emisionet me mësime dhe këshillat e Etërve të Kishës përçojnë traditën e gjallë dhe spiritualitetin e krishterë orthodhoks.

Çdo ditë transmetojmë programe me intervista, opinione, dëshmi, si dhe aktualitet me klerikë, teologë, katekistë, intelektualë, ekspertë të fushave të ndryshme që përcjellin tema aktuale shpirtërore, sociale dhe kulturore. Një vend të veçantë zë programi me muzikë kishtare bizantine, shoqëruar me emisione didaktike. Radioja transmeton çdo ditë programe me emisione për fëmijë me tregime nga Shkrimi i Shenjtë, jetë shenjtorësh – shembuj që përcjellin virtyte të besimit të dashurisë, shpresës, guximit, faljes, tolerancës etj. Emisionet rinore janë edukative dhe përcjellin tematika të ndryshme me interes aktual për të rinjtë.

Në orët e pasdites zhvillohen mësime të gjuhës së huaj, me një metodologji të veçantë radiofonike, e mirëpritur nga dëgjuesit.

Radio “Ngjallja” ka një staf të vogël. Kontributin kryesor e japin vullnetarë të ndryshëm, që nga mitropolitët, klerikët, teologët, katekistët, psaltët, pedagogë, mjekë, inxhinierë, sociologë, bizantologë, historianë, studentë e nxënës. Të gjithë janë të përfshirë, sepse radioja ecën me frymën e themeluesit të saj, frymën e gjithëpërfshirjes.

Programi është i ndërtuar në një dinamikë me emisione radiofonike çdo 30 minuta, ku i ofrojmë “shoqëri” dëgjuesve tanë kudo ku ata ndodhen: në shtëpi, në udhëtim, në punë apo edhe në kohën e tyre të lirë, që të mund të na ndjekin sa më shumë me programet që ofrojmë. Duke iu referuar vlerave të trevjeçarit të fundit, Radio “Ngjallja” prodhon çdo vit mesatarisht 90 programe të reja, me një pjesëmarrje prej rreth 100 bashkëpunëtorësh vullnetarë.

Sinjali i Radios është i përhapur që në vitin 1998 në qarkun e Tiranës dhe nga viti 2018, ky sinjal u zgjerua në qarqet e Korçës, Fierit dhe Elbasanit. Në korrik të këtij viti (2022), sinjali i radios u hap edhe për qytetet e Pogradecit dhe Përrenjasit.

Investimi vjetor i radios kap vlerën 80.000 Euro, dhe kjo sigurohet falë kujdesit të drejtpërdrejtë të themeluesit të saj, Kryepiskopit Anastas.

Risi në këtë periudhë të fundit është edhe kontributi i dëgjuesve të radios dhe i dashamirësve të saj. Brenda një periudhe njëvjeçare, pasi bëmë thirrje për kontribute në llogarinë bankare për Radion “Ngjallja”, u dhuruan 150.000 lekë. Ky është tregues i dëgjueshmërisë, por edhe i ndërgjegjësimit për të mbajtur institucionet e Kishës, siç është edhe radioja.

Radio “Ngjallja” transmeton programet e saj online në adresën radiongjallja.org. Në këtë adresë gjendet edhe faqja e web-it e radios, e cila është e organizuar në rubrika të ndryshme audio dhe shkrime, emisione, intervista, lajme nga vendi dhe bota. Në këtë faqe shikuesit mund të ndjekin në një dritare të veçantë radion online 24 orë në ditë si dhe të dëgjojnë çdo emision online. Faqet e radios në rrjetet sociale janë një tjetër dritare bashkëkohore, për të përcjellë me audio dhe video emisione të ndryshme të saj.

Çdo ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, radioja transmeton drejtpërdrejt shërbesat e Mëngjesores dhe të Mbrëmësores, si dhe Liturgjitë Hyjnore nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit” dhe kisha e Ungjillëzimit, Tiranë; duke iu gjendur pranë dëgjuesve të saj që nuk kanë mundësi për t’i ndjekur këto shërbesa në kishë. Numri i shikuesve në çdo publikim është tregues i ndjekjes dhe dëgjueshmërisë së saj.

Radioja jonë është gjithmonë pjesëmarrëse në takimet e përbashkëta të radiove të komuniteteve fetare në Shqipëri (Radio “Ngjallja”, Radio “Maria”, “Radio Spektrum”). Takime të tilla organizohen me ftesë nga AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive), në të cilat shkëmbehen eksperienca të ndryshme të punës së këtyre radiove, që u përkasin komuniteteve fetare në vendin tonë.

Në thelb të punës sonë është përçimi i lajmit të mirë të Ungjillit se Zoti nga dashuria për njeriun erdhi midis nesh. Ai na mësoi të duam njeri-tjetrin pa interes dhe pa kushte, të duam armiqtë tanë dhe të mos hakmerremi, na mësoi të falim, na mësoi dashurinë e Tij. Prandaj edhe njoftimi kryesor që transmetojmë çdo ditë për dëgjuesit tanë, thotë: “Radio “Ngjallja” me ju, për një shoqëri të vërtetë dashurie”.