EmailFacebookKontakt

Promovim i një Civilizimi të bashkekzistencës

Fetë dhe Kulturat: Kurajo për të përkrahur një humanizëm shpirtëror

Promovim i një Civilizimi të bashkekzistencës

Nga data 5 deri më 7 shtator 2004 në Milano të Italisë u mbajt një takim i madh ekumenik dhe ndërkombëtar, i organizuar nga komuniteti i Sante’ Egjidios në bashkëpunim me Kishën lokale të Milanos.

Në takim merrnin pjesë rreth 800 të ftuar, ndër të cilët personalitete të shquara nga kishat e Krishtera, besimi Mysliman dhe Judaik, feve të tjera historike dhe kulturore, politikanë të një niveli ndërkombëtar etj.

Tema e takimit ishte “Fetë dhe Kulturat: Kurajo për të përkrahur një humanizëm shpirtëror”.

Një ndër referuesit kryesorë të këtij takimi ishte dhe Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastasi.

Takimi filloi mbasditen e 5 shtatorit, me dëshminë dhe apelin e drejtuar nga Episkopi Orthodhoks i Osetisë së Veriut, i cili ftoi të gjithë të pranishmit të mbanin një minutë heshtje në nderim të fëmijëve që humbën jetën nga akti terrorist në shkollën e Baslanit.

Në fund, përshëndeti edhe Presidenti i Komisionit Evropian Romano Prodi.

Në ditën e dytë përfaqësuesit e 14 feve të ndryshme nga 60 vende të botës ndoqën seancat plenare me temat “Emigracioni, rast për të shprehur një humanizëm të ri”, “Kujtimi i së keqes, kurajo për të falur”, “Lufta kundër varfërisë, bariera e parë për një humanizëm të ri”, “Civilizimi i bashkekzistencës”, “Komuniteti evropian dhe tendencat për zgjerimin e tij”, “Iraku mes të sotmes e të ardhmes”, “Çfarë Islami kemi në Evropë?” etj.

Kryepiskopi Anastas ishte caktuar të drejtonte seancën me temë: “Popuj vëllezër, Kisha motra: Uniteti i të krishterëve dhe paqja në botë”, në të cilin merrnin pjesë dhe figura të shquara nga Lëvizja Ekumenike, si kardinali Walter Casper (President i këshillit pontifik për unitetin e të Krishterëve), Richard Chartes (Bishopi Anglikan i Londrës), Jean-Arnold de Clemont (President i Këshillit Evropian të Kishave), etj. Në diskutimin e tij ai theksoi se dialogu dhe uniteti i të krishterëve është një proces i gjatë dhe i vështirë, por në shekullin që kaloi kishat ndjenë nevojën për të përmirësuar lidhjet reciproke midis tyre. Kjo lidhje duhet të forcohet jo vetëm nga hierarkia e Kishës por dhe tek besimtarët e thjeshtë dhe sidomos tek brezi i ri, i cili ka nevojë për një edukim të shëndoshë të Lëvizjes Ekumenike larg ekstremiteteve të çfarëdolloj natyre qofshin ato. Është i nevojshëm një mendim më i thellë teologjik përsa i përket kishave të tjera të ndryshme nga ajo ku ne bëjmë pjesë. Shumë na akuzojnë se humbasim identitetin tonë në qoftë se marrim pjesë në Lëvizjen Ekumenike dhe në këtë mënyrë ne biem në kompromis me të tjerët duke humbur vlerat origjinale (autentike) tonat. Por ndaj tyre natyrisht që ekzistojnë përgjigje dhe prandaj ne mblidhemi në takime të tilla për t’i ndarë ato me njëri-tjetrin. Përsa i përket paqes në botë ajo nuk është rezultat i përpjekjeve tona por është dhuratë Perëndie. Atë e gjejmë të mishëruar në personin e Krishtit. Sa më shumë ne i afrohemi Atij me paqe aq më shumë ndjejmë nevojën për t’u bërë instrument të paqes…

Kryepiskopi Anastas ishte i ftuar dhe në Universitetin Katolik të Milanos, për të drejtuar seancën me temë “Lutja, forca e zbehur e të krishterëve”, midis të tjerave ai theksoi: “Për një besimtar fuqia më e rëndësishme në jetën e tij është pikërisht Lutja. Ndonjëherë ne e humbim atë duke e përqëndruar vetëm për veten tonë ose e lidhim thjesht me nevojat personale tonat. Por më e rëndësishmja sot në botë është paqja, ne duhet ta kemi paqen si çështjen kryesore të lutjes sonë. Vetëm duke pasur një besim të tillë, ne mund të ofrojmë diçka të re në komunitetin tonë. Duke besuar se lutja nuk është thjesht të thuash diçka, por është dhe dëgjim (nga Perëndia), ne kuptojmë se kush është përgjegjësia imediate që duhet të kenë të Krishterët, të punojnë dhe të përpiqen për paqen.”

Në mbasditen e 7 shtatorit në lutjen finale për paqen në Katedralen e Duomos, Kryepiskopi Anastas përpara besimtarëve të pranishëm në Kishë dhe të 15.000 (pesëmbëdhjetë mijë) të tjerëve që ndiqnin nëpërmjet monitorëve në shesh bëri një meditim rreth vargut të Ungjillit: “Perëndia është dashuri: dhe kush që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të”. (1 Joan. 4:16).

Takimi u mbyll me një procesion të të ftuarve rreth Sheshit të Duomos. Në fund çdonjëri prej tyre nënshkroi mesazhin për paqe në të gjithë botën: “Asnjë luftë s’është e bekuar, vetëm paqja është e shenjtë”.

Korresp. i “Ngjalljes”