Filloi viti i ri shkollor
“Protagonistët”, një vatër edukimi bashkëkohor
– Rreth 60 nxënës do të ulen në bangat e saj, në klasat e para dhe të dyta –
Nxënësit, mësuesit e prindërit, në ditën e parë të mësimit të shkollës “Protagonistët”
Në kodrat e Parkut Kombëtar të Tiranës, pranë Kishës së Shën Prokopit, që nga viti i kaluar shkollor, ka hapur dyert shkolla shqiptaro-amerikane “Protagonistët”. Ajo u konceptua dhe u ngrit me interesimin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit tonë, Prof. Dr. Anastasit dhe me fondet e vëna në dispozicion nga ai, u krijuan mjedise bashkëkohore, të pajisura më së miri, me një grup mësuesish mjaft të kualifikuar e me pasion për profesionin.
Vetë emri i shkollës, “Protagonistët”, tregon filozofinë që është në bazë të këtij institucioni arsimor; shkolla është më shumë se mësimi akademik – ajo i përgatit nxënësit për jetën. Ata duhet të jenë në të ardhmen të aftë të përballen me shoqërinë moderne. Këtij qëllimi i shërben veçanërisht përdorimi i metodave bashkëkohore amerikane të mësimit.
Një rëndësi të veçantë ka edhe aftësimi praktik i nxënësve, mësimi i kompjuterit, eksperimentet shkencore, ushtrimet fizike e lojërat në mjedisin e posaçëm dhe në natyrën e mrekullueshme që rrethon shkollën dhe sigurisht, mësimi me nivel të lartë i gjuhës angleze.
Tani që shkolla është në vitin e dytë të jetës së saj, duke parë edhe suksesin e vitit të parë, mund të shihet e ardhmja më me optimizm e me më shumë detyra e plane të reja.
Më 15 shtator, ditën e parë të mësimit, sheshi i shkollës u mbush nga prindërit e nxënësit. Lulet shumëngjyrëshe ia shtuan më tepër hijeshinë kësaj dite. Nxënësit e klasës së dytë dhanë një shfaqje të shkurtër për t’u uruar mirëseardhjen nxënësve të rinj dhe më pas përshëndeti drejtorja e shkollës, znj. Shanon Robinson. Shkolla do të ketë sivjet rreth 60 nxënës, të drejtuar në rrugën e dijes nga një trupë prej 9 mësuesish.
Korresp. i gazetës “Ngjallja”