EmailFacebookKontakt

Psallmi II

Të mësojmë lutjet tona

Psallmi II

1 Përse kombet ngrenë krye,
dhe gjëra boshe mendojnë popujt
2 Mbretërit e tokës takohen
dhe prijësat së bashku mblidhen
kundër Zotit dhe kundër të mirosurit të tij,
duke thënë:
3 T’i këpusim lidhjet e tyre
dhe zgjedhën e tyre tej nesh ta hedhim.

4 Ai që rri në qiejt do të qeshë;
dhe Zoti do të tallet me ta.

5 Atëherë në mëri të vet do t’u flasë atyre,
dhe në zemërim të vet do t’i shkundë.
6 Por unë u vura prej tij mbret
mbi Sion, mal i tij i shenjtë.

7 Unë do të shpall urdhërin e Zotit:
Zoti më tha: Ti je biri im,
unë sot të linda ty.
8 Kërko prej meje dhe për trashëgimin tënd
kombet do të t’i jap,
dhe tokën anembanë në zotërimin tënd.
9 Me shkop të hekurt do t’i kullosësh;
si enë poçari do t’i thyesh.
10 Dhe tani, o mbretër, urtë qëndroni;
ndrequni, o gjykatës të dheut.
11 Me frikë Zotit t’i shërbeni
dhe gëzohuni duke u dridhur.
12 Merrni dije, se mos Zoti zemërohet ndonjëherë
dhe nga rruga e drejtë humbisni,
13 se shpejt zemërimi i tij do të ndizet.

Lum ata që tek ai do të shpresojnë!