– Komiteti Qendror i Këshillit Botëror të Kishave zgjodhi Sekretarin e ri të Përgjithshëm –
– Mori pjesë Kryepiskopi Anastas, i cili dha një kontribut aktiv e të qenësishëm në zhvillimin e punimeve –
Nga data 26 gusht – 2 shtator 2003 në Gjenevë të Zvicrës u mbajt sesioni i Komitetit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave. Ky sesion u dha mundësi kishave anëtare të shqyrtonin çështjet ndërkombëtare që trondisin botën e sotme si dhe dinamikën e lëvizjes ekumenike. Në këtë veprimtari mori pjesë, si anëtar i këtij organizmi drejtues të KBK, edhe Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, i cili dha një kontribut mjaft aktiv gjatë punimeve. Gjithashtu, i veçantë ishte falënderimi për Kryepiskopin tonë, për kushtet që krijoi me rastin e mbledhjes në Shqipëri të komitetit që bëri përzgjedhjen e kandidatëve, kushte dhe atmosferë që e lehtësuan dhe e ndihmuan mjaft punën e tij, duke arritur në paraqitjen e vetëm dy kandidaturave të vlerësuara nga të gjithët.
Gjithashtu, u zgjodh Sekretari i ri i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave, pastori Samuel Koba, nga kisha metodiste e Kenias. Ai zëvendësoi pastorin nga Gjermania, Konrad Raiser, i cili kishte 11 vjet në drejtimin e organizatës.
Në fjalën e tij, Sekretari i ri Përgjithshëm deklaroi se problemet e ndeshura nga KBK mund të zgjidhen vetëm së bashku dhe, që në traditën afrikane, marrja e një vendimi kalon në shumicën e rasteve nëpërmjet rrugës së konsensusit.
Kishat pjesëmarrëse në mbledhjen e Komitetit Qendror përcaktuan edhe temën e Asamblesës së 9-të të Përgjithshme, që do të mbahet në qershor 2006 në Porto Alegre, në Brazil: “Perëndia, në hirin tuaj, transformon botën!”. Edhe në përcaktimin e temës, Kryepiskopi Anastas kontribuoi në mënyrë të qenësishme, duke propozuar futjen në temë (siç edhe u bë), të fjalëve “Perëndi” dhe “hir”.
Tjetër zgjedhje teme, ishte ajo në kuadrin e dekadës “të fitojmë mbi dhunën!”, që për vitin 2004 do ta ketë theksin tek SHBA, për të inkurajuar kishat e atjeshme për një qëndrim më aktiv në mbështetje të paqës.
Në këtë sesion një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe dokumenteve të paraqitura nga rrjeti ekumenik në mbështetje të personave handikapatë (EDAN) dhe komisioni “Besim dhe rregull”, që kishin të bënin sa me anën teologjike aq edhe me masat praktike, që duhet të ndërmarrin kishat për të demonstruar një afrim real të personave me probleme të tilla.
Objekt i mbledhjes u bënë edhe shumë probleme aktuale, ku u theksuan edhe nismat e marra nga KBK për çështjen palestineze, të Qipros apo të Irakut, nisma që kanë mundësuar një dialog ndërfetar në Lindjen e Mesme.
Në vëmendjen e mbledhjes ishte edhe situata e viteve të fundit në Evropë, që ka njohur probleme të konsiderueshme politike dhe ndodhet në fazën e një shndërrimi të thellë. Kishat anëtare të KBK shprehën gjykimet e tyre mbi rolin e Kishës në shumë drejtime, si ato mbi “Vlerat që mbajnë unitetin evropian”, “Evropa dhe siguria” etj.
Për sa i përket lëvizjes ekumenike, Këshilli Botëror i Kishave ka hapur një debat mbi “rikonfigurimin e lëvizjes ekumenike”, për të identifikuar fushat ku janë të nevojshme ndryshimet, për t’iu përshtatur një botë në ndryshim të vazhdueshëm. Ky proces do të nisë në nëntor 2003 në Antelias të Libanit dhe do të vazhdojë në mbledhjen e Komitetit Qendror më 2005 dhe më pas në Asambleen e Përgjithshme.
Presidenti i Komitetit Qendror të KBK, Aram I, e vuri theksin që në të ardhmen KBK të përqendrohet më shumë në dialogun ndërfetar. Gjithashtu, Komiteti Qendror shprehu kënaqësinë, që sot Kishat Orthodhokse anëtare ndihen më shumë të përfshira në vendimmarrje. Është punuar për të vënë në jetë rekomandimet e “komisionit të posaçëm”, sidomos ato për marrjen e vendimeve nëpërmjet konsensusit.
Në mbledhje gjithashtu, u theksua se gjendja e sotme financiare është pak më pozitive se vitet e shkuara, falë përpjekjeve për të shkurtuar shpenzimet.
Ish-sekretari i Përgjithshëm, pastori Konrad Raiser, përfitoi nga rasti në fjalën e tij të fundit, për të theksuar rëndësinë e përfshirjes së Kishës Katolike dhe disa kishave protestante në një lëvizje ekumenike më të gjerë, proces, që do të përfshijë e aktivizojë të gjitha kishat anëtare. Në fund, për nder të z. Raiser u bë një lutje dhe një pritje, ku u vu në dukje angazhimi i tij, vizioni si dhe ndjeshmëria dhe erudicioni, të cilat i vuri në shërbim të organizatës.
Korresp. i gazetës “Ngjallja”
Këshilli Botëror i Kishave është një komunitet i përbërë nga 342 kisha. Ato vijnë nga mbi 100 vende të globit, nga të gjitha kontinentet dhe përfaqësojnë praktikisht të gjitha traditat e krishtera. Kisha Katolike nuk është anëtare, por bashkëpunon aktivisht me KBK. Organi më i lartë drejtues është Asambleja e Përgjithshme, që mblidhet një herë në 7 vjet. Ndërmjet tyre organi më i lartë është Komiteti Qendror, ndërsa figura drejtuese kryesore, me kompetenca të gjera, është Sekretari i Përgjithshëm.
Këshilli Botëror i Kishave u formua zyrtarisht në vitin 1948 në Amsterdam, në Holandë.
Kisha jonë është anëtare e KBK që nga viti 1994.