Nga shenjtorët e muajit
Profeti Ilia ishte djalë i Sovakut dhe me prejardhje nga Tesvi, prandaj quhet Tesvit. Banonte në krahinën Galaad dhe veproi në kohën e mbretit Ahaab. Ilia ka qenë profet shumë i gjallë, me shpirt të flaktë dhe me zemër guximtare, përfaqësues i denjë i Perëndisë.
Eshtë ky që bëri të zbresë tri herë zjarr nga qielli, duke i bërë izraelitët të thonë me zë të lartë: Vërtet, Zoti, Perëndia i Izraelit, është i vetmi dhe i vërteti Perëndi. Gjithashtu, me gojën e tij ndaloi shiun për tre vjet e gjysmë. Eshtë ai që ngjalli djalin e vdekur të Seraftisë dhe dogji të njëqind njerëzit që kish dërguar mbreti Hohozia. Eshtë ky që në malin Horib pa Perëndinë, aq sa i lejohej një njeriu. Eshtë ky që çau lumin Jordan dhe u ngjit në qiejt me karrocë të zjarrtë. Së fundi, është ky që, në kohën e Shpërfytyrimit të Krishtit, qëndroi pranë, bashkë me Moisinë.
Të gjitha këto tregojnë zellin me të cilin Shën Ilia i shërbeu vullnetit të Perëndisë.
Profeti Ilia është nderuar shumë nga besimtarët tanë Orthodhoksë. Ai është quajtur mbrojtës kundër thatësirës. Sa herë që gjatë muajit korrik zgjatej thatësira, mblidheshin fëmijët e fshatit dhe me nga një ikonë në duar, në krye të të cilave ishte ajo e Shën Ilias, i binin fshatit tri herë rrotull, duke kënduar këngën e mëposhtme popullore:
O i Shenjtë Shëndelli
As na jep një pikë shi
Të na bëhet gruri i ri
Një karroqe një kalli
Ju shenjtorë, piamberë
Që ju lutemi përherë
Lutju Zonjës Shën Mari
Me kryq e me luvari.
Dhe për çudi, shiu binte.
Në vendin tonë ka patur disa kisha e manastire në emrin e Shën Ilias. Më kujtohet manastiri i bukur i Shëndëllisë i fshatit Hoçisht, ndërtim i shek. XIX. Siç më tregonte kolegu dhe shoku im i ngushtë e vëlla me Krishtin, i ndieri Jorgji Papailia nga Hoçishti, hoçishtarët dhe gjithë devotlinjtë, e mbanin dhe e festonin me shpresëtari të madhe panairin e Shëndëllisë. Unë jam i sigurt që edhe tani, që ai është shkatërruar prej ateizmit, bijtë shpresëtarë të Hoçishtit, qoftë në fshat ose në diasporë, do të kontribuojnë dhe do të interesohen ta ringrenë prapë atë qendër të bukur shpirtërore, siç janë interesuar dhe të krishterët orthodhoksë shpresëtarë të Beratit dhe e rregulluan Kishën e tyre piktoreske të Shëndëllisë.
Dhimitër Beduli