“Po të them se ti je Pjetër, dhe përmbi këtë shkëmb do të ndërtoj kishën time; dhe dyert e hadhit nuk do të kenë fuqi përmbi të” (v. 18).
Më 29 qershor nderojmë kujtimin e apostujve të shenjtë dhe të lavdëruar, të protokorifenjve Petro dhe Pavli, kolona të forta të Kishës së Krishtit dhe “themele të pathyera” siç i përmend himni kishtar. Që të dy, me predikimin e tyre dhe përmes një rruge të vështirë, përhapën besimin e vërtetë dhe u munduan për forcimin dhe përparimin e Kishës. Gjithashtu, në Ungjillin e sotëm përmendet besimi i drejtë për Shpëtimtarin, që shpalli Petroja në emër të të gjithë apostujve.
I
E vërteta për Zotin Krisht
Zoti ndodhej me nxënësit e Tij në krahinën e Qesarisë së Filipisë. Në një çast u parashtroi pyetjen: “Cili thonë njerëzit se jam unë?” Nxënësit filluan të përmendnin se çfarë dëgjuan të thuhet për Zotin: Disa thonë se është Joan Pagëzori. Të tjerë se është Ilia, të tjerë mendojnë se është Jeremia ose një nga profetët… Këto thanë nxënësit. Atëherë Zoti u parashtron atyre të njëjtën pyetje: “Po ju, cili thoni se jam unë?” Në atë çast Petroja, në emër edhe të apostujve të tjerë, thotë: “Ti je Krishti, biri i Perëndisë së gjallë” (v. 16). Bëri, pra, dëshminë e drejtë. Formuloi dhe shpalli të vërtetën në mënyrë të saktë. Prandaj dhe Zoti e lavdëroi: “I lumtur je, Simon, bir i Jonait, sepse nuk ta shfaqi të vërtetën ndonjë njeri, por Ati qiellor” (v. 17).
Ky besim i drejtë për Krishtin dallon pasuesit e pastër të Zotit Krisht nga ata që mashtrohen. Dhe sot, nëse pyesni për Krishtin, do të dëgjoni përgjigje të ngjashme me ato që jepnin bashkëkohësit e tij judenj. Disa do të thonë se Zoti ishte një njeri i urtë, siç ishte, për shembull, Sokrati… Të tjerë e quajnë mësues shumë të lartë të moralit. Të tjerë e bashkërenditin midis atyre që themeluan një fe… Pra, e konsiderojnë thjesht si njeri të rëndësishëm dhe asgjë më tepër. Por ekzistojnë heretikë dhe mashtrues si jehovatë, të cilët e konsiderojnë Zotin Jisu si më të lartin nga njerëzit, por jo Perëndi të vërtetë. Por ky opinion nuk është e vërteta, është herezi, është mashtrim, është pabesi. Po, gabim të madh bëjnë të gjithë ata që e nënvlerësojnë dhe e ulin Jisu Krishtin në nivelin e njerëzve. Zoti Krisht është Ai që tha apostulli Petro: “Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë”. Mesia i mirosur, që e prisnin shekujt është Një, i Vetëmlinduri Bir i Perëndisë nga natyra dhe Perëndi i vërtetë, i Cili, në një kohë të caktuar, u bë dhe njeri “për shpëtimin tonë”. Shumë të urtë jetuan mbi dhe dhe predikuan shumë teori, por këto nuk ishin e vërteta, ishin thërrime të së vërtetës; kurse predikimi i Zotit Krisht është e vetmja e vërtetë e pakapërcyeshme, urtësia hyjnore. Asnjë nga të urtët e botës nuk e ndryshoi rrjedhën e historisë si Jisu Krishti. Asnjë nuk mundi ta shpëtojë dhe ta shpërblejë njeriun, asnjë tjetër nuk e rinovoi shoqërinë njerëzore dhe zbuti njerëzit e egër përveç Zotit Krisht. Si u bënë të gjitha këto? U bënë sepse Jisu Krishti ishte dhe është Biri i Perëndisë së vërtetë. Kjo e vërtetë, të cilën e shpalli apostulli Petro, duhet të jetë besimi dhe ndjenja jonë e palëkundur. Mbi këtë besim të drejtë mbështetet Kisha e Zotit Krisht, thotë Zoti në vazhdim të Ungjillit të Tij të shenjtë që dëgjuam sot.
II
Fuqia e pathyeshme e Kishës
Siç thamë, Zoti e lavdëroi Petron për besën e drejtë dhe shtoi: “Ti je Pjetër dhe përmbi këtë shkëmb – të besës së vërtetë që dëshmove – do të ndërtoj Kishën time dhe dyert e hadhit – fuqitë e së keqes – nuk do të kenë fuqi përmbi të” (v. 18). Dhe Petros, i cili me dëshminë e drejtë u tregua guri i gjallë i ndërtesës shpirtërore të Kishës, i tha Zoti: “Do të të jap ty kyçet e mbretërisë së qiejve; dhe ç’të lidhësh mbi dhe, do të jetë lidhur në qiejt; dhe ç’të zgjidhësh mbi dhe, do të jetë zgjidhur në qiejt” (v. 19). Këtë pushtet, pas ngjalljes së Tij, Zoti ua dha të gjithë apostujve të Tij. Është pushteti i faljes së mëkateve të njerëzve, pushteti i Kishës dhe i Etërve të saj në mënyrë të përgjithshme.
Por fjala e Zotit për fuqinë e pathyeshme të Kishës duhet të tërheqë përkujdesjen tonë. “Dhe dyert e hadhit – fuqitë e së keqes – nuk do të kenë fuqi përmbi të”. Kjo është një profeci dhe vërtetim i Zotit për fuqinë e pathyeshme të Kishës dhe pushtetin e saj të pakapërcyeshëm. Atëherë, këto fjalë të Zotit ishin profeci, ndërsa tani përbëjnë realitet historik një mijë herë të dëshmuar. Eksperienca dhe jeta njëzetshekullore na siguron se me të vërtetë Kisha e Zotit Krisht kur luftohet, fiton, kur digjet, triumfon. Pa ushtri dhe armë, pa fuqi materiale, përgjatë njëzet shekujve i mundi përndjekësit e saj më të fortë, i mposhti tiranët dhe triumfoi. Të gjitha këto pa ushtruar dhunë, përkundrazi me flamurin e saj, domethënë dashurinë, lirinë, përulësinë, besimin dhe butësinë. Kisha me të vërtetë përbën një çudi të vazhdueshme. Si e arriti këtë? Ku qëndron fuqia e saj? Fuqinë e thith nga kreu i saj që është Krishti. Ky gjallëron Kishën, që është trupi i Tij, gjymtyrë të të cilit janë pasuesit e Tij besnikë.
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Lum sa jemi gjymtyrë të Kishës së Tij, sa lidhemi, nëpërmjet mistereve të shenjta, me Krishtin, sa drejtohemi prej Tij dhe lum të mbetemi, deri në frymën e fundit, në ushtrinë e bekuar të Kishës së shenjtë të Krishtit, me ndërmjetimet e apostujve të shenjtë dhe protokorifenjve Petro dhe Pavël, të cilët aq shumë u munduan për të. Amin.