EmailFacebookKontakt

Qendër e re dhe bashkëkohore për rininë orthodhokse të Tiranës

Që prej një muaji të gjitha veprimtaritë e rinisë orthodhokse të kryeqytetit po zhvillohen në mjediset e reja të shtëpisë së rinisë “Bij të Dritës”, e cila tani ndodhet pranë Kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”. Kushtet që ofron kjo “sofër” e re për rininë orthodhokse janë mjaft të mira, me hapësira të konsiderueshme dhe komode. Kjo qendër është dhuratë e Kryepiskopit Anastas, i cili ka siguruar fondet e nevojshme shumëformëshe që shërbejnë për ta gjallëruar edhe më shumë veprimtarinë shpirtërore dhe kulturore të rinisë së Tiranës, e cila është dalluar për pjesëmarrjen dhe aktivizimin e përhershëm në pasurimin e jetës kishtare.

Qëllimi i organizimit të këtyre veprimtarive është rritja e nivelit shpirtëror dhe edukues tek të rinjtë nëpërmjet aktiviteteve shpirtërore dhe kulturore që ofron kjo qendër. Takimet e lutjes, paraklisi, bisedat shpirtërore janë disa nga aktivitetet më të rëndësishme që bëhen në këtë shtëpi të re rinie.

Një tjetër veprimtari është edhe edukimi i të rinjve nëpërmjet kurseve të ndryshme që ofron kjo qendër dhe veçanërisht mbështjetjen e studentëve që kanë mundësi të pakta financiare për t’i ndjekur këto kurse në qendra të tjera.

Vlen të përmenden kurset e gjuhëve të huaja si: anglisht, frëngjisht, spanjisht, greqisht, italisht, të cilat kanë si qëllim formimin e përgjithshëm kulturor, duke iu ofruar të rinjve një trajnim cilësor. Të tjera kurse formimi janë: kursi i kompjuterit, i muzikës dhe i kitarës, ndërsa priten të rinisin së shpejti edhe kurset e gatimit, të valleve dhe të dramës. Gjithashtu këto kurse iu japin mundësinë e punësimit pedagogëve të rinj të diplomuar në fusha të ndryshme. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe bibliotekës që funksionon me një kapacitet të kënaqshëm librash, botime të Kishës, por edhe botime të tjera vendase dhe të huaja, duke pasur si synim pasurimin e njohurive rreth besimit të krishterë orthodhoks si edhe zgjerimin e horizontit të dijeve në fushën e letërsisë, historisë, shkencës etj. Krahas saj do të ngrihet edhe një stendë, ku të rinjtë do të paraqesin punimet e tyre.

Gjatë kohës së kreshmës dhe ditëve kreshmore funksionon edhe kuzhina me gatime kreshmore. Ndërsa çdo fundjavë është menduar të zhvillohet një takim miqësie, ku shumë të rinj do të mblidhen së bashku dhe të diskutojnë rreth temave shpirtërore, ku do të zgjerojnë edhe më tej lidhjet me besimin dhe me njëri-tjetrin, si edhe të argëtohen përmes aktiviteteve kulturore dhe sportive do të shfaqen filma të ndryshëm me karakter moral dhe edukativ etj. Sipas drejtuesve të rinisë së kryeqytetit, shumë shpejt në mjediset e kësaj shtëpie rinore do të ngrihen edhe salla kompjuterash, lojërash, gjithashtu do të hapet dhe një librari.

Në këtë shtëpi do të funksionojë edhe redaksia e revistës “Kambanat”, një botim i rinisë së kryeqytetit, e cila ka tre vjet që po pasqyron aktivetetet e rinisë orthodhokse dhe botën e saj medituese dhe krijuese.

Lidhja e Rinisë Orthodhokse “Bij të Dritës” në Tiranë ka nisur hapat e para të saj në vitin 1991, me iniciativën dhe nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas. Më pas, në vitin 1992 me dëshirën e të rinjve dhe bekimin e Kryepiskopit, rinia e Tiranës themeloi zyrtarisht lidhjen e saj “Bij të Dritës”, organizatë që u shtri shumë shpejt në të gjithë Shqipërinë. Gjatë këtyre viteve, kjo lidhje rinore ka zhvilluar aktivitete të ndryshme edukuese, social-kulturore dhe sportive, të cilat kanë ndikuar shumë në afrimin e të rinjve pranë kësaj qendre rinore duke forcuar edhe më shumë lidhjen me Kishën dhe Zotin Krisht.

Isidor Koti