EmailFacebookKontakt

“Protagonistët” – Shkolla është zgjeruar në mjedise dhe nxënësit janë shtuar…

Mes shumë institucionesh arsimore që nga kopshtet e deri tek shkollat e niveleve të ndryshme, që Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas ka ngritur anekënd Shqipërisë, është edhe shkolla fillore shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, e cila ngrihet në vendin më të bukur të kryeqytetit tonë, në kodrat e Liqenit Artificial. Stafi i shkollës së bashku me prindërit dhe fëmijët i janë mirënjohës Fortlumturisë së Tij për këtë dhuratë kaq të bukur dhe për interesimin në mbarëvajtjen e fëmijëve dhe në krijimin e kushteve sa më të mira për përgatitjen e “Protagonistëve të së ardhmes”, emër që ai e ka zgjedhur për shkollën tonë.

Këtë vit mësimor shkolla është zgjeruar me mjedise dhe numri i nxënësve që ndjekin shkollën është rritur. Klasat janë të pajisura me të gjitha orenditë e nevojshme dhe fëmijët ndjehen mirë. Funksionon dhoma e kompjuterave dhe biblioteka me një numër të mjaftueshëm librash në shqip e anglisht. Çdo ambient i shkollës është i këndshëm. Muret e klasave dhe korridoreve janë të stolisura nga duart e fëmijëve nën drejtimin e palodhur të mësueses së artit. I gjithë stafi mundohet të përçojë dije të sakta dhe shkencore tek nxënësit. Mësuesja e klasës së tretë, Rezarta Kalca, e zgjedhur si kryetare e departamentit të mësuesve, është kurdoherë e gatshme me mendimet dhe përvojën e saj të ndihmojë koleget e saj më të reja. I gjithë stafi është i interesuar që shkolla të ruajë emrin e saj të mirë në mjediset tona shoqërore.

Po këtë përkushtim në punë ka edhe mësuesja e anglishtes, muzikës dhe ai i edukimit fizik.

Shannon Sakellariu, drejtore e shkollës, ka bërë një punë të lavdërueshme në përzgjedhjen dhe në trajnimin e mësuesve me përvojat e përparuara amerikane, sidomos në orët e mësimit me qendra. Ajo ka qenë dhe është gjithmonë e gatshme, me profesionalizmin e saj, në dhënien e mendimeve të sakta për zgjidhjen e çdo problemi.

Shannon dhe Georgia, të dyja misionare amerikane, japin një ndihmesë të madhe në Kishën tonë. Ndihma është sa shkencore po aq dhe shpirtërore.

Në shkollë ndihemi si në një familje të madhe, në saje të marrëdhënieve të drejta me njëri-tjetrin, kjo falë edhe etikës dhe sjelljes së drejtoreshës.

Në shkollë funksionojnë edhe rrethet jashtëshkollore dy herë në javë, (çdo të martë dhe të enjte), punë e filluar që vitin e kaluar. Sipas një programi të përgatitur nga mësuesit dhe me ndihmën e fondacionit “Frymë Dashurie”, në shkollën tonë funksionojnë rrethet e artit, korit, teatrit, natyralisti i vogël, klubi i leximit, ushqim shpirtëror, gjuha greke dhe violina.

Nxënësit kanë zgjedhur vetë aktivitetin që pëlqejnë dhe janë shumë të kënaqur.

Shpresojmë që dhe në të ardhmen me punën tonë të radhitemi në një ndër shkollat më të mira të kryeqytetit.

Tatjana Dodbiba,
Nëndrejtore e shkollës