Më 25 dhjetor 2023, pas Liturgjisë Hyjnore, u zhvillua pritja e Kryepiskopit Anastas me rastin e të kremtes së Krishtlindjes, në ambientet e Sinodit të Shenjtë pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë.
Mjaft krerë dhe personalitete erdhën për të uruar besimtarët orthodhoksë dhe Kryepiskopin Anastas, ndër ta Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij z. Bajram Begaj; Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese znj. Holta Zaçaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj; Trashëgimtari i Fronit, Princ Leka; Prefekti i Tiranës, z. Afrim Qendro; Kryetari i Qarkut, z. Aldrin Dalipi, Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranë dhe Zv/ministria e Brendshme znj. Romina Kuko, krerët e komuniteteve fetare në vendin tonë, Kreu i Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu; Kryegjyshi Botëror Bektashian H.D. Edmond Brahimaj, Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imz. Arjan Dodaj, mjaft ambasadorë, diplomatë, akademikë, drejtues të mediave kryesore në vend, personalitete të shquara të artit e të biznesit dhe të shoqërisë civile, si dhe drejtues të institucioneve të Kishës Orthodhokse, besimtarë, teologë, përfaqësues të enorive të Tiranës etj.
Të ftuarit u pritën ngrohtë nga Fortlumturia e Tij dhe klerikët, nën tingujt e korit të Muzikës Bizantine “Shën Joan Kukuzeli”, dhe kori i kishës së Shën Prokopit.
Presidenti i Republikës, z. Bajram Begaj tha për gazetarët: “Sot është një ditë e veçantë: Krishtlindja, prandaj erdha për t’i uruar këtë ditë të shenjtë. Kjo ditë e dritës hyjnore, sjell shpresë dhe gëzim për gjithë besimtarët dhe mbarë shqiptarët. Gëzuar, të kenë sa më shumë gëzime, begati dhe paqe të gjithë shqiptarët”.
Ndërsa Kryepiskopi Anastas tha: “I jemi mjaft mirënjohës Presidentit, sepse gjithë këtë periudhë transmeton mesazhin e shpresës dhe dashurisë. Dëshirojmë të punojmë me gjithë zemrën tonë për përparimin e vendit në këtë frymë të Krishtlindjes”.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj, u shpreh: “…Është një bekim i madh që ajo që ne marrim si të mirëqenë: harmonia e besimit. Kjo është në fakt diçka që kultivohet përditë dhe këto vizita janë pjesë e këtij kultivimi.
Fakti që, përtej politikës, ndasive, prejardhjes, secili bashkohet në festa të tilla, të bën të urosh të jetë Krishtlindje çdo ditë, sikur të ishim përditë kaq të mirë dhe bashkëpunues…
Lutja dhe urimi im është të jetojmë përditë si të jetë një Krishtlindje dhe të jetojmë gjithnjë me një motivim që ta çojmë këtë vend përpara”.