EmailFacebookKontakt

Protestë – Në përkrahje të KOASH dhe kundër incidentit me pasoja përçarëse në kishën e “Shën Marisë” në Elbasan

Presidentit të Republikës, z. Sali Berisha
Kryetarit të Qeverisë, z. Aleksandër Meksi
Kryetarit të Parlamentit, z. Pjetër Arbnorit
Komitetit Shqiptar të Helsinkit
Trupit Diplomatik të Akredituar në Shqipëri
Patrikanës së Konstandinopojës dhe Këshillit Botëror të Kishave
Për dijeni: Organeve të Shtypit, RTVSH, BBC, Voice of America etj.

Lënda: Në përkrahje të KOASH dhe kundër incidentit me pasoja përçarëse në kishën e “Shën Marisë” në lagjen Kala të Elbasanit.

Besimtarët Orthodhoksë beratas dënojnë me indinjatë ngjarjet e shëmtuara që ndodhën në Kishën Orthodhokse të “Shën Marisë” të Elbasanit si dhe reklamimin e bujshëm të tyre, në mënyrë të njëanshme e të rreme nga RTVSH, disa gazeta e radio të shquara për ndjenjat e tyre antikristianorthodhokse. KOASH-i është institucion zyrtar i njohur nga shteti shqiptar dhe të gjitha Kishat e Krishtera të botës. Ai ka strukturat e tij dhe zbaton rigorozisht Kanunet e Sinodit të Shenjtë Ekumenik. KOASH në veprimtarinë e vet të shenjtë nuk lejon të shkelet asnjë parim kanonik nga kushdo qoftë. Ngjarja e Elbasanit, duke qenë jashtë kanuneve kishtare të shenjta e të pacënueshme, është e paligjshme dhe çdo trumbetim nga mjetet e medias shtetërore apo gazeta partiake është agresion kundër Orthodhoksisë dhe përbën mbështetje për antiligjin.

Nuk është e para herë që ndërmerren veprime të tilla kundër KOASH-it. Janë bërë të neveritshëm për orthodhoksët shqiptarë emra deputetësh, politikanësh, pushtetarësh, si dhe gazeta, stacione radiosh etj., të ndërsyer kundër Kristianizmit Orthodhoks, por më i urryeri është bërë emri i qytetarit të Beratit, Sejfi Protopapa me fe islame, i shquar si frymëzuesi dhe organizatori kryesor i kësaj lufte kundër Kishës me të vjetër të shqiptarëve. Cili është beu Sejfi Protopapa, protagonisi i konfliktit të Elbasanit? Pasi braktisi Rininë Komuniste (për arsye se raca e bejlerëve, të cilës i përkiste ishte bashkuar me okupatorët dhe ai nuk kishte me perspektivë karriere) ai kaloi me Rininë e Ballit, ku u emërua Kryetar i saj për qarkun e Beratit. Gjatë viteve 1943 – 44 bashkëpunoi me pushtuesit e huaj dhe pas kapitullimit, u arratis së bashku me ushtrinë Hitleriane e u strehua në SHBA. Pikërisht ky pseudopatriot, figurë e djegur e historisë, inskenon sot veprime të tilla të rrezikshme, që tentojnë të përçajnë jo vetëm orthodhoksët, por edhe shqiptarët me fe të ndryshme duke vënë në rrezik bashkëjetesën paqësore, të konsoliduar nëpër shekuj.

Duke qenë një veprim antiligjor, edhe personazhet e kësaj tragjikomedie, Arian Koja e Nikollë Marku, të vënë në rolin e marionetave të bindura të S. Protopapës e të gjithë atyre që fshihen pas tij, janë të pavlefshme. Vetëemërimi i tyre dhe veshja me petkun fetar është thyerje flagrante e kanunit të shenjtë të Kishës, element ky që i shtohet ngjarjes së Elbasanit dhe e nxjerr atë tërësisht të paligjshme. Për më tepër hyrja me forcë në kishën e “Shën Marisë” dhe shoqërimi prej personave të armatosur është një veprim banditesk, që ka si qëllim kërcënimin e gjithë atyre besimtarëve orthodhoksë që nuk i binden “ligjit dhe Maliqit me shkop”, të deklaruar nga A. Koja. Pushtimi në këtë mënyrë i kishës mijëravjeçare orthodhokse përbën një fyerje të rëndë jo vetëm ndaj KOASH, por edhe ndaj gjithë besimtarëve orthodhoksë që respektojnë bindjet vëllazërore të Kristianizmit.

Ajo që na shqetëson, duke na detyruar të protestojmë, është jo vetëm veprimi banditesk i këtyre të pafeve, por edhe implikimi në ngjarje i disa segmenteve që i përkasin shtetit. Më konkretisht: Të shtunën më 7 tetor, thuhet se Kryetari i Bashkisë së Elbasanit z. Emin Haxhiademi, i ka bërë thirrje elbasanasve të të dy besimeve të “pushtojnë” kishën orthodhokse të “Shën Marisë”. Më 8 tetor TVSH ndodhet në kishë dhe filmon tërë ngjarjen, duke mos bërë këtë veprim në Korçë, ku po atë ditë kreu i KOASH-it, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, përuroi ndërtimin e kishës së re arumune, në prani të personaliteteve lokale dhe diplomatike. Një javë më vonë, më 15 tetor, kronika e Elbasanit do të jepej në TV, e komentuar prej kronikanit me besim islam F. Samarxhi. Element i tretë është mosndërhyrja e forcave të Rendit ndaj një ngjarjeje antiligjore në kishën orthodhoksë të njohur nga Shteti shqiptar dhe bota.

Në këto kushte, ne orthodhoksët e qytetit 2400-vjeçar të Beratit, ju drejtohemi Juve për të ndikuar me autoritetin Tuaj në marrjen e masave për garantimin e të drejtës së ushtrimit të lirisë fetare sipas ligjeve kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjithashtu, kërkojmë të respektohen nga Qeveria Shqiptare Konventat Ndërkombëtare, të nënshkruara prej saj, për lirinë e ushtrimit të besimit, si edhe të përdoret pushteti i Shtetit Ligjor ndaj uzurpatorëve të kishës së “Shën Marisë” që vazhdojnë të mbajnë të pushtuar këtë pronë të KOASH-it.

Me respekt,

Intelektualët dhe besimtarët orthodhoksë të qytetit të Beratit

Shënim: Gazeta ka botuar edhe një tjetër peticion nga Berati, që dënon veprimet sakrilegje të ndodhura në Elbasan, por me kërkesën e Shoqatës së Intelektualëve Orthodhoksë të qytetit, po botojmë edhe këtë Protestë drejtuar autoriteteve më të larta të shtetit etj.