Të mësojmë lutjet tona
Psalmi 36
I Davidit.
Mos ki zili për të ligjtë, as mos dëshiro ata që veprojnë paudhësinë.
Se shpejt do të thahen si bari, dhe si barishte e njomë shpejt do të fishken.
Shpreso në Zotin e bëj të mirën dhe qëndro në tokë e do të kullosësh pasurinë e saj.
Kërkoje kënaqësinë tënde tek Zoti, dhe ai do të të japë ato që kërkon zemra jote.
Zbuloja Zotit udhën tënde dhe shpreso në të, dhe ai do ta kryejë.
Do ta bëjë drejtësinë tënde të ndriçojë si drita, dhe të drejtën tënde si mesdita.
Nënshtrohu para Zotit, dhe lutju atij; mos u mërzit për atë që përparon në rrugën e vet, dhe për njeriun që bën paudhësi.
Pushoje tërbimin dhe lëre zemërimin, mos ki zili që edhe ti të bësh të ligën.
Se keqbërësit do të shfarosen, dhe ata që shpresojnë në Zotin, do të trashëgojnë tokën.
Se edhe pak e i pabesi nuk do të jetë më, dhe do ta kërkosh vendin e tij, dhe s’do ta gjesh.
Dhe të urtët do ta trashëgojnë tokën, dhe do të kënaqen me paqe të begatë.
Mëkatari do ta shohë shtrembër të drejtin, dhe dhëmbët do të kërcëllojë kundër tij.
Dhe Zoti qeshet me të, se parashikon që dita e vet do të vijë.
Mëkatarët shpatën zhveshën dhe harkun e tyre tendosën, të godasin të varfërin dhe nevojtarin, që të therin zemërdrejtët.
Shpata e tyre do të hyjë në zemrat e tyre, dhe harqet e tyre do të thyhen.
Më mirë vlen e pakta e të drejtit, se pasuria e shumtë e mëkatarëve.
Se krahët e mëkatarëve do të thyhen, dhe Zoti do të mbështetë të drejtët.
Zoti i njeh ditët e njerëzve të panjollë dhe trashëgimia e tyre do të jetë në jetë të jetëve.
Nuk do të turpërohen në kohë të liga, dhe do të jenë të ngopur në kohë urie.
Se mëkatarët do të humbin dhe armiqtë e Zotit sapo të mburren e të lartësohen, do të zhduken siç shpërndahet tymi.
Mëkatari merr hua dhe nuk jep dhe i drejti është i mëshirshëm dhe jep.
Se ata që atë bekojnë do të trashëgojnë tokën, dhe ata që e mallkojnë do të shfarosen.
Hapat e njeriut të mirë drejtohen nga Zoti, se ai fort e pëlqen rrugën e tij.
Nëse bie, nuk shqetësohet, se Zoti e mban për dore.
I ri qeshë dhe tani u plaka, dhe nuk pashë njeri të drejtë të braktisur, as farën e tij të lypë bukë.
I drejti tërë ditën është përdëllimtar dhe jep hua, dhe fara e tij do të jetë bekim.
Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të qëndrosh në jetë të jetëve.
Se Zoti do gjykim të drejtë, dhe nuk i braktis oshënarët e tij; në jetë të jetëve do t’i ruajë ata dhe të paligjët do të dëbohen dhe fara e të pabesëve do të shfaroset.
Dhe të drejtët do të trashëgojnë tokën, dhe do të banojnë mbi të në jetë të jetëve.
Goja e të drejtit ligjëron dituri dhe gjuba e tij shqipton gjykim të drejtë.
Ligji i Perëndisë së tij është në zemrën e tij dhe hapat e tij s’do të lëkunden.
Mëkatari përgjon të drejtin dhe kërkon ta vrasë.
Dhe Zoti nuk do ta lerë në duart e tij, dhe nuk do ta dënojë kur të vijë për gjykim.
Prite Zotin dhe ruaje rrugën e tij, dhe lart do të të ngrejë që tokën të trashëgosh; dhe kur mëkatarët të shfarosen, do ta shohësh.
E pashë të pabesin të mburret, dhe të lartësohet si kedrat e Libanit.
Dhe kalova përsëri, dhe ja që ai nuk ishte, dhe e kërkova atë, por nuk u gjet as vendi i tij.
Ruaje pastërtinë dhe shiko drejtësinë, se do të ketë trashëgim për njeriun paqësor.
Dhe shkelësit e ligjit do të zhduken të gjithë menjëherë, mbeturinat e të pabesëve do të shfarosen.
Dhe shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; dhe ai është mbrojtësi i tyre në kohë shtrëngese.
Dhe Zoti do t’i ndihmojë dhe do t’i çlirojë ata, dhe do t’i shpërbleje ata nga mëkatarët dhe do t’i shpëtojë, se tek ai shpresuan.
Lavdi Atit… Tani… Aliluia.