EmailFacebookKontakt

Profesori ynë i nderuar

Fjetja e teologut të madh shqiptar Dhimitër Beduli, është një humbje e madhe, që krijon një boshllëk shpirtëror, jo vetëm në familjen e në të afërmit e tij, por gjithandej ku zëri i tij është dëgjuar e veçanërisht në Shkollën Teologjike, ku ai ligjëroi me orë të tëra edhe pse në një moshë të thyer.

Për ne, seminaristët orthodhoksë, ai ishte një dhuratë e sjellur prej Zotit, e cila ishte caktuar për ne për ringjalljen dhe forcimin e besimit, një dhuratë që pohonte se Perëndia i do, i ruan e i shpërblen të drejtët. Mesazhet që ai na përcillte gjithmonë ishin: “Bëhuni bij të Perëndisë”, “Bëhuni njerëz shpirtërorë, të urtë, paqësorë, lutuni me zemër të hapur, nxirrni të ligën nga zemrat tuaja, qëndrojini afër Krishtit e Shën Marisë, se vetëm kështu mund të bëheni të denjë për të mbajtur në duar lulen e bukur të Orthodhoksisë, Kishën tonë të mrekullueshme dhe Traditën tonë të shenjtë”.

Hidhërimi që na pushton patjetër nesër do mbulohet nga shpërthimi i gonxhes e fëleja orthodhokse, të denja për ta mbajtur të pastër Kishën tonë të Shenjtë, për të cilën edhe ai sakrifikoi.

Perëndia e ndjeftë shpirtin e tij.

Dhiakon Jani Konomi
student në Shkollën Teologjike Hieratike “Ngjallja e Krishtit”