Fortlumturi, Mitropolitë, Hirësi, klerikë dhe laikë të pranishëm në këtë Asamble Kleriko-Laike.
…Me bekimin e Kryepiskopit filluam “Seminarin hieratik” në Durrës dhe në verën e vitit 1993 filluam katekizmin për herë të parë në Manastirin e Shën Vlashit, i shkatërruar plotësisht në vitin ’67 nga nisma e nxënësve të shkollës “Naim Frashëri”, në Durrës: “Të ngrihemi dhe të luftojmë zakonet prapanike e fetare”.
Kryepiskopi na inkurajonte me shembullin e tij apostolik dhe na mbështeste ekonomikisht për ta vazhduar këtë shërbim të katekizmit nëpër shumë fshatra e qytete me përgjegjësinë e atë Martin Ritsit, një prift misionar nga Amerika. Nuk do të na dilte koha të përmendim zonat e shumta të katekizmit dhe pagëzimet e qindra fëmijëve dhe të rinjve që u bënë vitet të para nëpër kishat e rrënuara, në qendër të fshatrave, lumenj e det.
Më pas, këtij grupi katekistësh iu bashkëngjitën edhe shumë të rinj që mbaruan Akademinë Theologjike. Kryepiskopi, si një arkitekt i mirë, duke parë se nuk kishim të bënim thjesht me një dëshirë dhe aventurë rinore, por me hir të veçantë në Kishën tonë, me iniciativën dhe bekimin e tij në vitin 2001 u formua Zyra Qendrore e Katekizmit. Kjo zyrë kishte rreth 20 katekistë, djem dhe vajza, që kishin mbaruar Akademinë Theologjike dhe kryenin katekizëm periodikisht në rreth 40 zona, në hapësirën e Kryepiskopatës dhe të mitropolive, ku mblidheshin mestarisht 1800 fëmijë dhe të rinj.
Në vitin 2006 çdo Mitropoli krijoi zyrën e vet të pavarur dhe zyra jonë u bë Zyra e Katekizmit e Kryepiskopatës…
Zyra e Katekizmit e Kryepiskopatës
Zyra e Kryepiskopatës ka sot 5 katekistë dhe mbikëqyret nga Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla. Zyra mbulon me katekizëm të gjithë zonën e Kryepiskopatës. Katekizmi kryhet kudo ku është e mundur, si: në mjediset e zyrës, nëpër kisha, shtëpitë e besimtarëve dhe mbulon gjithashtu predikimin e të dielave nëpër disa kisha në qytete dhe fshatra. Zyra ka bashkëpunim të vazhdueshëm me klerikët e çdo enorie dhe me çdo zyrë tjetër për bashkëpunim në katekizëm, si Zyra e rinisë, fëmijëve, e grave etj. Po ashtu prej vitesh bashkëpunon me Radion “Ngjallja” me emisione të përditshme, me emisione të përjavshme në tv private, si televizioni “Adrianet” në Durrës. Po ashtu jep dëshmi orthodhokse gjatë vitit në televizionin publik dhe në ato private, në gazeta ku publikohen artikuj me tema teologjike, sociale, si edhe apologji për mbrojtjen e besimit dhe figurave kishtare. Duke shfrytëzuar rrjetet sociale, sidomos gjatë periudhës së pandemisë, zyra katekizon çdo ditë nëpërmjet Facebook-ut me ndjekës të rregullt 2768 veta, në Instagram 473 veta dhe Youtube 1293 veta, brenda edhe jashtë vendit. Po ashtu ka organizuar takime katekizmi nëpër burgje, si në Tiranë dhe Durrës, ku janë kryer pagëzime e rrëfime.
Zyra e Katekizmit në Mitropolinë e Beratit
Katekistët e kësaj Mitropolie kanë qenë që në vitin 1999 pjesë e Zyrës Kombëtare dhe në vitin 2010 vazhduan si zyrë më vete, nën kujdesin e Mitropolitit të Beratit, Hirësi Ignatit. Sot ka 15 katekistë. Katekizmi është i organizuar në 35 zona të Mitropolisë. Deri në vitin 2019, në të gjithë zonat ishin të regjistruar në mësimet e katekizmit rreth 800 fëmijë në vit, por periudha e pandemisë e ka ulur disi këtë numër, që pritet të rritet përsëri. Në 5 vitet e fundit janë bërë më shumë se 100 pagëzime fëmijësh në grupe.
Zyra e Katekizmit në Mitropolinë e Korçës
Menjëherë pas fronëzimit të Hirësi Joanit si Mitropolit i Korçës, në vitin 1998, filloi edhe riorganizimin i katekizmit në këtë Mitropoli, duke angazhuar si fillim studentë nga Akademia Theologjike. Katekizmi kryhej në bashkëpunim me Zyrën e Qendore të Katekizmit, por në vitin 2010, Zyra e Katekizmit e Korçës u bë e pavarur. Sot pranë Mitropolisë punojnë 7 katekistë, 5 djem dhe 2 vajza, të cilët mbulojnë pjesën më të madhe të zonave me katekizëm me fëmijë edhe të rinj. Duhet përmendur se që nga viti 2001 një ndihmë të madhe kanë dhanë edhe një grup motrash, që vinin nga Follorina, si edhe mësuesit e shkollës “Omiros” në Korçë. Duhet të përmendim edhe katekizmin që bëhet në kampet për djem dhe vajza, që organizon Mitropolia dhe që janë shumë frytdhënës për katikumenët.
Zyra e Katekizmit në Mitropolinë e Gjirokastrës
Me bekimin e Hirësi Dhimitrit, që nga viti 2006, por edhe më parë, zhvillohet mësimi i katekizmit në shumë qytete dhe fshatra të mitropolisë. Aktualisht funksionojnë rreth 20 klasa katekizmi, në qytete e fshatra, ku katekizohen periodikisht rreth 300 fëmijë. Përveç katekizmit me fëmijët, janë njëkohësisht edhe grupet e moshave më të rritura, të cilat janë emërtuar “Studimi i Shkrimit të Shenjtë”. Ka edhe grupe studentore katekizuese me studentë nga universiteti. Po ashtu katekizmi kryhet edhe në ato institucione arsimore të krijuara dhe financuara nga Kisha, si në konviktin kishtar të vajzave në Bularat dhe shkollat e mesme në Mesopotam etj. Katekizmi vazhdon edhe gjatë verës me kampe për gjimnazistët dhe për fëmijët që organizon Mitropolia.
Zyra e Katekizmit në Mitropolinë e Apollonisë dhe Fierit
Edhe në këtë Mitropoli të re katekizmi ka nisur shumë më herët, që nga viti 1994, por, me fronëzimin e Hirësi Nikollës në vitin 2016, nisi punën edhe Zyra e Katekizmit e kësaj Mitropolie, ku ka shumë popullsi me traditë orthodhokse. Që nga viti 2016 është punuar në gati 19 zona të mitropolisë. Në shumicën e këtyre zonave është punuar si me fëmijët e të rinjtë ashtu dhe me prindërit dhe persona të moshave të treta. Gjatë kësaj periudhe kanë kontribuuar rreth 14 katekistë, klerikë edhe laikë, me rreth 400 persona. Katekizmi zhvillohet edhe në qendrën me aftësi të kufizuara, po ashtu në vizita të përmuajshme në “Shtëpinë e të Moshuarve” në Fier dhe vizita katekizuese në Institutin e dënimit në Fier, në shtëpitë e besimtarëve dhe në kampet verore për fëmijë që organizon Mitropolia e Fierit.
Zyra e Katekizmit në Mitropolinë e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit
Katekizmi në këtë mitropoli të re ka qenë pjesë e Zyrës së Katekizmit të Kryepiskopatës, por në vitin 2016, me fronëzimin e Hirësi Andonit, starton edhe Zyra e Katekizmit të Mitropolisë. Në të shërbejnë 12 katekistë, që bashkëpunojnë me 13 klerikët e Mitropolisë së Elbasanit, të cilët kujdesen për rritjen në besim të fëmijëve, të rinjve dhe prindërve dhe fuqizimin e komunitetit orthodhoks. Zonat në të cilat ofrohet katekizëm dhe programe të ndryshme janë gati 16. Nëpërmjet këtyre programeve përfitojnë 550 fëmijë, 130 adoleshentë, 100 të rinj, po ashtu 130 prindër që kanë ndjekur takimet e ndryshme katekizuese. Katekizmi kryhet edhe në kampet verore ditore, që janë bërë tashmë traditë disavjeçare dhe janë shumë të dashura e të domosdoshme për fëmijët dhe të rinjtë.
***
Dhjakonia e katekizmit kryhet jo vetëm nga zyrat e katekizmit të mitropolive, por edhe studentët e Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, ku sot gjendet Departamenti i Theologjisë i Universitetit “Logos”. Përveç mësimeve të katekizmit të katikumenëve të moshave nga 4-16 vjeç, studentët zhvillojnë edhe kampe ditore nëpër qendrat ku Akademia zhvillonte katekizmin. Si rrjedhojë e gjithë këtij aktiviteti katekizues është bërë e mundur përhapja e Ungjillit në qindra fëmijë, prej të cilëve shumë u pagëzuan dhe u bënë anëtarë të rinj të Kishës Orthodhokse.
Gjithashtu duhet të përmendim Zyrën Qendrore të Fëmijëve, që sot ka 13 katekistë dhe që nga viti 2001, në bashkëpunim me zyrat e katekizmit të Kryepiskopatës dhe të mitropolive, ka përhapur lajmin e mirë të Ungjillit të Krishtit dhe ka katekizuar me aktivitete të përjavshme. Gjatë këtyre 21 viteve, është punuar në 17 grupe ose zona dhe janë katekizuar 6815 fëmijë. Po ashtu në aktivitetet për Krishtlindjet, në 20 vite së bashku, kanë marrë pjesë 7535 fëmijë; për Pashkë 15955 fëmijë dhe në kampet verore ditore kanë marrë pjesë dhe janë katekizuar 8785 fëmijë.
Që nga viti 1994, kontribut për katekizmin ka dhënë dhe vazhdon të japë zyra e Rinisë “Bijtë e Dritës” dhe Qendra studentore në kryeqytet, ku çdo javë katekizohen me biseda shpirtërore rreth 50-70 të rinj e të reja.
*
Në kuadër të shërbimit të katekizmit, një kontribut me vlerë e ofron edhe “Lidhja e Grave Orthodhokse”, që filloi shërbimin e saj në vitin 1992. Zyra e grave organizon takime periodike katekizmi dhe nëpërmjet këtyre programeve përfitojnë rreth 50-60 gra në takimet javore dhe 120-150 gra në takimet periodike gjatë vitit, këtu përfshihen edhe grupet e Durrësit, Kavajës, Shkodrës.
*
Në këtë dhjakoni katekizmi kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe kampet verore. Kjo mënyrë katekizuese nisi me iniciativën e Kryepiskopit, i cili vetë ka qenë një kampist dhe pastaj drejtues në kampe të Kishës Orthodhokse. Fillimi i kampeve për djem “Rilindja” e ai “Bariu i mirë” për vajza, daton që nga viti 1996 e deri në 2020, kur kemi një ndërprerje për shkak të pandemisë. Këtë vit u zhvilluan përsëri kampe në Voskopojë, Boboshticë, Glikomil. Në këto kampe përparësi i jepej studimit biblik dhe katekizmit për pagëzim. Gjatë 23 viteve në kampe kanë marrë pjesë rreth 14000 fëmijë dhe të rinj dhe janë pagëzuar 1600 nga ata.
Për gjithë këtë vepër katekizuese nevojitet edhe një buxhet i veçantë, që sipas zyrës së financës, nga viti 2011 deri në 2021, për gjithë dhjakoninë e katekizmit, për të gjitha zyrat, të Kryepiskopatës dhe mitropolive, por edhe për zyrat që janë marrë me katekizëm, janë shpenzuar nga buxheti i Kishës 269,876,625 lekë.
Si përfundim, duke kujtuar vetëm disa gjëra, aq sa na i lejon koha për këtë punë kaq të madhe të dhjakonisë së katekizmit të bërë për afro 30 vjet me bekimin, iniciativën, mbështetjen shpirtërore dhe financiare të Kryepiskopit, Sinodit dhe të shumë klerikëve e laikëve të huaj dhe vendas dhe, mbi të gjitha, me hirin dhe për lavdi të Zotit, le të shikojmë përpara me besim dhe përgjegjësi që edhe për shumë vite të tjera me në krye Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas, Mitropolitët, Episkopët, le të vazhdojmë si klerikë edhe laikë këtë dhjakoni të domosdoshme të katekizmit, duke kujtuar gjithmonë urdhëresën aktuale të Zotit: “Shkoni nëpër të gjithë botën dhe predikoni ungjillin nëpër gjithë krijesën” (Mark. 16-15), duke iu lutur gjithashtu të Zotit të të korrave që të nxjerrë punëtorë të rinj se: “të korrat janë të shumta, por punëtorë janë të paktë” (Mt. 9-37).