Psaltiri është libri më i njohur i jetës adhuruese të Kishës sonë, i pranishëm çdo ditë në çdo shërbesë të Natë-Ditës (Mbrëmësore, Mëngjesore, Orë, Pasdarka, Mesnata etj.) dhe në formën e vargjeve të veçanta ose të psalmeve, në Liturgjinë Hyjnore dhe në Misteret e tjera. E gjithë himnologjia e Kishës sonë mbështetet mbi psalmet. Madje në manastire përfshihet në Shërbesa në formën e të ashtuquajturave Kathizma (grupe psalmesh që vijnë njëri pas tjetrit). Kështu, brenda ciklit të shërbesave të javës, lexohet i plotë Psaltiri me të 150 psalmet e tij. Gjatë periudhës së Kreshmës së Madhe lexohet dy herë në një javë, kaq shumë i dashur është për Kishën tonë.
Profeti David e hartoi i frymëzuar prej Shpirtit të Shenjtë, prandaj vargjet e tij ngërthejnë kuptime të thella. Psaltiri, sipas shën Vasilit të Madh, është “thesari publik i mësimit shpirtëror”, “një spital i përbashkët që përmban shërimin nga çdo pasion”.
Psalmet u përkthyen për herë të parë në gjuhën shqipe nga Konstandin Kristoforidhi, në vitet 1868-1872, dhe u ribotuan disa herë nga Shoqëria Biblike, deri në vitin 1928, kur u paraqit një variant i korrektuar nga Athanas Sina në Korçë.
Psalmet dhe Dhiata e Re të përkthyera nga Kristoforidhi mbizotëruan në jetën e orthodhoksëve të Shqipërisë për një kohë të gjatë dhe gjenden në të gjitha botimet e mëvonshme zyrtare të Shërbesave kishtare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Puna për botimin e tanishëm të Psaltirit nisi me bekimin dhe përkujdesjen e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit. Ai dha i pari idenë e përmbledhjes së psalmeve ekzistuese në Shërbesat e ndryshme të Kishës dhe të pasurimit të tyre me pjesën tjetër të psalmeve të përkthyera në gjuhën shqipe deri më atëherë, duke i krahasuar dhe përshtatur ato me variantin në origjinal të të Shtatëdhjetëve, që është varianti zyrtar i Kishës Orthodhokse.
Ky botim është bazuar kryesisht në përkthimin e Psalmeve të Konstandin Kristoforidhit. Në mendimin e përgjithshëm të Kishës sonë Orthodhokse, siç shprehet edhe në parathëniet e botimeve në shqip të shërbesave të viteve 1930 dhe 1956, përkthimi i Kristoforidhit është më afër frymës së origjinalit dhe rrjedh natyrshëm në gjuhën shqipe. Ai përvetësohet lehtësisht nga çdo lexues, pavarësisht formimit apo shkollimit të secilit. Për këtë arsye, siç u tha edhe më lart, u morën për bazë dhe u panë të gjitha psalmet që janë përdorur deri më sot në librat e shërbesave të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Duke i krahasuar me tekstin e Psalmeve Kristoforidhit, vumë re se ato ishin identike, përveç faktit që ishin përshtatur më tej si nga ana gjuhësore, ashtu edhe ajo kuptimore, duke e sjellë më afër me versionin e Psalmeve të përdorura zyrtarisht në Kishën Orthodhokse. Puna e bërë nga brezat e mëparshëm, ku midis tyre mund të përmendim gjuhëtarë të shquar si Kristaq Cipo, Sotir Paparisto etj. dhe teologë të njohur si Dhimitër Beduli etj., shërbeu edhe për grupin tonë të punës si busull nga ana e metodikës dhe e rrugës së zgjedhur për të realizuar një përshtatje sa më profesionale dhe pa cenuar çdo gjë të vyer që ishte arritur me shumë mund.
Për këtë arsye, grupi i punës, i drejtuar nga Kryepiskopi Anastas, si edhe në rastin e botimit të Dhiatës së Re të përkthyer në shqip nga Kristoforidhi, vendosi që edhe për Psalmet të përzgjedhë po përkthimin e Kristoforidhit dhe ta përshtatë në gjuhën e sotme shqipe si dhe me variantin e të Shtatëdhjetëve. Vështirësitë e një pune të tillë janë të shumta, aq më tepër kur ka ende shumë mangësi dhe boshllëqe në shumë përkthime të tjera analoge të Psalmeve në gjuhën shqipe dhe në këtë fushë konfuzioni është mjaft i madh.
Fillimisht u punua për përshtatjen e psalmeve sipas standardit gjuhësor letrar të sotëm, paralelisht me ruajtjen e stilit dhe tërë frymës së përkthimit të Kristoforidhit. Gjithashtu u bë përshtatja kuptimore sipas variantit të të Shtatëdhjetëve, që ishte faza e dytë e punës, disi më e vështirë për faktin se kërkimi duhej bazuar në kuptimin e Psalmeve sipas traditës interpretuese të Kishës Orthodhokse. Në këtë fazë u mbështetëm gjerësisht në përkthimet e psalmeve të përdorura dhe të pranuara në Kishën Orthodhokse. Në greqishten e re, u bazuam në variantet e profesorëve të shquar Panajot Trembela si dhe të Athanas Delikostopoulos, që janë shoqëruar me shpjegime nga Etërit e Kishës. Në gjuhën angleze morëm për bazë psalmet e përkthyera në anglisht në Orthodox Study Bible, një botim mjaft cilësor i përbashkët i të gjitha Kishave Orthodhokse, i miratuar nga Asambleja e Episkopëve Orthodhoksë të Amerikës së Veriut, si dhe botimi në frëngjisht. Gjithashtu psalmet u krahasuan edhe me variantet më të përdorura sot në rusisht dhe italisht, që nuk janë formuluar prej orthodhoksëve.
Faza e tretë ishte ajo e krehjes së teksteve dhe e lëmimit të mëtejshëm gjuhësor, duke i bërë më të kuptueshme dhe të lehta për t’u lexuar, por duke ruajtur kuptimin e tyre, si dhe stilin origjinal të Kristoforidhit për sa kjo ishte e mundur.
Kjo punë e mundimshme e bërë me shumë lutje, kujdes dhe zell nuk do të arrihej pa kontributin e madh të të gjithë atyre që dhanë ndihmë të çmuar në realizimin e këtij botimi. Falënderimi dhe mirënjohja kryesore i takon Kryepiskopit Anastas, i cili mori iniciativën për këtë botim dhe bekoi tërë punën në tërësi, si dhe grupit të punës.
Natyrisht, që “asnjë variant përkthimi apo interpretim i Shkrimit të Shenjtë nuk është përsosmëri absolute, dhe as është përfundimtar”, na thotë Kryepiskopi Anastas në parathënien e botimit të Dhiatës së Re në shqip. Patjetër që në këtë botim ka ende shumë gjëra për t’u përmirësuar dhe kjo është punë që duhet kryer pa ndërprerje dhe pa u lodhur, duke qëmtuar me një frymë lutjeje dhe bashkëpunimi, nga të gjithë ata që kanë aftësi për të ofruar dhe bashkëpunuar në këtë fushë. Edhe botimi i tanishëm, pas shumë vitesh, është një përpjekje e re për të pasur një variant sa më të plotë dhe besnik të Psaltirit, që do t’u shërbejë Orthodhoksëve në jetën e tyre adhuruese, duke përmbushur një nevojë të madhe në këtë fushë dhe do të pasurojë më tej lutjen personale, sepse, sipas traditës së Kishës sonë, Psaltiri është pjesë e pandarë edhe e lutjes personale, dhe e meditimit të çdo orthodhoksi.
T.B.