Shpëtomë, o Zot, se nuk mbeti njeri i drejtë, dhe ata që duan të vërtetën u pakësuan ndër bijtë e njerëzve.
Gjithkush gjëra të kota tha duke folur me të afërmit e vet; me buzë të liga e me zemër foli të këqia.
I zhduktë Zoti të gjitha buzët e liga dhe gjuhën që flet me mendjemadhësi.
Ata që thanë: Me gjuhën tonë zmadhojmë gjithçka; buzët tona janë për ne; kush është zot mbi ne?
Për vuajtjen e të varfërve dhe për klithmën plot ankth të nevojtarëve, tani do të ngrihem, thotë Zoti; do t’i shpëtoj dhe do t’i mbroj ata.
Fjalët e Zotit janë fjalë të dëlira, janë argjend i sprovuar në zjarr në enë balte, shtatë herë i kulluar.
Ti, o Zot, do të na ruash e do të na mbrosh ne nga ky brez në jetë e në jetë të jetëve.
Të pabesët sillen rreth e rrotull; por ti, sipas lartësisë tënde u kujdese për bijtë e njerëzve.