Sqarim
Meqënëse kohët e fundit kanë qarkulluar lajme të pasakta dhe dezinformuese lidhur me Sinodin e Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, gjithashtu, edhe tekste që errësojnë anë të ndryshme të çështjes, Zyra e Shtypit e Kryepiskopatës së Tiranës parashtron përmbledhjen e përgjegjshme të ngjarjeve historike që kanë lidhje me të:
1. Më 24 qershor 1992, Sinodi i Shenjtë dhe i Hirshëm i Patrikanës Ekumenike zgjodhi si Kryepiskop të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Mitropolitin e Andrusës, Imzot Anastasin. Gjithashtu, zgjodhi dhe Arqimandritët Kristodulos Mustakas si Mitropolit të Korçës, Aleksandros Kalpakidis si Mitropolit të Gjirokastrës dhe Ignatios Triandis si Mitropolit të Beratit, Vlorës e Kaninës. Deri atëhere, Kryepiskopi Anastas ishte Profesor i Universitetit të Athinës, Drejtor i Përgjithshëm i Dhiakonisë Apostolike të Kishës së Greqisë dhe, që nga janari i vitit 1991, Eksark Patriarkal i Fronit Ekumenik në Shqipëri. Me këtë detyrë kishte punuar brenda në Shqipëri nga korriku 1991, sapo iu dha leja e hyrjes, për riorganizimin e Kishës sonë Orthodhokse nga shkatërrimi i plotë që kishte shkaktuar persekutimi ateist, pothuajse pesëdhjetë vjeçar.
Kur u njoftua zgjedhja, Imzot Anastasi, duke njohur nga përpjekjet e tij shumëmujore në Shqipëri klimën e disfavorshme që sundonte, shpjegoi se para çdo veprimi të mëtejshëm do të duhej të ekzistonte marrëveshje me Qeverinë Shqiptare, sepse pa pëlqimin e saj nuk do të ishte e mundur të vendosej Sinodi i Shenjtë i përbërë prej shtetasish të huaj dhe të ecte normalisht rimëkëmbja e Orthodhoksisë në Shqipëri.
2. Më 4 korrik të vitit 1992, një delegation Patriarkal, i përbërë nga të Përndershmit Mitropolitë Sinodikë të Fronit Ekumenik, i Pergit, z. Evangjellos, i Filadelfias, z. Meliton dhe nga Protopresviteri shqiptar z. Ilia Katri, Përfaqësues Arkihieratik i shqiptarëve të Amerikës nën juridiksionin e Patrikanës, vizitoi Tiranën.
Fillimisht shkoi në Sekretariatin për Çështjet e Fesë dhe më pas u takua me Presidentin, Z. Sali Berisha(*). Delegationi i dorëzoi Presidentit një dhuratë dhe një letër mirësjelljeje të Patrikut Ekumenik, z. Vartholomeu, me anë të së cilës Tërëshenjtëria e Tij shpjegonte kuptimin e zgjedhjes së Sinodit dhe siguronte për karakterin e tij ekskluzivisht fetar. Qëndrimi i Presidentit qe kategorik. Ai shprehu pakënaqësinë e tij, sepse ishte injoruar qeveria Shqiptare në vendimin konkret të Patrikanës Ekumenike dhe deklaroi se për asnjë arsye nuk ka për të pranuar që i tërë Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të përbëhej nga hierarkë grekë. Presidenti nuk refuzoi krijimin e Sinodit të Shenjtë Orthodhoks, por propozimi i Tij ishte të kërkoheshin kandidatë të tjerë, nga vende të tjera, për arsye të qarta për Shqipërinë. Dialogu zyrtar ndërmjet Patrikanës Ekumenike dhe Qeverisë Shqiptare u ndërpre në këtë pikë në korrik të vitit 1992 dhe u mbyll papritur me veprimet kishtare të korrikut 1996, në Konstandinopojë.
3. Megjithëse ekzistoi miratim i plotë – pothuaj i njëzëshëm – i popullit orthodhoks të Shqipërisë për zgjedhjen e Imzot Anastasit si Kryepiskop, ai e pranoi atë, duke dhënë Mesazhin e Madh më 12 korrik 1992, tetëmbëdhjetë ditë pas zgjedhjes, pasi ishte siguruar më parë pëlqimi i Shtetit Shqiptar. Por, kur u bë Fronëzimi i Kryepiskopit nga i njëjti delegacion Patriarkal, më 2 gusht 1992, u pa qartë se autoritetet shqiptare kishin ndryshuar mendje për pëlqimin që kishin dhënë, që të vendosej një primat grek dhe u përpoqën me ngulm të mobilizonin opinionin publik, që ta detyronin Kryepiskopin të largohej vetë ose ta dëbonin. Në fund të vitit 1992 dhe në fillim të 1993-it u hartuan projektligje të ndryshme për komunitetet fetare, me qëllim dëbimin e Kryepiskopit me origjinë greke. Por, pas grumbullimit të orthodhoksëve, pavarësisht nga prejardhja, rreth Primatit të tyre, në dukje trysnia u zbraps.
Pasoi, një periudhë e gjatë tensionesh në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi: dëbimi i priftit Krisostom Maidhoni në verën e vitit 1993 (të cilin Autoritetet shqiptare e kishin kujtuar për një nga tre Mitropolitët e zgjedhur), ngjarjet e Peshkëpisë më 1994, që çuan të dy vendet në një gjendje lufte të ftohtë, ndalimi i hyrjes së lirë në Shqipëri të qytetarëve grekë në shtator 1994, përndjekjet, privimet e qindra shkrime që nuk pushuan së foluri kundër “klerikut grek”.
Reagimi e arriti kulmin në nëntor të vitit 1994, me Projekt – Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e cila, me anë të një dispozite kategorike, kërkonte të dëbonte me mënyrën më të pakthyeshme Kryepiskopin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për shkak të origjinës së tij greke. Çështja u shty, por nuk ka mbaruar.
4. Kur, më 22 korrik të vitit 1996, Kryepiskopi, Imzot Anastasi, u thirr me anë të një Letre Patriarkale, dërguar me faks, për të shkuar në Kostandinopojë për hirotonisjet e tre Mitropolitëve, i kujtoi Patrikanës Ekumenike sa kishte theksuar shumë herë në letrat e Tij dhe gjatë takimeve personale, lidhur me specifikën e gjendjes në Shqipëri, duke theksuar se: “Për mua do të ishte bekim nëse pranë do të kisha, për të marrë pjesë në veprën e mundimshme të rimëkëmbjes nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, jo vetëm tre, po shumë më tepër mitropolitë dhe klerikë të tjerë. Por, ngjarjet duhen kuptuar siç janë dhe të trajtohen seriozisht. Në Shqipëri tashmë janë forcuar frika dhe shqetësimet, se grekët tentojnë të depërtojnë e të realizojnë planet e tyre etnike nëpërmjet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Sigurisht, këto pikëpamje janë të padrejta e jashtë realitetit, megjithatë, janë të deklaruara qartë.” Ai i kujtoi, gjithashtu, se historia kishtare e Orthodhoksisë në Shqipëri gjatë periudhës 1922-1990 mbetet kuptimplote. Dhe se besonte që veprimi më i drejtë është vazhdimi i dialogut me autoritetet shqiptare, me ardhjen në Shqipëri të një delegationi prej hierarkësh të Patrikanës Ekumenike, me qëllim që problemi të kapërcehet së bashku me shqiptarët orthodhoksë brenda vendit, meqënëse këta të fundit i njohin gjërat në thellësi dhe vuajnë edhe ata qëndrimin e disfavorshëm të tejzgjatur që është krijuar ndaj udhëheqjes Orthodhokse.
5. Reagimi i Shtetit Shqiptar ndaj hirotonisjeve të tre Mitropolitëve, që u kryen në Kostandinopojë më 26, 27 dhe 28 korrik 1996, ishte i menjëhershëm. Më 2 gusht 1996, lidhur me emërimin nga ana e Patrikanës së Konstandinopojës të tre Mitropolitëve grekë në Shqipëri, deklaroi: “Njoftimin e morëm nga shtypi. Na çuditi fakti se si Patrikana, pa një bisedim paraprak me përfaqësues të Qeverisë Shqiptare, merr vendimin që i gjithë Sinodi në Shqipëri të përbëhet nga qytetarë grekë. Kjo jo vetëm që tejkalon çdo etikë të marrëdhënieve ndërmjet palëve, por, njëkohësisht prek ndërgjegjen kombëtare të popullit tonë, përfshirë edhe orthodhoksët shqiptarë.” Dhe nënvizon “qëndrimin e prerë” të Qeverisë Shqiptare “për të mos lejuar më asnjë klerik të huaj të drejtojë punët e fesë në Shqipëri”.
Këtë qëndrim Qeveria Shqiptare e theksoi për herë të dytë më 5 gusht 1996, në një letër të saj drejtuar Patrikanës së Nderuar Ekumenike, duke vënë në dijeni edhe Kryepiskopatën e Tiranës.
6. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, derisa të bëhet i mundur funksionimi i Sinodhit të Shenjtë, drejtohet nga Këshilli i Përgjithshëm Kishtar (Këshilli Mikst). Këtu është fjala për një zgjidhje thjesht tranzitore. Ky organ është skema e vetme drejtuese e mundshme, sipas Statuteve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që ishin herë pas here në fuqi, dhe u formua me dijeninë e Patrikanës Ekumenike. Nga ana tjetër, ky organ ka ndihmuar që të shprehej opinioni i popullit Orthodhoks të Shqipërisë dhe të bëhej zyrtarisht kërkesa ndaj Kishës Mëmë të Kostandinopojës, e cila në vazhdim ndërmori hapat e mëtejshme. Për më tepër, pas refuzimit të Qeverisë Shqiptare për të pranuar tre Mitropolitët e zgjedhur për në Shqipëri nga ana e Patrikanës Ekumenike, ishte e nevojshme të vazhdohej të funksiononte kjo strukurë tranzitore kishtare. Sepse duhej që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë të kishte bazë ligjore para Autoriteteve shqiptare për të rivendikuar pasurinë e saj, për të ligjësuar ekzistencën e saj brenda Shtetit Shqiptar të ndarë nga feja. Me këtë mënyrë provohet gjithashtu, se sot organi drejtues i përkohshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk është “një i huaj”, po një Këshill kleriko-laik prej 13 anëtarësh, nga të cilët 12 janë qytetarë shqiptarë (tetë klerikë e katër laikë).
Çështjet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, siç janë formuar pas persekutimit shfarosës ateist prej gjysmë shekulli, përveç përmasave thjesht kishtare, kanë edhe përmasa të tjera historike, politike, shoqërore, psikologjike, të cilat nuk mund të injorohen kur kërkohen zgjidhje normale dhe jetësore.
Tiranë, 1 tetor 1996
Zyra e Shtypit e Kryepiskopatës
(*) Shënim: (21.10.1996). Në një komunikatë të Zyrës së Shtypit të Patrikanës Ekumenike (14. 10. 1996), midis pasaktësive të tjera del, se ndërmjet takimit të Këshillit të Përgjithshëm Kishtar me Komitetin e Patrikanës për çështjen fetare Shqiptare në maj 1992 (§ 5,6) dhe zgjedhjes së Kryepiskopit dhe të Mitropolitëve për në Shqipëri më 24 qershor 1992 (§8), “u dërgua në Shqipëri një delegacion Patriarkal dhe kishte takime si me Presidentin Berisha, ashtu edhe me Eksarkun e deriatëhershëm Patriarkal, Mitropolitin e Andrusës, dhe me Këshillin e Përgjithshëm Kishtar të drejtuar prej tij…” (§7). Kjo nuk i përgjigjet së vërtetës. Delegacioni i Patrikanës Ekumenike erdhi për herë të parë në Shqipëri pas zgjedhjes dhe u takua me Presidentin Berisha në 4 korrik të vitit 1992. Vizita e dytë u krye për Fronëzimin e Kryepiskopit më 2 gusht 1992.