EmailFacebookKontakt

Punohet intensivisht për Shkollën Teologjike

Jo larg rrugës automobilistike, në hyrje të Durrësit, kur vjen nga Shkozeti, mund të mos shikoje gërmadhat por jo të mos vije re qiparisat që lartësoheshin si simbole të vetme të ekzistencës së dikurshme në atë vend të një kishe a manastiri të shkatërruar mizorisht.

Asnjëherë besimtarët, jo vetëm nga Durrësi, por edhe Tirana e Kavaja, nuk nguruan të vinin këtu, në majën e kësaj kodre dhe t’i luteshin Shën Vlashit të ndërmjetësonte për ta. Janë po këta besimtarë, që gëzimi i mesditës së 19 nëntorit, i mblodhi përsëri këtu për të marrë pjesë në një ngjarje të shënuar jo vetëm për ta, por për gjithë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, vuri gurin e themelit në kishën e shenjtë të Shën Vlashit.

Kisha e re do të jetë me 2 kube e 3 hapësira dhe përbri do të lartësohet një këmbanare, e cila do të shohë mbi gjithë fushën, nga Shijaku në Durrës.

Në të njëjtin vend, të njëjtën ditë, edhe një bekim tjetër; ai për fillimin e punimeve për ngritjen e disa mjediseve për Shkollën tonë Teologjike Hieratike, ku do të përgatiten klerikët e teologët e ardhshëm të orthodhoksisë shqiptare.

Ndërtimi i këtyre mjediseve në territorin e manastirit të shkatërruar të Shën Vlashit, ishte një zgjidhje e pjesshme e problemit që i imponua Kishës sonë nga rrethanat dhe indiferenca me të cilën u shoqërua kërkesa e stërpërsëritur për të na u dhënë një vend për ndërtimin e shkollës sonë Teologjike, e cila ka funksionuar deri tani, në kushte shumë të vështira, në një hotel të plazhit të Durrësit, për të cilin kemi qenë të detyruar të paguajmë një qera tepër të lartë.

Kjo shkollë, përveç kishës së shenjtë të “Ngjalljes së Krishtit”, do të përfshijë bibliotekën, sallat e mësimit, konviktin dhe mjedise të tjera për studentët dhe personelin e saj. Tanimë në përfundim faza e parë e punimeve për zbatimin e projekteve të bazamenteve dhe mureve mbështetëse bashkë me ato arkitektonike, për t’ia lënë vendin më pas në fazën e dytë, ndërtimet me elemente të parafabrikuara. Njëkohësisht po punohet për restaurimin dhe konstruksionin e ndërtesave të vjetra të ish-manastirit të shenjtë të Shën Vlashit, punime që mendohet të përfundojnë për 7 muaj e që së bashku me Shkollën Teologjike do të përbëjnë qendrën e rilindjes shpirtërore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Korresp. i “Ngjalljes”