EmailFacebookKontakt

Pushteti i Zotit të Ngjallur së vdekuri

Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,

Bij të shtrenjtë më Zotin,

“M’u dha çdo pushtet në qiell dhe mbi dhe” (Matt. 28:18)

I

Triumfin e pushtetit të Perëndisë së dashurisë po kremtojmë sot. Perëndi-njeriu Jisu, i akuzuar padrejtësisht nga sistemi fetar, i dënuar në mënyrë të pamotivuar nga autoritetet shtetërore, i fyer nga turma njerëzish mendjelehtë, jo vetëm ngrihet fitimtar, por dhe merr nga Ati Perëndi pushtet absolut: “M’u dha çdo pushtet në qiell dhe mbi dhe”, i siguron nxënësit e Tij; dhe u ngarkon për detyrë që t’ua shpallin tërë popujve lajmin me rëndësi mbarënjerëzore.

Fuqia e pakonceptueshme e Perëndisë u zbulua në mënyrë ngazëllyese me Ngjalljen. Krishti, duke pranuar me dëshirë përulësinë e Pësimit, shkatërroi dinastinë e pushtetit demoniak që mbështetet në arrogancën dhe interesin personal; i gozhdoi mëkatet tona në kryq “dhe duke vrarë vdekjen na dhuroi neve jetën” – “jetën e përjetshme”. Ati Perëndi e vuri Birin e Tij të Kryqëzuar dhe të Ngjallur së vdekuri “mbi çdo autoritet, dhe pushtet, dhe fuqi, dhe zotërim dhe mbi çdo emër që thirret, jo vetëm në këtë botë, po edhe në atë që do të vijë; dhe nënshtroi gjithçka në këmbët e tij” (Efes. 1:21-22). Këtë ndryshim shpëtues kremtojmë ne sot.

Jisu Krishtin Perëndia i Gjithëpushtetshëm e bëri “krye përmbi të gjitha në Kishë” (Efes. 1:22). Dhe ajo, si një komunitet eukaristik i Ngjalljes, shpall misterin e Perëndisë Triadik, shpëtimin e njeriut më Krishtin me anën e Shpirtit të Shenjtë, kapërcimin final të vdekjes dhe pjesëmarrjen tonë në jetën e Krishtit të Ngjallur së vdekuri. Si “trup i Tij” mistik, “përmbushja e atij që përmbush çdo gjë në gjithçka” (v. 23), Kisha rrezaton lavdinë e Zotit të gjallë në mbarë krijesën. Ajo jeton çdo herë me shpresën e theksuar eskatologjike se çdo fuqi tjetër në fund të kohëve do t’i nënshtrohet pushtetit të Tij unikal të dashurisë.

II

Por, pushteti i Krishtit mbi njerëzoret është krejt i ndryshëm nga pushtetet e kësaj bote. Gjatë çastit kritik të Pësimit para Pilatit, Jisui kishte theksuar se “mbretëria ime nuk është nga kjo botë” (Jo. 18:36). Njëkohësisht, Ai i kujtoi se mund të vendoste pushtetin e Tij në çdo çast (Matt. 26:53). Sanksionoi një dallim të qartë ndërmjet anës shpirtërore dhe asaj tokësore. Një rend që do të zgjasë deri në riardhjen e Tij me lavdi.

Në kundërshtim me traditat e ndryshme teokratike, që e lidhin pushtetin fetar me atë shtetëror, Kisha Orthodhokse duhet të qëndrojë konsekuente në rolin e saj shpirtëror. Implikimi i emrit të Krishtit nuk ka vend në planet politike dhe sunduese nga persona dhe popuj të ndryshëm. Krishti ka dhënë një pikëpamje ndryshe mbi pushtetin brenda shoqërisë njerëzore. Si bazë dhe ideal, Ai ka vënë shërbimin ndaj njerëzve. Ndërsa të parët e kësaj bote zakonisht sundojnë duke qenë indiferentë ndaj dinjitetit të njeriut të thjeshtë dhe duke shtypur të pafuqishmit, Krishti ka jetuar si shërbëtor (Luk. 22:25-27). Këtë shembull u dorëzoi njerëzve të Tij, Kishës së Tij. Duke i dërguar nxënësit nëpër botë, u transmetoi atyre autoritetin e Tij dhe u besoi pushtetin e Tij shpirtëror, duke këmbëngulur se ushtrimi i tij në realitet do të jetë shërbimi, ndihma pa interes.

Pushteti i Krishtit të Ngjallur lidhet me Pësimin e vullnetshëm. Zoti mbetet bashkëvuajtës në dhembjen e çdo njeriu. Është Perëndi i mëshirës, që përkulet me dhembshuri mbi njeriun e traumatizuar nga mëkati. Pushteti i Tij nuk sundon, por shërben. Nuk hakmerret, por fal. Nuk shtyp, por shpëton. Nuk imponohet me zhurmë propaganduese, por vepron me heshtje e maturi. Kryesisht vepron si pushtet shpëtues, si dhuratë ndjese dhe dashurie. Krishti i Ngjallur respekton lirinë dhe shenjtërinë e çdo personi njerëzor – madje edhe atij që E vë në diskutim. Nuk shkakton frikë, por e çliron qenien njerëzore nga frika – sidomos nga frika e vdekjes. Të gjithë sa E ndjekin pas, këtë lloj pushteti e konsiderojnë si të vetmin me rëndësi dhe që duhet të ushtrojnë.

III

Në epokën e sotme, shpesh krijohet përshtypja se njerëzimi u nënshtrohet pushteteve të ndryshme të pakontrolluara: politike, ushtarake, ekonomike dhe ideologjike, të cilat, duke vepruar në mënyrë arbitrare, krijojnë pështjellim shumëformësh e me pasoja tragjike. Në zhgënjimin e krijuar lidhur me ushtrimin e pushtetit nga të fuqishmit, Ngjallja e Krishtit sjell një frymë shprese. Na kujton se, veç gjërave tragjike dhe të padëgjuara që po ndodhin sot, përfundimisht ecuria e botës nuk varet nga fuqia dhe dijet e mbledhura, si dhe nga përdorimi i tyre arrogant nga të fuqishmit e tokës. Pushteti thelbësor dhe përfundimtar gjendet në duart e Atij që respektoi absolutisht lirinë e njeriut – deri në skandalizimin e atyre që nga ana fetare ishin të rreptë. Pushteti i Tij përmbledh fuqinë mistike të drejtësisë, të paqes, të dashurisë dhe të jetës. Vazhdon të veprojë në mënyrë shpëtuese në historinë e njerëzimit, sado që shumë njerëz, në teori apo në praktikë, nuk e pranojnë. Dhe përfundimisht, ky pushtet do të gjykojë botën.

Në këtë siguri mbështetet optimizmi ynë. Nuk është fjala për një teori të papërcaktuar; plotfuqishmëria e Tij shpesh zbulohet në jetën tonë të përditshme. Kjo e vërtetë na jep qëndresë dhe guxim edhe në fazat më të dhembshme të historisë, botërore apo personale. Por, gjithashtu, na jep fuqi për të vepruar dhe për të ndërhyrë në ngjarjet historike. Kisha e Tij, si “trup i Tij”, ashtu si çdo qelizë e saj, çdo anëtar i saj, shpall anembanë veprimin dhe praninë e gjallë të Perëndinjeriut brenda historisë. Administron këtë pushtet shpirtëror dhe duhet të veprojë me fuqinë e Tij si faktor drejtësie, pajtimi e paqeje. Të luftojë në skenën historike, lokale ose botërore, me ndërgjegje të ndriçuar, me kritere të qarta shpirtërore. Të Tijtë nuk kanë të drejtë të ndjekin modele pikëpamjesh pushteti shtypës. Ata besojnë në fuqinë dhe në pushtetin shpirtëror të dashurisë, dhe atij i nënshtrohen; tek ai mbështesin lirinë e tyre.

* * *

Zoti, të Cilit i është dhënë “çdo pushtet në qiell dhe mbi dhe”, nuk është ndonjë person i largët, i humbur në mjegullën e së kaluarës. Ai është i gjallë, i pranishëm në mendjen, në zemrat, në ndërgjegjet tona; na ngushëllon dhe na frymëzon.

Ndjesia e pranisë së Zotit të Ngjallur së vdekuri, e fituesit mbi vdekjen dhe sunduesit të gjithësisë, përbën elementin më thelbësor të përvojës së krishterë. Siguria se Ai është vazhdimisht bashkë me ne, “në të gjitha ditët e jetës” sonë, paqëson qenien tonë madje edhe gjatë stuhisë së padrejtësisë dhe të luftës, kur dhembje të vdekjes na rrethojnë dhe përrenj paligjshmërie na trazojnë.

Krishti u Ngjall, vëllezër dhe motra! Siguria se Atij, Zotit të dashurisë, i është dhënë “çdo pushtet në qiell dhe mbi dhe”, le të na ngrejë optimizmin e lënduar për të ardhmen e botës. Vite të bekuara dhe të gëzuara! Prania e Krishtit të Ngjallur së vdekuri le të na mbushë me shpresë dhe paqe në çdo rrethanë që të ndodhemi.

Me tërë dashurinë më Krishtin e Ngjallur,

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
+Anastasi