GAZETES “DITA INFORMACION”
Lidhur me artikullin e botuar në gazetën tuaj të datës 30 prill, “Akuzohet Kisha Orthodhokse”, shoqëruar me fotografi që s’ka asnjë lidhje me shkrimin, ju bëjmë të ditur se:
Fraza “Kisha Orthodhokse, në bashkëpunim me mafien, ka shkelur embargon e naftës kundër Jugosllavisë”, përbën një pjellë të imagjinatës më të sëmurë romanesh policeske. Gjithashtu ajo zbulon paragjykimin e marrë dhe armiqësinë maniake.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk ka as lidhjen më të vogël dhe dijeni as për mafiat, as për naftat, që pretendon ky skenar mjeran.
Duke përdorur të drejtën elementare që gëzojmë, kërkojmë prej jush që në numrin e ardhshëm të bëni korrigjimin e këtij shkrimi, sipas ligjeve të shtypit të lirë, të përgjegjshëm e demokratik.
Tiranë, 30 prill 1997
Zyra e Shtypit
e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Qëndrim i papërgjegjshëm
Si dhe herë tjetër, gazeta “Dita informacion” tregoi një qëndrim të papërgjegjshëm ndaj përgjigjes së Zyrës së Shtypit të KOASH.
Në 1 maj u botua vetëm një fragment i saj, që edhe ai u përdor për qëllime politike dhe titull bombastik, për të shitur gazetën: “Janullatos u përgjigjet akuzave të Berishës”. Kjo, kur ishte e qartë se nuk kishim të bënim me ndonjë konflikt të Kishës me Presidentin, por vetëm hidhej poshtë me indinjatë një shpifje e turpshme e mjerane, që “Dita” kishte nxituar ta kreditonte në gazetën e një dite më parë.