EmailFacebookKontakt

“Problemi më i rëndësishëm është ai shpirtëror”

Lexuesit e “Ngjalljes” janë njohur herë pas here me donacionet e ardhura nga miq në Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj., për ringjalljen e KOASh. Një prej organizatave, të cilat bashkëpunojnë me kisha të vendeve të ndryshme, është dhe IOCC (Organizata ndërkombëtare Orthodhokse e Bamirësisë), përfaqësuesi i së cilës, z. Andrea Rubis, ndodhet prej një muaji në vendin tonë dhe pranoi kërkesën tonë për një intervistë.

– Z. Andrea, fillimisht, duke marrë shkas edhe nga shqipja juaj, donim të dinim diçka mbi ju dhe origjinën e familjes?

-Së pari, ju falenderoj për intervistën. Vij nga SHBA, por nga origjina jam shqiptar. Gjyshërit e mi kanë lindur në Korçë. Që të dy, njëri nga Flloqi e tjetri nga Stratobërdha, janë larguar rreth viteve 1910-1930 për në SHBA. Prej tyre mësova shqipen dhe më pas studiova më tepër me një profesor shqiptar, edhe ai i larguar nga Shqipëria.

-Që prej 1 muaji ju ndodheni këtu si përfaqësues i IOCC. Ç’përfaqëson kjo organizatë dhe diçka mbi veprimtarinë e saj?

-IOCC është një organizatë panorthodhokse, qëllimi i të cilës është asistenca humanitare në të gjithë botën. Qendra e saj ndodhet në SHBA, por ka shtrirjen e saj dhe në vende të tjera.

-Si një organizatë panorthodhokse, si realizohet lidhja e saj me vende të tjera të botës?

-Në Amerikë ekzistojnë komunitete orthodhokse bullgare, rumune, shqiptare, beige, greke, ukrainase etj., të cilat e kanë njohur me kohë IOCC. Duke qenë të lidhura me kishat orthodhokse në vendet përkatëse, këto komunitete bëjnë të mundur realizimin e projekteve të IOCC në to. Deri tani kemi zyrat tona përfaqësuese në Rusi, Jugosllavi, Gjeorgji e së shpejti mendojmë edhe në Shqipëri.

-Po, në Shqipëri, si u bë e mundur njohja me këtë organizatë?

-Në fund të qershorit një përfaqësues i IOCC pati takim me Kryepiskopin Anastas, për hartimin e një plani mbi drejtimet ku mund të bashkëpunohej. U ra dakord fillimisht mbi projektet e mundshme në mjekësi dhe bujqësi.

-Cili do të jetë projekt-plani për bujqësinë, në këtë periudhë të vështirë të kalimit në një ekonomi të decentralizuar, të kalimit nga kooperativa në pronën e lirë private?

-Hapi i parë është njohja me gjendjen në fshatra të ndryshme, me mënyrën e organizimit dhe drejtimeve që kërkojnë t’i japin prioritet zhvillimi vendasit. Janë fshatarët që parashtrojnë kërkesat. Sigurisht, investimi do të bëhet në ato zona ku fshatarët janë organizuar në grupe, me një fond të mbledhur nga ata vetë, megjithëse mund të jetë i vogël, dhe pjesa tjetër do të mbulohet nga investitori. Qëllimi i “Asistencës humanitare” nuk është interesi mbi fitimin, as pasurimi i një e dy personave, por zhvillimi në tërësi apo dhe i një numri të caktuar familjesh në fshat. Vëzhgimi ka filluar në Lalmas të Tiranës e duke vazhduar në Poro, Novoselë, Ardenicë, Terovë e Pendevinj (Korçë), Orizaj (Berat) e së fundi, në Përmet. Siç e theksova, i rëndësishëm është organizimi dhe kërkesa e fshatarëve për llojin e veprimtarisë prodhuese në të cilin do të investohet. Informacionet e marra ia dërgojmë, nëpërmjet IOCC, grupeve investuese.

-Cilat do të ishin drejtimet në të cilat mendohet të bashkëpunohet në të ardhmen?

-Përveç krijimit së klinikave mjekësore mendohet të ngrihet një institut me emrin “Community-Bassed Development”. Ky institut do të përfshijë kurse (ku do të marrin pjesë njerëz pavarësisht nga besimi), në të cilat mendohet të mësohet diçka mbi konceptet bazë të zhvillimit të përgjithshëm e në mënyrë specifike në bujqësi e mjekësi.

-Sigurisht projektet kërkojnë investime jo të pakta. Cilat janë burimet nëpërmjet të cilave IOCC do të realizojë projektet e saj?

-Nevojiten vërtet fonde të mëdha. Kryesisht ndihmohemi nga Kisha, por jo për ngritje ndërtesa kishash, po për zhvillimin e zonave të prapambetura në vende të ndryshme. Njëkohësisht një fond i caktuar merret nga shteti.

-Pyetja e fundit ka të bëjë me ju personalisht, si besimtar orthodhoks?

-Në Shqipëri do të qëndroj për një vit. Jashtë asaj që përfshin veprimtaria ime si përfaqësues i IOCC, në planin personal do doja të ndihmoja në bashkëpunim me kishat orthodhokse në Amerikë, për ndërtimin e disa kishave këtu në Shqipëri. E dua Shqipërinë dhe do ta dëshiroja zhvillimin e KOASh. Mendoj se këtu problemi më i rëndësishëm se ai ekonomik, është ai shpirtëror, ndaj gjatë kohës së qëndrimit tim këtu do të mundohem të bëj sa të mundem në këtë drejtim.

– Ju faleminderit!

Intervistoi: Kristina Hanxhari