I katërti dhe i fundit “Profet i Madh”, Jeta e tij rrëfehet pikërisht në librin e tij, në Dhiatën e Vjetër. Veproi në kohën e perandorëve Nabukodonosor, Valtasar, Darius dhe Kirit (ata mbretëruan në vitet 605-529). U rrëmbye rob së bashku me Tre Djemtë (në Furrë) nga atdheu i tyre, Judea, në Babiloni (604 para Kr.), ku thuhet se vdiqën në moshë tepër të thyer. U shquan së bashku me të rinj të tjerë në sajë të origjinës së tyre princërore, të paraqitjes dhe të mprehtësisë së tyre, dhe u edukuan në pallatet mbretërore. Danili (= Perëndia është gjykuesi) u quajt edhe Valtasar.
Në tre vjet Nabukodonosori (605-562) i gjeti ata “dhjetë herë” më të urtë se dijetarët e tij. Më parë Danili i ishte lutur kryekuzhinierit dhe ai, në kundërtshim me urdhërin mbretëror, u jipte atyre për dhjetë ditë, jo ushqime mbretërore të molepsura nga flijimet, por ushqime bimore. Kuzhinieri kur pa se pas kësaj shenjtët ishin më të shëndetshëm se të tjerët, u bind dhe vazhdoi t’i ushqente gjithnjë me ushqime bimore (kap. 1).
Ndërsa Danili ishte ende i ri në moshë, u bë i ndjeshëm ndriçimi dhe urtësia e tij kur rishqyrtoi gjyqin dhe shpëtoi nga vdekja Shën Suzanën, e akuzuar dhe e dënuar, siç thotë rrëfimi i Suzanës, që është bashkë me profecinë e Dhaniilit. U shqua edhe si interpretues i frymëzuar nga Perëndia i ëndërrave, që asnjë nuk tentoi të interpretonte. Madje i kujtoi Nabukodonosorit ëndërrën e një statuje prej materialesh të ndryshme (perandoritë e njëpasnjëshme), e cila u shkatërrua nga guri (Mesia) që u shkëput nga “mali i paprekur”, d.m.th. nga e Tërëshenjta. Atëhere monarku iu fal dhe njohu Perëndinë e vet si të Lartin (kap. 2). Një herë tjetër e shpjegoi një ëndërr që profetizonte nevrasteninë e tij (kap. 4). Perandorit Valtasar i sqaroi disa fjalë enigmatike që kishte shkruar mbi mur një dorë misterioze (kap. 5). Nuk iu bind urdhërit të Darit, të cilin e kishin nxitur oborrtarët ziliqarë, dhe ai iu lut Zotit dhe, për keqardhje të Darit, e hodhën në “gropën e luanëve”, por ata nuk e prekën, kështu që ai doli që andej dhe në të u hodhën pastaj intrigantët, që u shqyen menjëherë! (kap. 6). Në gropën e luanëve i solli për të ngrënë profeti Avakum (2 dhjetor), që e kishte shpënë aty nga Judea një engjëll.
Në gjashtë kapitujt e tjerë përshkruhen ëndërra apokaliptike dhe vegime tronditëse të tij lidhur me ngjarje të së ardhmes – protipozë të Fundit të botës. Shpesh i ndodheshin pranë engjëjt. Kapitulli 7 përmban ëndërrën më të rëndësishme, të katër egërsirave dhe të dhjetë brirëve, si dhe vegimin madhështor të “si bir të njeriut” (Jisuit) në krah të Gjykuesit “të Tejlashtit të motit” (Atit), që nëpërmjet Historisë çon drejt shpëtimit. Kapitulli 8 flet për dashin (Mbretin e Medesë) dhe cjapin (Aleksandrin e Madh), ndërsa në kapitullin 9, nëpërmjet shtatëdhjetë javëve (viteve), përcaktohet epoka e Shpërblyesit. Në kap. 12.2 parathotë ngjalljen e përgjithshme.
Libri tepër letrar dhe tepër tërheqës i Danilit pasohet nga kapitulli i këndshëm për Vilin dhe Dragoin, të cilët i shkatërroi me shumë zgjuarsi. Ndofta pas kësaj Kiri lejoi rikthimin e Hebrejve. Aleksandri i Madh u mahnit në Jerusalem nga profecitë e tij largpamëse.