Ishte filiz i Kristoforit të krishterë dhe i senatores, fillimisht idhulltare, Theodhosia (festohet në të njëjtën ditë), e cila u bë shpejt vejushë. Ajo e drejtoi Prokopin tek perandori Dioklecian (284 – 305) në Antioki, të cilin e bindi me para. Ai e emëroi dukë të Aleksandrisë, madje e ngarkoi që të asgjësonte pasuesit e Nazareasit. Por, duke shkuar u kthye pothuajse ashtu si apostull Pavli (29 qershor). Një mbrëmje, mbas një tërmeti dhe rrufeje, u shfaq një kryq dhe i foli (Çliruesi do t’i fliste dhe në raste të tjera në të ardhmen), që ta mbështetë. U kthye atëherë në atdheun e tij, në Jerusalem dhe predikonte Ungjillin. Duke mbajtur kryqin e çmuar të tij – një lloj eksperimenti që e siguroi për fuqinë e të Kryqëzuarit – mposhti në betejë agarinej plaçkitës. U padit tek monarku nga e ëma idhujtare e kështu që pësoi shumë për një kohë të gjatë, në Qesari të Palestinës: Gjithë ditën e shqyenin në mënyrë të frikshme, por në mbrëmje në burg Zoti e shëronte, megjithëse gjysmë i vdekur, dhe ia ndërroi emrin nga Neania, që quhej deri atëherë, në Prokop d.m.th. me prokopi, (mbarësi). Ia bënë copë fytyrën, pa nxjerrë asnjë pshertimë; u kamxhikua; u kërcënua nga një ushtar se do t’i shponin të përbrendëshmet, por ushtarit që mbante ushtën, iu tha dora e pastaj vdiq; e shtrinë në tokë dhe e rrahën me kamxhik; i vendosën në shpinë zjarre; e shponin me heje të skuqur dhe i hidhnin kripë në plagë; dorën që mbante temjan ia mbajtën me masha mbi altarin pagan, që duke mos duruar djegien t’i linte të binin temjanët gjoja si therore idhujve; e varën nga duart duke i vendosur pesha në këmbë; u rrezikua të hidhej në furrë, por flakët i shuan ata që ishin rrotull. Së fundi, me kërkesë të turmës që trembej se mos i zhdukte të gjithë, iu pre koka më 8 korrik 303, pasi u lut për të afërmit e tij. Trupi i tij u varros me nder natën nga besimtarët.
Jeta tjetër, e shën Theodhosisë, tregon se si shenjti i shkatërroi idhujt.
At. J.